2012
Doktrina e Krishtit
Maj 2012


Doktrina e Krishtit

Plaku D. Tod Kristoferson

Në Kishë sot, ashtu si edhe në Kishën e hershme, vendosja e doktrinës së Krishtit ose korrigjimi i shmangieve doktrinore është çështje e zbulesës hyjnore.

I shprehim mirënjohjen dhe dashurinë tonë më të thellë Motrës Bek, Motrës Ollred dhe Motrës Tompson, si dhe trupës drejtuese të Shoqatës së Ndihmës.

Ne kemi parë së fundi një rritje të interesit publik për bindjet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo është diçka që ne e mirëpresim, sepse, në fund të fundit, qëllimi kryesor i Kishës është që të japë mësim ungjillin e Jezu Krishtit, doktrinën e Tij, në të gjithë botën (shih Mateu 28:19–20; DeB 112:28). Por ne duhet ta pranojmë se ka pasur dhe ende vazhdon të ketë ca ngatërresa rreth doktrinës sonë dhe mënyrës si u themelua ajo. Kjo është tema për të cilën dëshiroj të flas sot.

Shpëtimtari e dha mësim doktrinën e Tij në meridianin e kohës dhe Apostujt e Tij luftuan fuqimisht që ta ruanin atë nga një sulm i vazhdueshëm i traditave të rreme dhe filozofisë. Letrat e Dhiatës së Re përmendin një sërë incidentesh që tregojnë se një braktisje e rëndë dhe e përhapur gjerësisht, kishte filluar tashmë gjatë shërbesës së Apostujve.1

Shekujt që vijuan, u ndriçuan nga rreze rastësore të dritës së ungjillit derisa, në shekullin e 19–të, zbardhi në botë një agim i shndritshëm i Rivendosjes dhe ungjilli i Krishtit, i tërë e i plotësuar, qe sërish në tokë. Kjo ditë e lavdishme filloi kur, në “një shtyllë drite … më [të] shkëlqyeshme se dielli” (Joseph Smith – Historia 1:16), Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, vizituan të riun Jozef Smith dhe nisën atë që do të bëhej si një përmbytje zbulese që erdhi së bashku me fuqi dhe autoritet hyjnor.

Në këto zbulesa, ne gjejmë atë që mund të quhet doktrina themelore e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit mbi tokë. Vetë Jezusi e përkufizoi atë doktrinë në këto fjalë të shënuara në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit:

“Kjo është doktrina ime dhe ajo është doktrina që Ati më dha mua; dhe unë dëshmoj për Atin dhe Ati dëshmon për mua, dhe Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin dhe për mua; dhe unë dëshmoj që Ati i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo, të pendohen dhe të besojnë në mua.

Dhe kushdo që beson në mua dhe pagëzohet, po ai do të shpëtojë; dhe ata janë ata që do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

Dhe kushdo që nuk beson në mua dhe nuk pagëzohet, do të mallkohet.

… dhe kushdo që beson në mua, beson gjithashtu në Atin; dhe atij Ati do t’i dëshmojë për mua, pasi ai do ta vizitojë atë me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë. …

Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se kjo është doktrina ime dhe kushdo që ndërton mbi këtë, ndërton mbi shkëmbin tim dhe portat e ferrit nuk do të triumfojnë mbi të” (3 Nefi 11:32–35, 39).

Ky është mesazhi ynë, shkëmbi mbi të cilin ne ndërtojmë, themeli i gjithçkaje tjetër në Kishë. Si gjithçka që vjen nga Perëndia, kjo doktrinë është e kulluar, është e pastër, është e thjeshtë për t’u kuptuar – madje dhe për një fëmijë. Me zemra të gëzuara, ne i ftojmë të gjithë ta marrin atë.

