Informacion i Ri për Specialistët për Paaftësitë i Shtuar në LDS.org
Xhuli Brink nga Indiana e SHBA-së, rriti një vajzë që është e shurdhër dhe shërbeu për vite në kunjin e saj si përkthyese e gjuhës amerikane të shenjave. Elen Alison nga Arizona e SHBA-së, pati një karrierë të gjatë si mësuese në shkollë publike, ku pati bashkëveprim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me studentë me paaftësi. Ajo gjithashtu ka një nip me sindromën Daun dhe miq të ngushtë që kanë vuajtur nga skleroza e shumëfishtë dhe ALS [Skleroza Amiotrofike Laterale] apo çrregullimi Lou Gehrig.
As Motra Brink dhe as Motra Alison nuk e kanë konsideruar veten “profesioniste” në fushën e paaftësive, prapëseprapë të dyja ato shërbejnë si specialiste për paaftësitë në kunj, një thirrje për të cilën është shtuar informacioni i ri te sesioni Serving in the Church [Shërbimi në Kishë] në LDS.org në 10 gjuhë. (Thirrja mund të vazhdojë ende në nivel kunji ose lagjeje ose në të dyja, aty ku nevoja e kërkon.)
Edhe pse thirrja e specialistit për paaftësitë në lagje ose në kunj përmendet shkurtimisht në Handbook 2: Administering the Church [Manualin 2: Administrimi i Kishës], disa udhëheqës kanë mbetur duke vrarë mendjen se çfarë mund të përfshijë kjo thirrje.
“Ka situata ku udhëheqësit e lagjeve mund të mos e dallojnë një nevojë ose mund të mos e dinë se çfarë të bëjnë në përgjigje të një nevoje të veçantë kur vërtet e dallojnë atë”, tha Kristofer Filips, drejtor i Shërbimeve për Paaftësitë për Kishën. “Ka shumë situata ku një specialist i paaftësive mund të jetë i dobishëm, por jo gjithkush e kupton se kjo thirrje ekziston madje.
Ky sesioni i ri në internet për Serving in the Church [Shërbimin në Kishë] nuk përshkruan në hollësi gjithçka që një person duhet të bëjë në këtë thirrje”, vazhdoi ai, “por vërtet jep ide dhe burime në mënyrë që një person që shërben në këtë pozicion, të mund të ndihmojë udhëheqësit, mësuesit dhe familjet për çështjet e lidhura me paaftësinë.”
Informacioni i postuar në LDS.org në 10 gjuhë përqendrohet në mënyrën se si specialistët mund të ndihmojnë udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve:
Të identifikojnë dhe të arrijnë t’i njohin individët me paaftësi dhe familjet e tyre brenda lagjes apo kunjit.
Të përfshijnë anëtarët me paaftësi në mbledhje dhe aktivitete.
T’u përgjigjen pyetjeve dhe shqetësimeve të prindërve, udhëheqësve dhe individëve të tjerë lidhur me paaftësitë.
Të identifikojnë mundësi kuptimplote për të shërbyer për anëtarët me paaftësi.
Të identifikojnë nevojat e veçanta të familjeve (përfshirë nevojat e dhënies së përkujdesjes) dhe, ku është e përshtatshme, të identifikojnë burimet e disponueshme të komunitetit, të lagjes dhe të kunjit për t’i ndihmuar për këto nevoja.
Është e rëndësishme të theksohet se specialisti për paaftësitë nuk është i vetmi që i bën këto gjëra. Përkundrazi, roli i tij ose i saj është t’i ndihmojë udhëheqësit e tjerë të kuptojnë dhe t’u shërbejnë më mirë atyre me paaftësi. Përveç kësaj, specialisti për paaftësitë gjithashtu “i ndihmon individët dhe prindërit e prekur nga paaftësitë të ndajnë informacion me anëtarët dhe udhëheqësit e lagjes në një mënyrë të dobishme”.