2012
Besim, Qëndrueshmëri, Përmbushje: Një Mesazh Drejtuar Prindërve të Vetëm
Maj 2012


Besim, Qëndrueshmëri, Përmbushje: Një Mesazh Drejtuar Prindërve të Vetëm

Ju po mundoheni që t’i rrisni fëmijët tuaj në dritë e në të vërtetë, duke e ditur se megjithëse ju nuk mund ta ndryshoni të kaluarën, ju mund t’i jepni formë të ardhmes.

Plaku Dejvid S. Bakster

Mesazhi im është për prindërit që janë të vetëm në Kishë, shumica e të cilëve janë nëna të vetme – ju gra guximtare që, përmes rrethanave të ndryshme të jetës, po i rrisni fëmijët dhe po kujdeseni vetë për shtëpinë tuaj. Ndoshta jeni vejushë apo e divorcuar. Ju mund të jeni duke u përballur me sfidat e të qenit prind i vetëm si rezultat i shkeljes së Ligjit të Dëlirësisë përpara martese, por tani po jetoni në përputhje me parimet e ungjillit duke e ndryshuar jetën tuaj për mirë. Bekuar qofshi që shmangni atë lloj shoqërimi që do të vinte në dëm të virtytit dhe të dishepullimit. Ky do të ishte një çmim tepër i lartë për t’u paguar.

Edhe pse ndonjëherë mund të keni bërë pyetjen “Pse mua?” është nëpërmjet vështirësive të jetës që ne rritemi drejt perëndishmërisë ndërsa karakteri ynë formohet në provën e rëndë të pikëllimit, ndërsa ngjarjet e vështira ndodhin në jetë, sepse Perëndia nuk ndërhyn te liria e zgjedhjes së njerëzve. Ashtu siç komentoi Plaku Nil A. Maksuell, ne nuk mund ta kuptojmë arsyen pse gjërat janë ashtu siç janë sepse “ne nuk i kemi të gjitha faktet”1.

Cilatdo qofshin rrethanat tuaja ose arsyet përse i keni ato, ju jeni të mrekullueshme. Çdo ditë ju përballeni me mundimet e jetës, duke bërë punën që ishte caktuar të bëhej nga dy prindër, por ju më së shumti e bëni vetëm. Ju duhet të jeni edhe baba edhe nënë. Ju mbani shtëpinë, kujdeseni për familjen tuaj, ndonjëherë mundoheni që të keni mjaft para për të plotësuar nevojat tuaja dhe si për mrekulli gjeni edhe aftësinë për të shërbyer në Kishë në mënyra të rëndësishme. Ju i ushqeni fëmijët tuaj. Ju qani dhe luteni me ta e për ta. Ju dëshironi më të mirën për ta, por çdo natë shqetësoheni se më e mira që mund t’u jepni, mund të mos jetë kurrë e mjaftueshme.

Ndërkohë që nuk dëshiroj të flas tepër për veten, unë jam fryti i një shtëpie me një prind. Gjatë pjesës më të madhe të fëmijërisë sime dhe viteve të adoleshencës, nëna ime na rriti vetëm në kushte të mjeruara. Paraja ndahej me kujdes. Ajo u përball me një vetmi të brendshme, ndonjëherë e dëshpëruar për mbështetje e shoqëri. Prapëseprapë, pavarësisht gjithë kësaj, nëna ime kishte dinjitet, një forcë të jashtëzakonshme vendosmërie dhe një karakter të fortë tipik skocez.

Fatmirësisht, vitet e saj pasuese qenë më të bekuara se vitet e saj të hershme kur qe nënë e vetme. Ajo u martua me një të sapokthyer në besim, që ishte i ve; ata u vulosën në Tempullin e Londrës në Angli dhe pak pas kësaj, shërbyen atje si punonjës ordinancash. Ata qëndruan bashkë për pothuajse një çerek shekulli – të lumtur, të kënaqur dhe të përmbushur derisa ndërruan jetë.

Ka shumë prej jush, gra të mira të Kishës, anembanë botës, që përballen me rrethana të ngjashme dhe që tregojnë të njëjtën aftësi ripërtëritëse vit pas viti.

Kjo nuk është pikërisht ajo që ju shpresuat apo planifikuat, u lutët apo prisnit, kur nisët jetën vite më parë. Udhëtimi juaj përgjatë jetës ka pasur vështirësi dhe ndryshime të papritura, më së shumti, si rezultat i jetës në një botë të rënë që është caktuar të jetë një vend prove.

Ndërkohë, ju po mundoheni që t’i rrisni fëmijët tuaj në dritë e në të vërtetë, duke e ditur se megjithëse ju nuk mund ta ndryshoni të kaluarën, ju mund t’i jepni formë të ardhmes. Përgjatë rrugës ju do të merrni bekime shpërblyese, edhe pse ato nuk janë të dukshme menjëherë.

Me ndihmën e Perëndisë, ju nuk keni pse të frikësoheni nga e ardhmja. Fëmijët tuaj do të rriten dhe do t’ju shpallin të lumtura dhe çdonjëra prej arritjeve të tyre të shumta do të jetë një nderim për ju.

Ju lutemi, kurrë mos u ndieni sikur pozicioni juaj në Kishë është disi më i ulët se i të tjerëve apo që në një farë mënyre keni më pak të drejtë se të tjerët për bekimet e Zotit. Në mbretërinë e Perëndisë nuk ka qytetarë të klasit të dytë.

