2012
Ata na Folën Neve: Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
Maj 2012


Ata na Folën Neve

Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë

Mbani parasysh që të përdorni disa nga këto aktivitete dhe pyetje si pikënisje për diskutim familjar apo meditim vetjak.

Numrat e faqeve të renditur më poshtë tregojnë faqen e parë të bisedës.

Për Fëmijët

  • Presidenti Diter F. Uhtdorf tregoi dy fjalë të rëndësishme që ai dëshiron t’i kujtojmë kur ndihemi të tunduar për të qenë të pasjellshëm me dikë (faqe 70). A ju kujtohet se cilat janë ato dy fjalë? Bisedoni me prindërit tuaj për disa nga sjelljet që ai sugjeroi se duhet t’i ndalojmë. Mendoni mbi atë se si mund të bëheni më shumë si Jezu Krishti në mënyrën se si i trajtoni të tjerët.

  • Plaku Rasëll M. Nelson foli mbi aftësitë e shumta e të mrekullueshme të trupit tonë fizik (faqe 77) dhe Plaku Ronald A. Rasband dha mësim se Ati ynë Qiellor na do edhe kur trupi ynë nuk është i përsosur (faqe 80). Si ju bën të ndiheni të pasurit e një trupi? Mendoni për të gjitha gjërat e ndryshme që mund të bëjë trupi juaj. Kur të thoni lutjet tuaja, mendoni se çfarë mund t’i thoni Atit Qiellor për ta falënderuar për këtë dhuratë.

Për Rininë

  • A njihni njerëz të cilët bëjnë tri pyetjet që renditi profeti në bisedën e tij gjatë sesionit të paradites të së dielës (faqe 90): “Nga kemi ardhur? Përse jemi këtu? Ku shkojmë pasi largohemi nga kjo jetë?” Lexoni përgjigjet e tij për ato pyetje dhe mendoni për mënyra se si mund të jeni në gjendje që t’i ndani ato të vërteta me njerëz që nuk i kanë ende ato.

  • Disa njerëz nuk e kuptojnë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë te Jezu Krishti dhe e ndjekin Atë. Lexoni bisedën e Plakut Dallin H. Ouks, “Sakrifica” dhe mendoni për këtë deklarim: “Jeta jonë plot shërbim e sakrificë është shprehja më e përshtatshme e zotimit tonë për t’i shërbyer Mësuesit dhe bashkëqenieve tona” (faqe 19). Çfarë tregon mënyra se si e jetoni ju jetën për dëshminë tuaj për Shpëtimtarin?

  • Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim: “Kur dikush nuk e dallon dot ndryshimin mes notave muzikore të besimit, ai apo ajo nuk është në harmoni me Shpirtin” (faqe 41). Mendoni mbi mënyrën si tingëllon një instrument i çakorduar dhe çfarë mund ta bëjë një instrument të çakordohet. Çfarë gjërash të veçanta mund të bëni të cilat t’ju pengojnë të jeni të shurdhët ndaj “notave muzikore të besimit”?

  • Disa diskutues në këtë konferencë folën rreth familjeve të tyre – përfshirë familje pjesërisht anëtare, familje me një prind të vetëm dhe familje që po përballen me fatkeqësi të shumëllojshme. Çfarë kanë mësuar dhe vlerësuar këta folës nga familjet e tyre? Çfarë pëlqeni dhe vlerësoni ju te familjet tuaja? Si mund të kontribuoni dhe t’i lartësoni shpirtërisht pjesëtarët e familjeve tuaja?

Për të Rriturit

  • Presidenti Bojd K. Paker dha mësim: “Një nga zbulimet më të mëdha të prindërimit është se ne mësojmë shumë më tepër për atë që ka vërtet rëndësi nga fëmijët tanë sesa mësuam ndonjëherë nga prindërit tanë” (faqe 6). Nëse jeni prind, mendoni për disa nga mësimet e rëndësishme që keni marrë nga fëmijët tuaj ose, nëse nuk jeni prind, mendoni për mësime që keni marrë nga fëmijë që i njihni. Mbani parasysh që t’ia tregoni ato mësime – dhe rrethanat në të cilat i mësuat ato – bashkëshortit/es tuaj, një shoku/shoqeje, fëmijëve tuaj ose të tjerëve.

  • Ne mund të çlirohemi nga e liga kur iu drejtohemi mësimeve të shkrimeve të shenjta, dha mësim Plaku L. Tom Peri (faqe 94). Në ç’mënyrë mësimet nga shkrimet e shenjta ju kanë ndihmuar që të çliroheni? Si ju kanë ndihmuar ato që të zgjidhni të drejtën?

  • Disa nga bisedat u përqendruan te besëlidhjet, veçanërisht te besëlidhjet e tempullit. Mendoni për atë që tha Plaku Robert D. Hejls: “Bëni një bisedë me veten duke u parë në pasqyrë dhe pyesni: ‘Ku jam në të jetuarin sipas besëlidhjeve të mia?’” (faqe 34). Mendoni për përgjigjen tuaj dhe ndoshta për atë që mund të bëni që t’i jetoni më mirë besëlidhjet tuaja – dhe për t’i ftuar të tjerët që të bëjnë dhe t’i jetojnë besëlidhjet e tyre.

  • Plaku Xhefri R. Holland (faqe 31), Plaku Nil L. Andersen (faqe 111) dhe të tjerë folën mbi dishepullimin dhe procesin e ardhjes te Krishti. Çfarë ka qenë vetë procesi juaj i dishepullimit? Çfarë gjërash keni mësuar nga këto biseda ose të tjera mbi ardhjen në vazhdimësi te Shpëtimtari?

  • “Qëllimi kryesor i Kishës”, dha mësim Plaku D. Tod Kristoferson, “është që të japë mësim ungjillin e Jezu Krishtit, doktrinën e Tij, në të gjithë botën” (faqe 86). Këqyrni bisedën e Plakut Kristoferson si dhe bisedën e Plakut Donald L. Hallstrom (faqe 13) dhe mbani parasysh se çfarë është ungjilli i Jezu Krishtit. Çfarë mundësish keni për ta dhënë mësim atë në shtëpinë tuaj, në thirrjen tuaj dhe në shoqërinë tuaj?