2012
Mbledhjet për Trajnimin e Organizatave Ndihmëse të Mbajtura në Solt-Lejk-Siti, të Paraqitura në Internet
Maj 2012


Mbledhjet për Trajnimin e Organizatave Ndihmëse në Internet në Anglisht dhe Spanjisht

Për t’i ndihmuar udhëheqësit që të mësojnë detyrat e tyre dhe për të paraqitur materiale burimore që mund të përdoren për trajnimin e udhëheqjes së priftërisë dhe të organizatave ndihmëse, presidencat e përgjithshme të katër organizatave ndihmëse të Kishës mbajtën trajnime për udhëheqësit e organizatave ndihmëse të kunjeve dhe të lagjeve në fund të marsit. (Trajnimi për udhëheqësit e Të Rinjve do të mbahet më 10 maj.) Transmetimet në internet, si drejtpërdrejt ashtu dhe sipas kërkesës, ofrohen ose do të ofrohen për të pesta organizatat ndihmëse në anglisht dhe spanjisht. Një përmbledhje e katër sesioneve të trajnimit të mbajtura në mars ofrohet këtu për ata që nuk kanë mundësi hyrjeje.

Fillorja

Qëllimi i Fillores është t’i ndihmojë fëmijët gjatë shtegut të kthimit në besim, tha Rozmari M. Uiksom, presidente e përgjithshme e Fillores, gjatë trajnimit të organizatave ndihmëse për udhëheqëset e Fillores më 28 dhe 29 mars.

“Ne dëshirojmë [që fëmijët e Fillores] të ndiejnë, të duan, të veprojnë”, tha ajo. “Ne duam që ata të kenë një dëshmi. … Dëshmia do të thotë deklarim. Ne dëshirojmë të shkojmë një hap më tej. Kthimi në besim do të thotë të veprosh. Ne dëshirojmë që këta fëmijë të kenë e të ndiejnë farat e kthimit në besim në jetën e tyre.”

Motra Uiksom dhe këshilltaret e saj, Xhin A. Stivens dhe Sheril A. Esplin, u thanë udhëheqëseve të Fillores së lagjeve dhe të kunjeve se ato mund t’i ndihmojnë prindërit në mbjelljen e këtyre farave të kthimit në besim. Motra Uiksom tha se procesi i kthimit në besim fillon në moshë shumë të re. “Ai fillon në mënyrë ideale në shtëpi, ku prindërit e duan Zotin me gjithë zemrën e tyre, me gjithë shpirtin e tyre dhe me gjithë fuqinë e tyre. Dhe më pas ata u japin mësim fëmijëve të tyre.”

Ajo tha se fëmijët do ta kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh i kthyer në besim “vetëm nëse gjejmë kohë për t’i mësuar ata”. Dhe, shtoi ajo, nëse prindërit dhe udhëheqëset e Fillores nuk i mësojnë ata, “bota do t’i mësojë”.

Edhe anëtaret e bordit të përgjithshëm të Fillores dhanë paraqitje mbi përdorimin e muzikës për të dhënë mësim parimet e ungjillit dhe mbi burimet për udhëheqëset e Fillores që gjenden te LDS.org.

Shoqata e Ndihmës

“Ju drejtoni një punë të madhërishme!” u tha Xhuli B. Bek, që u lirua si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës në sesionin e pasdites të së shtunës të konferencës, udhëheqëseve të Shoqatës së Ndihmës gjatë një sesioni të trajnimit të organizatave ndihmëse më 27 dhe 28 mars. “Kjo është puna e Zotit. … Ne kemi përgjegjësi me rëndësi të madhe.”

Motra Bek iu drejtua shumë temave, përfshirë qëllimeve të Shoqatës së Ndihmës, rolit të rëndësishëm që luajnë gratë në familjen e tyre, mësimdhënies (veçanërisht për motrat e reja të Kishës), punës në komunitet dhe parimeve të udhëheqjes.

Kapuni pas gjërave themelore, tha Motra Bek. “Është një punë e thjeshtë dhe më pas Zoti i nxjerr në pah idetë. Nëse zbulojmë se çfarë duhet të bëjmë, Ai do të na ndihmojë të kalojmë nga zbulesa në zbatim. Ne do të marrim zbulesë përgjatë gjithë rrugës.”

Në të gjithë mësimdhënien e tyre, presidenca dhe anëtaret e bordit të përgjithshëm të Shoqatës së Ndihmës u përqendruan në kërkimin e përgjigjeve te Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës] si dhe te Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës].

