Shpallen Fituesit e Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit, Hapet Ekspozita
Ditën e premte, më 16 mars 2012, në hapjen e ekspozitës së Nëntë të Konkursit Ndërkombëtar të Artit, artistë anekënd botës u mblodhën të pranojnë çmimet për punimet e tyre artistike me tema shdm.
Çmimet për Meritë iu dhanë 20 artistëve, veprat e të cilëve u vlerësuan si “të shquara”, ndërsa 15 artistë të tjerë fituan Çmimin e Blerjes, që do të thotë se Muzeu i Historisë së Kishës, që sponsorizon konkursin, e mori veprën për koleksionin e tij.
Plaku Marlin K. Xhensen i Të Shtatëdhjetëve, Historiani dhe Dokumentuesi i Kishës, mori pjesë dhe bëri një deklarim të shkurtër përpara se të prezantoheshin çmimet.
Ekspozita e artit u hap më 16 mars 2012 dhe vazhdon deri më 14 tetor 2012, në Muzeun e Historisë së Kishës në Solt-Lejk-Siti të Jutas në SHBA.
Konkursi i këtij viti, Make Known His Wonderful Works [I Bëni të Njohura Veprat e Tij të Mrekullueshme] (DeB 65:4), tërhoqi 1.149 hyrje nga e gjithë bota me një shumëllojshmëri mjetesh, përshirë skulptura, jorganë dhe tekstile të tjera, vepra artistike në letër dhe piktura. Muzeu do të paraqesë 198 prej veprave.
Sipas Rita R. Raitit, Përgjegjëse e Artit dhe e Mjeshtërive të muzeut, hyrjet janë gjykuar sipas meritave artistike dhe pajtueshmërisë tematike. Veprat pasqyrojnë një shumëllojshmëri mjetesh dhe traditash kulturore që japin dëshmi për veprat e madhërishme të Zotit, tha ajo, dhe shpesh përdorin simbole për të paraqitur dhe për të udhëzuar.
Për shembull, Tempulli i Kievit në Ukrainë i Valentina Musijenkos, ukrainase vendase, që fitoi një Çmim të Blerjes, rikrijon në letër me ngjyra disa simbole që gjenden në tempull.
Brendon Daniel Harti – një fitues i Çmimit për Meritë nga Alberta e Kanadasë – përdor një portret me bojë vaji të stërgjyshes së tij (Matriarka) si përfaqësim i historisë së familjes dhe lidhjeve ndërbreznore.
Aleksandra Gomez Çavez nga Bogota e Kolumbisë, tha se konkursi është një mënyrë për të dhënë dëshmi. Ajo krijoi veprën e saj fituese të Çmimit për Meritë, Living Waters [Ujërat e Gjallë], me ndihmën e të ëmës, që ndërroi jetë pak para se të hapej ekspozita.
“Njerëzit që e shohin këtë vepër arti … do të shohin dëshminë se Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij janë burim i ujërave të gjallë”, tha ajo. “Në këtë vepër ata do të shohin të gjithë dashurinë të cilën një nënë ua mëson fëmijëve të saj, sepse kjo nënë merr shtambën dhe i mëson të bijës që të japë mësim ungjillin.”
Hyrja në ekspozitë është falas dhe përkrahësit e arteve nxiten t’i sjellin familjet e tyre. Ata mund të votojnë për veprën e tyre të preferuar dhe në shtator do të jepen gjashtë Çmime të Zgjedhura nga Vizitorët, bazuar në votat e përkrahësve të arteve.
Shpejt, individët do të jenë në gjendje të shohin intervistat në anglisht me 11 artistë të ndryshëm të përfshirë në konkurs në faqen e internetit të Historisë së Kishës. Videot gjithashtu do të shfaqen në muze.
Muzeu i Historisë së Kishës gjithashtu po përgatit një ekspozitë në internet në history.lds.org/artcompetition.
Për më shumë informacion mbi ekspozitën, vizitoni history.lds.org ose telefononi në nr. 801-240-4615.