2012
Vizioni i Profetëve lidhur me Shoqatën e Ndihmës: Besim, Familje, Ndihmë
Maj 2012


Vizioni i Profetëve lidhur me Shoqatën e Ndihmës: Besim, Familje, Ndihmë

Xhuli B. Bek

Besim, familje dhe ndihmë – këto tri fjalë të thjeshta kanë arritur të shprehin vizionin e profetëve për motrat në Kishë.

Vitet e fundit, Shpirti më ka nxitur që të flas shpesh për Shoqatën e Ndihmës – qëllimin dhe cilësitë e saj1, vlerën e historisë së saj2, veprën dhe bashkëpjesëmarrjen e saj me peshkopët dhe kuorumet e Priftërisë Melkizedeke3. Duket e rëndësishme tani të përqendrojmë vëmendjen te vizioni i profetëve lidhur me Shoqatën e Ndihmës4.

Pikërisht ashtu si profetët e Zotit u kanë dhënë mësim vazhdimisht pleqve dhe priftërinjve të lartë për qëllimet dhe detyrat e tyre, ata kanë treguar vizionin e tyre për motrat e Shoqatës së Ndihmës. Nga këshilla e tyre është e qartë se qëllimet e Shoqatës së Ndihmës janë për të rritur besimin e drejtësinë vetjake, për të forcuar familjen e shtëpinë dhe për të kërkuar e ndihmuar ata në nevojë. Besim, familje dhe ndihmë – këto tri fjalë të thjeshta kanë arritur të shprehin vizionin e profetëve për motrat në Kishë.

Që nga fillimi i Rivendosjes, profetët kanë treguar vizionin e tyre për gra të forta, besnike e të vendosura, të cilat e kuptojnë vlerën dhe qëllimin e tyre të përjetshëm. Kur Profeti Jozef Smith themeloi Shoqatën e Ndihmës, ai e drejtoi presidenten e parë të saj që të “kryesonte mbi këtë shoqëri, në përkujdesjen për të varfrit – administrimin për nevojat e tyre dhe trajtimin e çështjeve të ndryshme të këtij institucioni”5. Ai e përfytyroi organizatën si “një shoqëri të zgjedhur, të ndarë nga të gjitha të ligat e botës”6.

Brigam Jangu, Presidenti i dytë i Kishës, i udhëzoi këshilltarët e tij dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve që t’i drejtonin peshkopët që “t’i lejonin [motrat] të organizonin Shoqatat Femërore të Ndihmës në lagjet e ndryshme”. Ai shtoi: “Disa mund të mendojnë se kjo është një gjë e vockël, por nuk është”7.

Më vonë, Presidenti Jozef F. Smith tha se, në dallim nga organizatat e botës, që “janë krijuar nga burrat ose nga gratë”, Shoqata e Ndihmës “është krijuar hyjnisht, autorizuar hyjnisht, filluar hyjnisht dhe shuguruar hyjnisht nga Perëndia”8. Presidenti Jozef Filding Smith u tha motrave se atyre u “ishte dhënë fuqi dhe autoritet për të bërë gjëra shumë të mëdha”9. Ai tha: “Ju jeni anëtare të organizatës më të madhe të grave në botë, një organizatë që është pjesë jetësore e mbretërisë së Perëndisë në tokë dhe që është hartuar e vënë në funksionim në mënyrë të tillë që të ndihmojë anëtaret e saj besnike për të fituar jetë të përjetshme në mbretërinë e Atit tonë”10.

Një Fushë e Gjerë Ndikimi

Çdo vit, qindra mijëra gra dhe të reja bëhen pjesë e kësaj “shoqërie motrash”11 gjithmonë në zgjerim. Pasi bëhet anëtare, kudo që një motër të jetojë e të shërbejë, ajo e ruan anëtarësinë e saj dhe shoqërimin në Shoqatën e Ndihmës12. Për shkak të qëllimeve të rëndësishme të Shoqatës së Ndihmës, Presidenca e Parë ka shprehur dëshirën që të rejat ta fillojnë përgatitjen e tyre për Shoqatën e Ndihmës shumë më parë se të mbushin 18 vjeç13.