Ne shpresojmë se, kur të merrni pjesë në mbledhjet e Kishës dhe të shihni familje që duken të plota e të lumtura apo të dëgjoni dikë që të flasë për idealet e familjes, ju do të ndiheni të lumtura që jeni pjesë e një Kishe që vërtet përqendrohet te familjet dhe na mëson për rolin e tyre qendror në planin e Atit Qiellor për lumturinë e fëmijëve të Tij; që në mes të fatkeqësive botërore dhe kalbëzimit moral, ne kemi doktrinën, autoritetin, ordinancat dhe besëlidhjet që ofrojnë shpresën më të madhe për botën, duke përfshirë edhe lumturinë e ardhshme të fëmijëve tuaj dhe familjeve që ata do të krijojnë.

Në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në shtator të 2006–s, Presidenti Gordon B. Hinkli rrëfeu një përvojë të treguar nga një nënë e vetme, e divorcuar me shtatë fëmijë, që në atë kohë ishin nga mosha 7 deri në 16 vjeç. Ajo kishte shkuar matanë rrugës për t’i çuar diçka një fqinje. Ajo tha:

“Ndërsa po kthehesha për të shkuar në shtëpi, unë mund të shihja që dritat e shtëpisë sime ishin ndezur. Unë mund të kujtoja çfarë po më thoshin fëmijët ndërsa po dilja nga dera disa minuta më parë. Ata po thoshin: ‘Mami, çfarë do të hamë për darkë?’ ‘A mund të më çosh në bibliotekë?’ ‘Duhet të blej letër projekti sonte.’ E lodhur dhe e këputur, unë hodha sytë drejt asaj shtëpie dhe pashë dritë në secilën nga dhomat. Mendova për të gjithë ata fëmijë që po më prisnin të shkoja në shtëpi dhe t’u plotësoja nevojat. Barrat e mia m’u dukën më të rënda se sa mund të mbaja.

Më kujtohet se pashë drejt qiellit duke qarë dhe thashë: ‘Atë i dashur, unë thjesht nuk mund t’ia dal sonte. Jam shumë e lodhur. Nuk mund ta përballoj. Nuk mund të shkoj në shtëpi dhe të kujdesem e vetme për të gjithë ata fëmijë. A mund të vij tek Ti dhe të qëndroj me Ty vetëm për një natë? …’

Unë nuk i dëgjova në të vërtetë fjalët e përgjigjes, por i dëgjova në mendjen time. Përgjigjja ishte: ‘Jo, e vogla ime, ti nuk mund të vish tek unë tani. … Por unë mund të vij tek ti.’”2

Ju faleminderit, motra, për gjithçka që po bëni për të rritur familjen tuaj dhe për të mbajtur një shtëpi me dashuri ku ka mirësi, paqe dhe mundësi.

Edhe pse ju shpesh ndiheni vetëm, në të vërtetë ju kurrë nuk jeni tërësisht vetëm. Për sa kohë që ju përparoni në durim dhe në besim, Zoti do të jetë me ju; qielli do t’ju japë bekimet që ju nevojiten.

Perspektiva dhe këndvështrimi juaj për jetën do të ndryshojë kur në vend që të dëshpëroheni, ju të shikoni me shpresë drejt Perëndisë.

Shumë prej jush e kanë zbuluar tashmë të vërtetën e madhërishme e shndërruese se, kur jetoni për të lehtësuar barrat e të tjerëve, vetë barrat tuaja bëhen më të lehta. Megjithëse rrethanat mund të mos kenë ndryshuar, ka ndryshuar qëndrimi juaj. Ju jeni në gjendje të përballeni me vetë sprovat tuaja me një pranim më të madh, me një zemër më të kuptueshme dhe me mirënjohje më të thellë për ato që keni, në vend që të pikëlloheni për ato që ende ju mungojnë.

Ju keni zbuluar se, kur mundohemi t’i ngushëllojmë të tjerët që duket se janë të dëshpëruar, ne marrim ngushëllim për vete; kupa jonë me të vërtetë “po derdhet” (Psalmeve 23:5).

Nëpërmjet të jetuarit të drejtë, ju dhe fëmijët tuaj mund të gëzoni një ditë bekimet e të qenit pjesë e një familjeje të plotë, të përjetshme.

Anëtarë e udhëheqës, a mund të bëni ndonjë gjë më tepër për t’i mbështetur familjet me një prind pa i gjykuar apo kritikuar ato? A mund t’i drejtoni të rinjtë e këtyre familjeve, veçanërisht duke u dhënë djemve të rinj shembuj të gjërave që burrat e mirë bëjnë dhe të mënyrës se si burrat e mirë jetojnë? Në mungesë të baballarëve, a po u jepni modele që janë të denja për t’u ndjekur?

Tani, sigurisht, ka disa familje me një prind ku babai është prindi i vetëm. Vëllezër, ne lutemi edhe për ju dhe ju lëvdojmë. Ky mesazh është edhe për ju.

Prindër të vetëm, unë dëshmoj se ndërsa bëni më të mirën tuaj në më të vështirën e sfidave njerëzore, qielli do t’ju bekojë. Ju vërtet nuk jeni vetëm. Lëreni fuqinë shëlbuese e të përzemërt të Jezu Krishtit ta bekojë jetën tuaj tani dhe t’ju mbushë me shpresën e premtimit të përjetshëm. Merrni kurajë. Kini besim dhe shpresë. Shiheni të tashmen me guxim dhe shikoni për nga e ardhmja me siguri. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Neal A. Maxwell, Notwithstanding My Weakness (1981), f. 68.

  2. Te Gordon B. Hinckley, “In the Arms of His Love”, Liahona, nëntor 2006, f. 117.