2012
Falë i Qoftë Perëndisë
Maj 2012


Falë i Qoftë Perëndisë

Sa më mirë do të ishte nëse të gjithë do të mund të kishin më shumë njohuri për fuqinë hyjnore dhe dashurinë e Perëndisë dhe t’ia shprehnin atë mirënjohje Atij.

Plaku Rasëll M. Nelson

Të dashur vëllezër dhe motra, ju falënderojmë për mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe besnikërinë tuaj. Ne shprehim mirënjohjen dhe dashurinë tonë për secilin prej jush.

Kohët e fundit, unë dhe Motra Nelson shijuam bukurinë e peshqve tropikalë në një akuarium të vogël privat. Peshqit me ngjyra të larmishme dhe shumëllojshmëri formash e përmasash, turreshin si shigjetë prapa dhe para. E pyeta kujdestaren pranë: “Kush i ushqen këta peshq të bukur?”

Ajo u përgjigj: “Unë”.

Më pas e pyeta: “A të kanë falënderuar ndonjëherë?”

Ajo u përgjigj: “Ende jo!”

Mendova për disa njerëz që i njoh, që janë aq të pavëmendshëm ndaj Krijuesit të tyre dhe “bukë[s] [së tyre të vërtetë të] jetës”1. Ata jetojnë çdo ditë pa një njohuri për Perëndinë dhe mirësinë e Tij ndaj tyre.

Sa më mirë do të ishte nëse të gjithë do të mund të kishin më shumë njohuri për fuqinë hyjnore dhe dashurinë e Perëndisë dhe t’ia shprehnin atë mirënjohje Atij. Amoni dha mësim: “Le t’i japim falënderime [Perëndisë], pasi ai punon me drejtësi përgjithnjë”2. Shkalla jonë e mirënjohjes tregon masën e dashurisë sonë për Të.

Perëndia është Ati i shpirtrave tanë.3 Ai ka një trup të përlëvduar dhe perfekt prej mishi e kockash.4 Ne jetuam me Të në qiell përpara se të lindeshim.5 Dhe kur Ai na krijoi si trupa fizikë, ne u krijuam në shëmbëlltyrën e Perëndisë, secili me një trup vetjak.6

Mendoni për ushqimin tonë fizik. Është me të vërtetë i dërguar nga qielli. Gjërat e domosdoshme si ajri, ushqimi dhe uji, të gjitha vijnë te ne si dhurata nga një Atë i dashur Qiellor. Toka u krijua për të mbështetur ekzistencën tonë të shkurtër në vdekshmëri.7 Ne u lindëm me aftësinë për t’u rritur, për të dashur, për t’u martuar dhe për të krijuar familje.

Martesa dhe familja shugurohen nga Perëndia. Familja është njësia më e rëndësishme shoqërore në kohë e në përjetësi. Për shkak të planit të madh të Perëndisë për lumturinë, familjet mund të vulosen në tempuj dhe të përgatiten që të kthehen për të banuar në praninë e Tij të shenjtë përgjithmonë. Kjo është jeta e përjetshme! Ajo përmbush dëshirat më të thella të shpirtit njerëzor – dëshirën natyrore për shoqërimin e vazhdueshëm me anëtarë të dashur të familjes së një individi.

Ne jemi pjesë e qëllimit të Tij hyjnor: “Vepra ime dhe lavdia ime”, tha Ai, është “të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.”8 Në mënyrë që t’i përmbushte ato synime, “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”9. Ai veprim qe një manifestim hyjnor i dashurisë së Perëndisë. “Sepse [Ai] nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.”10

Kryesor për planin e përjetshëm të Perëndisë është misioni i Birit të Tij, Jezu Krishtit.11 Ai erdhi për të shëlbuar fëmijët e Perëndisë.12 Për shkak të Shlyerjes së Zotit, ringjallja (ose pavdekësia) u përmbush.13 Falë Shlyerjes, jeta e përjetshme u bë një mundësi për të gjithë ata që do të kualifikohen. Jezusi e shpjegoi në këtë mënyrë:

“Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.”14

Për shkak të Shlyerjes së Zotit dhe dhuratës së Tij të ringjalljes – për këtë mesazh sublim të Pashkës – falë i qoftë Perëndisë!