Shoqata e Ndihmës nuk është një program. Ajo është një pjesë zyrtare e Kishës së Zotit që është “shuguruar hyjnisht nga Perëndia” për të dhënë mësim, forcuar e frymëzuar motrat në qëllimin e tyre në lidhje me besimin, familjen dhe ndihmën. Shoqata e Ndihmës është një mënyrë jetese për gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme dhe ndikimi i saj shtrihet shumë më larg se një orë mësimore të dielën apo një mbledhje shoqërore. Ajo ndjek modelin e besimtareve që shërbyen me Zotin Jezu Krisht dhe Apostujt e Tij në Kishën e Tij të hershme14. Neve na është mësuar se “është një detyrim për një grua që t’i bëjë pjesë të jetës së saj virtytet që ushqehen nga Shoqata e Ndihmës, pikërisht siç është një detyrim për burrat që të ndërtojnë në jetën e tyre modelet e karakterit që ushqehen nga priftëria”15.

Kur Profeti Jozef Smith organizoi Shoqatën e Ndihmës, ai u mësoi motrave se ato duhet të “lehtësonin të varfrit” dhe të “shpëtonin shpirtra”16. Në detyrën e tyre për të “shpëtuar shpirtra”, motrat u autorizuan të organizojnë e të marrin pjesë në një fushë të gjerë ndikimi. Presidentja e parë e Shoqatës së Ndihmës u veçua për të shpjeguar shkrimet e shenjta dhe Shoqata e Ndihmës ende mbart një përgjegjësi thelbësore për mësimdhënie në Kishën e Zotit. Kur Jozef Smithi u tha motrave se organizata e Shoqatës së Ndihmës do t’i përgatiste ato për “privilegjet, bekimet dhe dhuratat e priftërisë”17, puna e Zotit për shpëtim iu shpjegua atyre. Shpëtimi i shpirtrave përfshin ndarjen e ungjillit dhe pjesëmarrjen në punën misionare. Ai përfshin angazhimin në punën në tempull dhe për historinë e familjes. Ai përfshin bërjen e çdo gjëje të mundur për t’u bërë e mbështetur te vetja shpirtërisht dhe materialisht.

Plaku Xhon A. Uidso deklaroi se Shoqata e Ndihmës ofron “lehtësim të varfërisë, lehtësim të sëmundjes, lehtësim të dyshimit, lehtësim të padijes – lehtësim nga gjithçka që frenon gëzimin dhe përparimin e gruas. Çfarë porosie madhështore!”18

Presidenti Bojd K. Paker e ka krahasuar Shoqatën e Ndihmës me “një mur mbrojtës”19. Përgjegjësia për të mbrojtur motrat dhe familjet e tyre e rrit rëndësinë e vëzhgimit ruajtës e të shërbesës së mësueseve vizitore dhe është një tregues i gatishmërisë sonë për të kujtuar besëlidhjet tona me Zotin. Si “shërbestare për nevojtarët dhe të pikëlluarit”, ne punojmë bashkë me peshkopët për t’u kujdesur për nevojat materiale dhe shpirtërore të shenjtorëve20.

Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Ka shumë motra që po jetojnë në zhele – zhele shpirtërore. Ato kanë të drejtën për mantele të mrekullueshme, mantele shpirtërore. … Është privilegji juaj që të shkoni nëpër shtëpi dhe t’i shkëmbeni zhelet me mantele.”21 Presidenti Harold B. Li tregoi këtë vizion. Ai tha: “A nuk mund ta kuptoni se përse Zoti ia ka dhënë përgjegjësinë … Shoqatës së Ndihmës që të vizitojë këto shtëpi? Sepse përveç vetë Mësuesit, nuk ka të tjerë në Kishë që të kenë një ndikim më të dashur, një kuptueshmëri më të plotë të zemrës dhe të jetës së këtyre individëve.”22