Shkolla e së Dielës

Biblioteka e Trajnimit të Udhëheqjes, një paraqitje e re në LDS.org, ishte dukshëm në qendër të vëmendjes në mbledhjen e trajnimit të udhëheqjes së organizatave ndihmëse të Shkollës të së Dielës të mbajtur më 28 mars.

Nga biblioteka u treguan pjesë të videove të ndryshme të shkurtra për të mbështetur diskutimin e asaj që Rasëll T. Osguthorp, presidenti i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, përvijoi si katër temat kryesore në mbledhje:

  • Roli i udhëheqësit të Shkollës të së Dielës të lagjes apo të kunjit.

  • Si t’i ndihmojmë të tjerët të kuptojnë rolin e presidencës së Shkollës të së Dielës në përmirësimin e mësimdhënies në të gjitha organizatat e lagjes dhe të kunjit.

  • Si të këshillohemi së bashku si presidencë me më shumë efektivitet.

  • Si t’i orientojmë mësuesit dhe t’u ofrojmë mbështetje të vazhdueshme efektive.

“Biblioteka e Trajnimit të Udhëheqjes, do ta shihni, do të jetë një nga mjetet më të rëndësishëm që ju keni për të ndihmuar në trajnimin e anëtarëve të organizatave të tjera ndihmëse dhe të Shkollës të së Dielës në përgjegjësitë e tyre”, tha Dejvid M. Mek-Konki, këshilltar i parë në presidencën e përgjithshme të Shkollës të së Dielës. “Biblioteka u përgatit nga të gjitha organizatat ndihmëse në Kishë, nga anëtarë të Të Shtatëdhjetëve [dhe] nga anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ky është një projekt që ka vazhduar për shumë vite dhe ka përfshirë shumë kontinente.”

Mund të futesh te biblioteka në LDS.org duke klikuar fillimisht te Menu-ja te faqja kryesore dhe më pas duke klikuar te hallka lidhëse Leadership Training Library [Biblioteka e Trajnimit të Udhëheqjes] te kolona Service [Shërbimi].

Të Rejat

“Standardet nuk kanë ndryshuar, por bota po”, tha Elen S. Dalton, presidente e përgjithshme e Të Rejave, gjatë takimeve të trajnimit të organizatave ndihmëse të Të Rejave më 27 dhe 28 mars. Ajo i nxiti udhëheqëset për të “ndryshuar botën” duke qenë shembull i mirë i të jetuarit të një jete të virtytshme.

“Thirrjet tuaja nuk janë të rastësishme”, tha ajo. “Mënyra se si dukeni, visheni dhe buzëqeshni do të ndikojë te këto të reja … thjesht duke qenë me to dhe duke u dhënë mësim mbi gëzimin e të qenit grua dhe të të jetuarit të ungjillit. … Ne duhet të jemi të thjeshta. Ne duhet të jemi vigjilente. Ne duhet të japim mësim nëpërmjet shembullit dhe dashurisë së madhe.”

Këshilltaret në presidencën e përgjithshme të Të Rejave, Meri N. Kuk dhe En M. Dib, folën për rëndësinë e “lejimit të Dafinave [që] të drejtojnë”. Këshilltaret shfrytëzuan kampin e Të Rejave – që feston 100-vjetorin e tij këtë vit – si shembull i mundësisë së lejimit të Dafinave për të drejtuar, por thanë se ka mundësi të vazhdueshme për udhëheqëset që t’i shpërndajnë përgjegjësitë, duke i lejuar të rejat të përfshihen.

Folëset gjithashtu u përqendruan mbi shumë burime – faqe interneti, artikuj, video, manuale dhe versionin e ripunuar të broshurës për Forcën e Rinisë – që janë të disponueshme për udhëheqëset për t’i parë për ide dhe ndihmë.

Biblioteka e Trajnimit të Udhëheqjes ishte një temë në qendër të vëmendjes të mbledhjes së trajnimit të udhëheqjes së organizatave ndihmëse të Shkollës të së Dielës të mbajtur më 28 mars. Të gjitha organizatat e Shkollës të së Dielës, të Fillores, të Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave mbajtën sesione trajnimi individualisht dhe nëpërmjet internetit, vetëm pak para konferencës së përgjithshme të prillit. Organizata e Të Rinjve do ta mbajë trajnimin e saj më 10 maj.