Plaku Riçard J. Meinis
i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve
“Çdo person kudo në botë është fëmijë i Perëndisë dhe Ai i do të gjithë fëmijët e Tij njëlloj”, tha Plaku Riçard Xhon Meinis, i sapothirrur në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve. Ai tha se ky është parimi i parë i ungjillit që i vjen në mendje ndërsa reflekton mbi shërbimin e tij gjithëpërfshirës ndërkombëtar, duke përfshirë detyrat në Uruguai, Paraguai, Meksikë, Ekuador, Peru dhe Filipine.
“Bekimet e përjetshme që vijnë nga pranimi dhe më pas të jetuarit e parimeve që Jezu Krishti dha mësim, përfundimisht do t’i ekzaltojnë të gjithë fëmijët e Atit Qiellor, pavarësisht ku jetojnë ose çfarë sfidash përballojnë në këtë gjendje prove”, shtoi ai.
Plaku Meinis, lindur në tetor 1950 në Berkelei të Kalifornisë në SHBA, nga Sten dhe Beti Meinis, filloi shërbimin e tij ndërkombëtar në vitin 1969 kur shërbeu në një mision kohëplotë në Paraguai dhe Uruguai deri në vitin 1971.
Në gusht të 1974-ës, ai u martua në Tempullin e Mantit të Jutas me Nensi Puringtonin, të cilën e takoi ndërsa po punonte në një vend pushimi në Ajdaho. Ata kanë katër fëmijë.
Plaku Meinis u diplomua po atë vit në Universitetin “Brigam Jang” për administrim biznesi dhe më vonë mori masterin për administrim biznesi [MBA] nga Thunderbird School of Global Management. Ai e kaloi karrierën e tij si pronar dhe kryenëpunës ekzekutiv [CEO] i një kompanie të specializuar për automatizimin industrial.
Plaku Meinis shërbeu si president i Misionit të Meksikës, Monterei nga viti 1989 deri në vitin 1992. Ai u thirr si Autoritet i Përgjithshëm në 1997-ën. Qysh atëherë ai ka shërbyer në presidencat e Zonës Veriperëndimore të Amerikës së Jugut, Zonës Perëndimore të Amerikës së Jugut dhe të Filipineve. Ai gjithashtu ka shërbyer në Këshillin Ekzekutiv të Priftërisë së Kishës, si Ndihmësdrejtor Ekzekutiv në Departamentin e Misionarëve dhe si Drejtor Ekzekutiv në Departamentin e Historisë së Familjes.
Më 20 janar të 2012-ës, ai u thirr për të shërbyer në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, duke pasuar Plakun Stiven E. Snou, i cili u thirr si Historiani dhe Dokumentuesi i Kishës.