2012
Të Vijmë në Vete: Sakramenti, Tempulli dhe Sakrifica e Shërbimit
Maj 2012


Të Vijmë në Vete: Sakramenti, Tempulli dhe Sakrifica e Shërbimit

Plaku Robert D. Hejls

Ne kthehemi në besim dhe bëhemi shpirtërisht të mbështetur te vetja kur i jetojmë me lutje besëlidhjet tona.

Shpëtimtari u tregoi dishepujve të Tij për një djalë që e la të atin e tij të pasur, shkoi në një vend të largët dhe e shpenzoi më kot trashëgiminë e tij. Kur ra një zi buke, i riu pranoi punën e përulur të të ushqyerit të derrave. Ai qe kaq i uritur, saqë dëshironte të hante lendet që ishin për derrat.

Larg nga shtëpia, larg nga vendi ku dëshironte të ishte dhe në gjendjen e tij të mjeruar, ndodhi diçka me rëndësi të përjetshme në jetën e këtij të riu. Në fjalët e Shpëtimtarit “[ai] erdhi në vete”1. Ai kujtoi kush ishte, e kuptoi se çfarë kishte humbur dhe filloi të dëshironte bekimet që mund t’i merrte bujarisht në shtëpinë e atit të tij.

Gjatë jetës sonë, qoftë nëse jemi në kohë errësire, sfide, hidhërimi apo mëkati, ne mund të ndiejmë Frymën e Shenjtë që na kujton se jemi me të vërtetë bijtë e bijat e një Ati të Dashur Qiellor, i cili na do dhe ne i dëshirojmë fort bekimet e shenjta që vetëm Ai mund të na i japë. Në kohë të tilla, ne duhet të mundohemi të vijmë në vete dhe të kthehemi në dritën e dashurisë së Shpëtimtarit tonë.

Këto bekime u takojnë me të drejtë të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Dëshirimi i këtyre bekimeve, duke përfshirë një jetë me gëzim e lumturi, është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për secilin prej nesh. Profeti Alma dha mësim: “Edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju”2.

Ndërsa dëshirat tona shpirtërore shtohen, ne bëhemi shpirtërisht të mbështetur te vetja. Atëherë, si e ndihmojmë veten dhe familjet tona që ta shtojmë dëshirën tonë për të ndjekur Shpëtimtarin dhe për të jetuar ungjillin e Tij? Si e forcojmë dëshirën tonë për t’u penduar, për t’u bërë të denjë dhe për të duruar deri në fund? Si i ndihmojmë të rinjtë dhe të rriturit tanë në moshë madhore që t’i lejojnë këto dëshira të veprojnë në ta derisa të kthehen në besim dhe të bëhen “shenjtor[ë] [të vërtetë] nëpërmjet shlyerjes së Krishtit”?3

Ne kthehemi në besim dhe bëhemi shpirtërisht të mbështetur te vetja kur i jetojmë me lutje besëlidhjet tona – nëpërmjet marrjes së sakramentit denjësisht, të qenit të denjë për një rekomandim tempulli dhe duke sakrifikuar për t’u shërbyer të tjerëve.

Me qëllim që ta marrim sakramentin denjësisht, ne kujtojmë se po rinovojmë besëlidhjen që bëmë në pagëzim. Në mënyrë që sakramenti të jetë një përvojë për pastrimin shpirtëror çdo javë, duhet ta përgatisim veten përpara se të vijmë në mbledhjen e sakramentit. Ne e bëjmë këtë duke i lënë qëllimisht prapa punën e përditshme e kohën e lirë dhe duke i hequr nga mendja mendimet e shqetësimet e botës. Ndërsa e bëjmë këtë, ne bëjmë vend për Frymën e Shenjtë në mendjen dhe zemrën tonë.

Pastaj jemi të përgatitur për të medituar mbi Shlyerjen. Më shumë se sa thjesht të menduarit rreth fakteve të vuajtjes dhe vdekjes së Shpëtimtarit, meditimi ynë na ndihmon që ta kuptojmë se nëpërmjet sakrificës së Shpëtimtarit, ne kemi shpresën, mundësinë dhe forcën për të bërë ndryshime të vërteta e të sinqerta në jetën tonë.