Dhuratat Fizike

Aty ynë Qiellor i do fëmijët e Tij.15 Ai e ka bekuar çdonjërin me dhurata fizike dhe shpirtërore. Më lejoni të flas për secilin lloj [dhurate]. Kur ju këndoni “Fëmi i Per’ndis’ Jam”, mendoni për dhuratën e Tij për ju, të vetë trupit tuaj fizik. Tiparet shumë të mahnitshme të trupit tuaj dëshmojnë për “natyrë[n] [tuaj] hyjnore”16.

Çdo organ i trupit tuaj është një dhuratë e mahnitshme nga Perëndia. Secili sy ka aftësi për ta vendosur automatikisht në fokus atë që sheh. Nervat dhe muskujt kontrollojnë dy sytë që të krijojnë një imazh të vetëm tre dimensional. Sytë lidhen me trurin, që regjistron pamjet e shikuara.

Zemra juaj është një pompë e pabesueshme.17 Ajo ka katër valvula delikate që kontrollojnë drejtimin e rrjedhjes së gjakut. Këto valvula hapen dhe mbyllen më shumë se 100.000 herë në ditë – 36 milionë herë në vit. Ende, veç nëse ndryshojnë nga sëmundja, ato janë në gjendje ta përballojnë një tension të tillë, pothuajse për një kohë të pacaktuar.

Mendoni për sistemin mbrojtës të trupit. Për ta mbrojtur atë nga e keqja, ai ndien dhimbje. Në përgjigje të infeksionit, ai prodhon kundërtrupa. Lëkura ofron mbrojtje. Ajo paralajmëron kundër dëmtimit që mund të shkaktojë nxehtësia ose i ftohti i tepërt.

Trupi i gjallëron qelizat tona të vjetruara dhe i rregullon nivelet e përbërësve tanë jetësorë. Trupi shëron të prerat, mavijosjet dhe kockat e thyera. Aftësia e tij për riprodhim është një dhuratë tjetër e shenjtë nga Perëndia.

Ne duhet të kujtojmë se dikujt nuk i nevojitet një trup i përsosur për të arritur fatin e tij hyjnor. Faktikisht, disa nga shpirtrat më të ëmbël strehohen në trupa të brishtë ose të papërkryer. Shpesh, nga njerëzit me sfida fizike zhvillohet forcë e madhe shpirtërore, pikërisht ngaqë ata janë shumë të sfiduar.

Çdokush që i studion funksionimet e trupit njerëzor, me siguri ka “parë Perëndinë duke lëvizur në madhështinë dhe fuqinë e tij”18. Për shkak se trupi qeveriset nga ligji hyjnor, çdo shërim vjen me anë të bindjes ndaj ligjit mbi të cilin është predikuar ai bekim.19

Ende, disa njerëz mendojnë gabimisht se këto tipare të mrekullueshme fizike ndodhën nga ndryshimi apo rezultuan nga big bengu diku. Pyeteni veten: “A mundet një shpërthim në një shtypshkronjë që të prodhojë një fjalor?” Mundësia është shumë e largët. Por nëse do të ndodhte, ai nuk do të mundte kurrë që t’i rregullonte vetë faqet e tij të grisura apo të prodhonte vetë botimet e tij të reja!

Nëse aftësia e trupit për funksionim, mbrojtje, ndreqje, rregullim dhe ripërtëritje normale do të vazhdonte pa kufij, jeta këtu do të vazhdonte në përjetësi. Po, ne do të ngecnim këtu në tokë! Krijuesi ynë mëshirëplotë siguroi procesin e plakjes dhe të tjera procese që do të çonin përfundimisht në vdekjen tonë fizike. Vdekja, sikurse lindja, është pjesë e jetës. Shkrimet e shenjta na mësojnë se “nuk ishte e nevojshme që njeriu të shëlbehej nga kjo vdekje fizike, pasi një gjë e tillë do të shkatërronte planin e madh të lumturisë”20. Të kthehesh te Perëndia përmes portës që ne e quajmë vdekje, është një gëzim për ata që e duan dhe janë të përgatitur për ta takuar Atë.21 Përfundimisht, koha do të vijë kur çdo “shpirt dhe trup do të bashkohen përsëri në formën … [e] përkryer; dhe si gjymtyrët ashtu dhe nyjet do të rivendosen në të njëjtin trup”22, për të mos u ndarë më kurrë. Për këto dhurata fizike, falë i qoftë Perëndisë!