Presidenti Jozef F. Smith i paralajmëroi motrat e Shoqatës së Ndihmës dhe udhëheqëset e tyre, duke thënë se ai nuk dëshironte “të shihte kohën kur Shoqatat tona të Ndihmës do të pasonin, ose do të përziheshin dhe do ta humbisnin vetë identitetin e tyre duke u përzier me … organizata të krijuara nga gratë”. Ai priste që motrat “ta udhëheqin botën dhe … veçanërisht gratë e botës, në gjithçka që është e denjë për t’u lavdëruar, gjithçka që është si Perëndia, gjithçka që është lartësuese dhe që është dëlirësuese për fëmijët e njerëzve”23. Këshilla e tij thekson detyrën për të larguar traditat, motivet, modat e tendencat dhe për të përfshirë praktika që janë në harmoni me qëllimet e Shoqatës së Ndihmës.

Udhëheqëset që kërkojnë zbulesë, mund të sigurojnë se çdo mbledhje, mësim, orë mësimore, aktivitet dhe përpjekje e Shoqatës së Ndihmës të përmbushë qëllimet për të cilat ajo u organizua. Shoqërimi, miqësia dhe uniteti që dëshirojmë, do të jenë rezultatet e ëmbla të shërbimit së bashku me Zotin në punën e Tij.

Përmbushja e Vizionit të Profetëve

Presidenti Tomas S. Monson dhe këshilltarët e tij kohët e fundit kanë dëshmuar se “Zoti e ka rivendosur plotësinë e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe se Shoqata e Ndihmës është një pjesë e rëndësishme e asaj rivendosjeje”. Si provë e dëshirës së tyre që ajo “trashëgimi e lavdishme” e Shoqatës së Ndihmës të ruhet, Presidenca e Parë botoi dhe shpërndau kohët e fundit në mbarë botën librin Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Vepra e Shoqatës së Ndihmës]. Në faqet e këtij libri, ne mund të gjejmë modelet dhe shembujt e motrave dhe vëllezërve që punojnë në bashkëpjesëmarrje në familje dhe në Kishë, dhe mund të mësojmë parimet mbi atë se cilat jemi, çfarë besojmë dhe çfarë duhet të mbrojmë. Presidenca e Parë na ka nxitur që ta studiojmë këtë libër të rëndësishëm dhe që “t’i lejojmë të vërtetat e tij të përjetshme dhe shembujt e tij frymëzues të ndikojnë në jetën [tonë]”24.

Ndërsa motrat harmonizohen më shumë me qëllimet e Shoqatës së Ndihmës, vizioni i profetëve do të përmbushet. Presidenti Kimball tha: “Ka një fuqi në këtë organizatë [të Shoqatës së Ndihmës] që nuk është ushtruar ende plotësisht, për të forcuar shtëpitë e Sionit dhe për të ndërtuar Mbretërinë e Perëndisë – dhe as nuk do të ushtrohet derisa edhe motrat edhe priftëria të rrokin vizionin e Shoqatës së Ndihmës”25. Ai profetizoi se “shumica e rritjes më të madhe që po i vjen Kishës në kohët e fundit, do të vijë sepse shumë prej grave të mira të botës (në të cilat shpesh ka … një ndjesi të brendshme shpirtshmërie) do të tërhiqen në Kishë në numër të madh. Kjo do të ndodhë në atë masë që gratë e Kishës … të shihen si të dalluara e të ndryshme – në mënyra të lumtura – nga gratë e botës.”26

Unë jam mirënjohëse për vizionin e profetëve lidhur me Shoqatën e Ndihmës. Unë, ashtu si Presidenti Gordon B. Hinkli, “jam [e] bindur se nuk ka askund ndonjë organizatë që të barazohet me Shoqatën e Ndihmës së kësaj Kishe”27. Është përgjegjësia jonë tani që të rreshtohemi me vizionin e profetëve në lidhje me Shoqatën e Ndihmës ndërsa përpiqemi të rrisim besimin, forcojmë familjet dhe sigurojmë ndihmë.