Ndërsa këndojmë himnin e sakramentit, marrim pjesë në lutjet e sakramentit dhe marrim emblemat e mishit dhe gjakut të Tij, kërkojmë falje në lutje për mëkatet e të metat tona. Ne mendojmë rreth premtimeve që bëmë dhe mbajtëm gjatë javës së kaluar, dhe bëjmë zotime vetjake të posaçme për ta ndjekur Shpëtimtarin gjatë javës vijuese.

Prindër dhe udhëheqës, ju mund t’i ndihmoni të rinjtë të përjetojnë bekimet e pakrahasueshme të sakramentit duke u siguruar atyre mundësi të veçanta për të mësuar, diskutuar e zbuluar rëndësinë e Shlyerjes në jetën e tyre. Le t’i hetojnë shkrimet vetë dhe t’i japin mësim njëri-tjetrit nga përvojat e tyre vetjake.

Baballarët, udhëheqësit e priftërisë dhe presidencat e kuorumeve kanë një përgjegjësi të veçantë për t’i ndihmuar mbajtësit e Priftërisë Aarone që të përgatiten me zell për të kryer detyrat e tyre të shenjta të sakramentit. Kjo përgatitje bëhet duke i jetuar standardet e ungjillit gjatë javës. Kur të rinjtë e përgatisin, e bekojnë dhe e shpërndajnë sakramentin me denjësi dhe nderim, ata e ndjekin vërtet shembullin e Shpëtimtarit te Darka e Fundit4 dhe bëhen si Ai.

Unë dëshmoj se sakramenti na jep një mundësi për të ardhur në vete dhe për të përjetuar një “ndryshim [të] madh” të zemrës5 – për të kujtuar cilët jemi dhe atë që dëshirojmë më shumë. Kur e rinovojmë besëlidhjen për t’i mbajtur urdhërimet, fitojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë që të na drejtojë për t’u kthyer në praninë e Atit tonë Qiellor. Nuk është çudi që urdhërohemi që të “mblidhe[mi] shpesh së bashku [që] të [marrim] bukë dhe [ujë]”6 dhe që të marrim sakramentin e shpirtrave tanë.7

Përveç sakramentit, dëshira jonë për t’u kthyer tek Ati Qiellor shtohet ndërsa bëhemi të denjë për të marrë një rekomandim tempulli. Ne bëhemi të denjë duke iu bindur me qëndrueshmëri urdhërimeve. Kjo bindje fillon në fëmijëri dhe rritet gjatë përvojave në Priftërinë Aarone dhe te Të Rejat gjatë viteve të përgatitjes. Pastaj, shpresojmë, priftërinjtë dhe Dafinat vendosin synime dhe e përgatisin veten posaçërisht për të marrë indaumentin dhe për t’u vulosur në tempull.

Cilat janë standardet për mbajtësit e rekomandimeve? Psalmisti na kujton:

“Kush do t’i ngjitet malit të Zotit?” ose “Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra.”8

Denjësia për të mbajtur një rekomandim tempulli na jep forcë për t’i mbajtur besëlidhjet tona të tempullit. Si e fitojmë atë forcë për veten tonë? Ne mundohemi të fitojmë një dëshmi për Atin Qiellor, Jezu Krishtin, Frymën e Shenjtë, realitetin e Shlyerjes dhe vërtetësinë e Profetit Jozef Smith dhe të Rivendosjes. Ne i mbështesim udhëheqësit tanë, i trajtojmë familjet tona me mirësi, qëndrojmë si dëshmitarë të Kishës së vërtetë të Zotit, marrim pjesë në mbledhjet e Kishës, i nderojmë besëlidhjet tona, i përmbushim detyrimet prindërore dhe jetojmë një jetë të virtytshme. Ju mund të thoni se kjo tingëllon si thjesht të jesh një shenjtor besnik i ditëve të mëvonshme! Ju keni të drejtë. Standardi për mbajtësit e rekomandimeve të tempullit nuk është shumë i lartë për t’u arritur prej nesh. Është thjesht të jetojmë besnikërisht ungjillin dhe të ndjekim profetët.