Dhuratat Shpirtërore

Aq i rëndësishëm sa është trupi, ai shërben si një tabernakull për shpirtin e përjetshëm të dikujt. Shpirtrat tanë ekzistuan në mbretërinë para lindjes23 dhe do të vazhdojnë të jetojnë edhe pasi trupi të vdesë.24 Shpirti i siguron trupit përvoja jetësore dhe personalitet.25 Në këtë jetë dhe në tjetrën, kur shpirti dhe trupi do të bashkohen së bashku, do të bëhen një shpirt i gjallë me vlerë hyjnore.

Për shkak se shpirti i dikujt është kaq i rëndësishëm, zhvillimi i tij është me pasoja të përjetshme. Ai forcohet ndërsa komunikojmë në lutje të përulur me Atin tonë të dashur Qiellor.26

Tiparet përmes të cilave do të gjykohemi një ditë, janë të gjitha shpirtërore.27 Ato përfshijnë dashurinë, virtytin, integritetin moral, dhembshurinë dhe shërbimin ndaj të tjerëve.28 Shpirti juaj, i bashkuar dhe i strehuar në trupin tuaj, është në gjendje t’i zhvillojë dhe manifestojë këto tipare në mënyra që janë thelbësore për përparimin tuaj të përjetshëm.29 Përparimi shpirtëror arrihet përmes hapave të besimit, pendimit, pagëzimit, dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund, përfshirë marrjen e indaumentit dhe ordinancat vulosëse të tempullit të shenjtë.30

Ashtu si trupi kërkon ushqim të përditshëm për të mbijetuar, edhe shpirti ka nevojë për ushqim. Shpirti ushqehet përmes të vërtetës së përjetshme. Vitin e kaluar, ne festuam 400–vjetorin e përkthimit të versionit anglisht të mbretit Jakob të Biblës së Shenjtë. Dhe ne kemi pasur Librin e Mormonit për afro 200 vjet. Ai tashmë është përkthyer plotësisht apo si përzgjedhje në 107 gjuhë. Për shkak të këtyre dhe shkrimeve të tjera të çmuara, ne e dimë se Perëndia është Ati ynë i Përjetshëm dhe se Biri i Tij, Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Për këto dhurata shpirtërore, falë i qoftë Perëndisë!

Dhurata të Ungjillit

Ne e dimë se profetë të shumë periudhave ungjillore si Adami, Noeu, Moisiu dhe Abrahami, të gjithë dhanë mësim për hyjninë e Atit tonë Qiellor dhe të Jezu Krishtit. Periudha jonë e tanishme ungjillore u paraqit nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, kur Ata iu shfaqën Profetit Jozef Smith në 1820. Kisha u organizua në vitin 1830. Tani, 182 vjet më pas, ne mbetemi nën besëlidhje për ta çuar ungjillin te “çdo komb, fis, gjuh[ë] dhe popull”31. Kur veprojmë kështu, si dhënësit edhe marrësit do të bekohen.

E jona është përgjegjësia për t’u dhënë mësim fëmijëve të Tij dhe për të zgjuar brenda tyre njohurinë për Perëndinë. Shumë kohë më parë, Mbreti Beniamin tha:

“Besoni në Perëndinë; besoni se ai është dhe se ai krijoi të gjitha gjërat, si në qiell ashtu edhe në tokë; besoni se ai ka të gjithë diturinë dhe të gjithë fuqinë, si në qiell ashtu edhe në tokë; …

… Besoni se ju duhet të pendoheni për mëkatet tuaja dhe t’i braktisni ato, dhe të përulni veten tuaj para Perëndisë; dhe të kërkoni në çiltërsinë e zemrës, që ai t’ju falë juve; dhe tani, në qoftë se ju besoni të gjitha këto gjëra, shikoni që t’i bëni ato.”32

Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë, por ne jo. Çdo ditë, është sfida jonë që të përdorim fuqinë e Shlyerjes, në mënyrë që të ndryshojmë me të vërtetë, të bëhemi më shumë si Krishti dhe të kualifikohemi për dhuratën e ekzaltimit e të jetojmë përjetësisht me Perëndinë, Jezu Krishtin dhe familjet tona.33 Për këto fuqi, privilegje dhe dhurata të ungjillit, falë i qoftë Perëndisë!

Unë dëshmoj se Ai jeton, se Jezusi është Krishti, se kjo është Kisha e Tij, e rivendosur në këto ditë të mëvonshme për të përmbushur fatin e saj hyjnor. Ne drejtohemi sot nga Presidenti Tomas S. Monson, të cilin e duam dhe e mbështesim me gjithë zemrën tonë, sikurse i mbështesim edhe këshilltarët e tij dhe Dymbëdhjetë Apostujt si profetë, shikues e zbulues. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.