Po e mbyll me fjalët e Presidentit Lorenco Snou: “E ardhmja e Shoqatës [së Ndihmës] është plot me premtim. Ndërsa Kisha rritet, Shoqata do të bëhet më gjerësisht e dobishme dhe do të jetë edhe më e fuqishme për mirë sesa ka qenë në të shkuarën.”28 Motrave që ndihmojnë në përparimin e mbretërisë së Perëndisë, ai u tha: “Meqenëse keni marrë pjesë në këto punë, me shumë siguri po ashtu do të merrni pjesë në triumfin e veprës dhe në ekzaltimin e lavdinë që Zoti do t’u japë fëmijëve të Tij besnikë”29. Për këtë vizion unë gjithashtu jap dëshmi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Xhuli B. Bek, “Plotësimi i Qëllimit të Shoqatës së Ndihmës”, Liahona, nëntor 2008, f. 108–111.

  2. Shih Julie B. Beck, BYU Women’s Conference address (29 prill 2011), http://ce.byu.edu/cw/womensconference/archive/2011/pdf/JulieB_openingS.pdf; Xhuli B. Bek, “Ajo çka Unë Shpresoj se Mbesat e Mia (dhe Nipërit e Mi) do të Kuptojnë rreth Shoqatës së Ndihmës”, Liahona, nëntor 2011, f. 109–113; Xhuli B. Bek, “Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë”, Liahona, nëntor 2009, f. 110–114.

  3. Shih Julie B. Beck, “Why We Are Organized into Quorums and Relief Societies” (Brigham Young University devotional address, 17 janar 2012), speeches.byu.edu.

  4. Ky mesazh nuk është një këqyrje gjithëpërfshirëse e të gjitha deklaratave profetike në lidhje me Shoqatën e Ndihmës. Është vetëm një model i vizionit dhe drejtimit të tyre. Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society, raportet e konferencave dhe botime të tjera të Kishës përmbajnë më shumë mësime mbi këtë temë.

  5. Joseph Smith, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 13.

  6. Joseph Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 15.

  7. Brigham Young, në Daughters in My Kingdom, f. 41.

  8. Joseph F. Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 65–66.

  9. Joseph Fielding Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 142.

  10. Joseph Fielding Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 97.

  11. Boyd K. Packer, në Daughters in My Kingdom, f. 85.

  12. Shih Boyd K. Packer, “The Circle of Sisters”, Ensign, nëntor 1980, f. 110.

  13. Shih First Presidency letters, 19 mars 2003 dhe 23 shkurt 2007.

  14. Shih Daughters in My Kingdom, f. 3–6.

  15. Boyd K. Packer, në Daughters in My Kingdom, f. 16.

  16. Joseph Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 17.

  17. Joseph Smith, në History of the Church, 4:602.

  18. John A. Widtsoe, në Daughters in My Kingdom, f. 25.

  19. Boyd K. Packer, Ensign, nëntor 1980, f. 110.

  20. Joseph Fielding Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 142.

  21. Spencer W. Kimball, në Daughters in My Kingdom, f. 117.

  22. Harold B. Lee, “The Place of Relief Society in the Welfare Plan”, Relief Society Magazine, dhjetor 1946, f. 842.

  23. Joseph F. Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 66.

  24. The First Presidency, në Daughters in My Kingdom, f. ix.

  25. Spencer W. Kimball, në Daughters in My Kingdom, f. 142.

  26. Spencer W. Kimball, në Daughters in My Kingdom, f. 95.

  27. Gordon B. Hinckley, në Daughters in My Kingdom, f. 160.

  28. Lorenzo Snow, në Daughters in My Kingdom, f. 19.

  29. Lorenzo Snow, në Daughters in My Kingdom, f. 7.