Më pas, si mbajtës të rekomandimeve të tempullit që kanë marrë indaumentin, ne vendosim modele të të jetuarit si Krishti. Këto modele përfshijnë bindjen, bërjen e sakrificave për të mbajtur urdhërimet, dashurinë për njëri-tjetrin, të qenit të dëlirë në mendim e veprim dhe përkushtimin e vetes për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe zbatimit të këtyre modeleve themelorë të besnikërisë, ne marrim “fuqi nga lart”9 për të përballuar sfidat e jetës. Ne kemi nevojë sot më shumë se kurrë për këtë fuqi hyjnore. Ajo është fuqi që e marrim vetëm përmes ordinancave të tempullit. Unë dëshmoj se ia vlen çdo përpjekje e çdo sakrificë që bëjmë për të marrë ordinancat e tempullit.

Ndërsa shtohet dëshira jonë për të mësuar e për ta jetuar ungjillin, kërkojmë në mënyrë të natyrshme që t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Shpëtimtari i tha Pjetrit: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”10. Më ka lënë shumë mbresa fakti që të rinjtë sot kanë një dëshirë të thellë për t’u shërbyer e për të bekuar të tjerët – për të bërë një ndryshim në këtë botë. Ata gjithashtu e dëshirojnë skajshëm gëzimin që sjell shërbimi.

Megjithatë, është e vështirë për të rinjtë që të kuptojnë se si veprimet që bëjnë tani, do t’i përgatisin ose do t’i përjashtojnë ata nga mundësitë për shërbim në të ardhmen. Të gjithë ne kemi një “detyrë [të] menjëhershme”11 për t’i ndihmuar të rinjtë tanë në përgatitjen për shërbim gjatë gjithë jetës duke i ndihmuar ata të bëhen të mbështetur te vetja. Përveç mbështetjes shpirtërore te vetja për të cilën kemi diskutuar, është dhe mbështetja materiale te vetja, që përfshin shkollim shtesë ose profesional pas diplomimit në shkollën e mesme, të mësuarit për të punuar dhe të kursyerit. Duke e shmangur borxhin dhe duke ruajtur pará tani, ne përgatitemi për shërbim me kohë të plotë në Kishë në të ardhmen. Qëllimi i mbështetjes materiale dhe shpirtërore te vetja është që ta sigurojmë veten shpirtërisht dhe materialisht, në mënyrë që t’i ndihmojmë dhe të tjerët që janë në nevojë.

Qoftë nëse jemi të rinj apo të vjetër, ajo që bëjmë në të tashmen përcakton shërbimin që do të jemi në gjendje të japim e të gëzojmë në të ardhmen. Dikur një poet tha: “Nga të gjitha fjalët e trishta të gjuhës apo penës, më të trishtat janë këto: ‘Ah sikur!’”12 Le të mos e jetojmë jetën tonë duke u penduar për atë që bëmë apo nuk bëmë!

Të dashur vëllezër dhe motra, i riu për të cilin foli Shpëtimtari, ai të cilin e quajmë djali plangprishës, u kthye në shtëpi. I ati nuk e kishte harruar; i ati po e priste. Dhe “kur [i biri] ishte ende larg, i ati e pa dhe pati dhembshuri; u lëshua vrap, dhe … e puthi”13. Në nder të kthimit të të birit, ai kërkoi t’i sillnin një rrobë, një unazë dhe të bënin një festë me një viç të majmur14 – kujtues të faktit se asnjë bekim nuk do të na mohohet nëse durojmë besnikërisht në zbatimin e urdhërimeve, që të kthehemi tek Ati ynë Qiellor.

Me dashurinë e Tij dhe dashurinë e Birit të Tij në zemrën time, unë e sfidoj secilin prej nesh që të ndjekë dëshirat e tij/saj shpirtërore dhe të vijë në vete. Bëni një bisedë me veten duke u parë në pasqyrë dhe pyesni: “Ku jam në të jetuarin sipas besëlidhjeve të mia?” Ne jemi në shtegun e duhur kur mundemi të themi: “Unë e marr denjësisht sakramentin çdo javë dhe jam i/e denjë për të mbajtur një rekomandim tempulli, dhe sakrifikoj për të shërbyer e për t’i bekuar të tjerët”.

Unë jap dëshminë time të veçantë se Perëndia e do kaq shumë çdonjërin prej nesh “sa dha Birin e tij të vetëmlindurin”15 që të shlyente për mëkatet tona. Ai na njeh dhe na pret, madje edhe kur jemi shpirtërisht larg prej Tij. Ndërsa veprojmë mbi dëshirat tona dhe vijmë në vete, ne do të jemi të “rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij”16 dhe të mirëpritur në shtëpi. Kështu dëshmoj, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.