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme “ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9). Kjo do të thotë se, ndërkohë që ka mjaft gjëra që ende nuk i dimë, të vërtetat dhe doktrina që kemi marrë kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë nëpërmjet zbulesës hyjnore. Në disa tradita besimi, teologët pretendojnë autoritet të barabartë mësimdhënieje me udhëheqjen fetare dhe çështjet doktrinore mund të bëhen një luftë opinionesh midis tyre. Disa mbështeten te këshillat e mëdhenj të Mesjetës dhe kredot e tyre. Të tjerët e vënë theksin kryesisht te arsyetimet pas kohës së Apostujve ose mbi parimet e interpretimit të Biblës dhe interpretimet shpjeguese apo kritikuese të Biblës. Ne e çmojmë diturinë që zgjeron kuptueshmërinë, por në Kishë sot, ashtu si edhe në Kishën e hershme, vendosja e doktrinës së Krishtit ose korrigjimi i shmangieve doktrinore është çështje e zbulesës hyjnore për ata që Zoti u jep autoritetin e një Apostulli.2

Në vitin 1954, Presidenti J. Ruben Klark i Riu, në atë kohë këshilltar në Presidencën e Parë, shpjegoi mënyrën si bëhet e njohur doktrina në Kishë dhe për rolin parësor të Presidentit të Kishës. Duke folur për anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai shpalli: “[Ne] duhet të [sjellim] ndër mend se disave prej Autoriteteve të Përgjithshme u është caktuar një thirrje e veçantë; ata zotërojnë një dhuratë të veçantë; ata mbështeten si profetë, shikues e zbulues, që u jep atyre një indaument të veçantë shpirtëror në lidhje me mësimet që ata u japin njerëzve. Ata kanë të drejtën, fuqinë dhe autoritetin për t’u deklaruar njerëzve mendimet dhe vullnetin e Perëndisë, të varur nga fuqia e plotë dhe autoriteti i Presidentit të Kishës. Disa të tjerëve prej Autoriteteve të Përgjithshme nuk u është dhënë kjo dhuratë dhe autoritet i veçantë shpirtëror lidhur me mësimdhënien e tyre; për ata rezulton një kufizim dhe, kufizimi rezultues në fuqinë dhe autoritetin e tyre në mësimdhënie, zbatohet për çdo drejtues dhe anëtar tjetër të Kishës, pasi asnjëri prej tyre nuk ka marrë dhuratën shpirtërore si profet, shikues e zbulues. Veç kësaj, siç tregohet, Presidenti i Kishës ka një dhuratë më tepër e të veçantë në këtë drejtim, pasi ai është Profet, Shikues dhe Zbulues për të gjithë Kishën.”3

Si ua zbulon Shpëtimtari vullnetin dhe doktrinën e Tij profetëve, shikuesve e zbuluesve? Ai mund të veprojë nëpërmjet një lajmëtari ose personalisht. Ai mund të flasë me vetë zërin e Tij ose me anë të zërit të Shpirtit të Shenjtë – një komunikim Shpirt me shpirt që mund të shprehet me fjalë ose ndjenja që përçojnë kuptueshmëri përtej fjalëve (shih 1 Nefi 17:45; DeB 9:8). Ai mund t’u drejtohet Vetë shërbëtorëve të Tij një e nga një ose si këshill (shih 3 Nefi 27:1–8).

Po përmend dy histori nga Dhiata e Re. E para qe një zbulesë drejtuar kreut të Kishës. Në fillim të librit të Veprave të Apostujve ne shohim se Apostujt e Krishtit po ua shpallnin vetëm judenjve mesazhin e ungjillit, duke ndjekur modelin e shërbesës së Jezusit (shih Mateu 15:24), por tani, sipas kalendarit të Zotit, kishte ardhur koha për një ndryshim. Në Jopë, Pjetri pa një ëndërr në të cilën pa një larmi kafshësh që zbritën nga qielli në tokë me anë të “një çarçafi të madh … të lidhur në të katër cepat” (Veprat e Apostujve 10:11) e u urdhërua të “ther[te] dhe [të] ha[nte]” (Veprat e Apostujve 10:13). Pjetri nuk pranoi duke qenë se disa prej kafshëve qenë “të papastra” sipas ligjit të Moisiut dhe Pjetri nuk e kishte thyer kurrë urdhërimin që qe kundër ngrënies së tyre. Megjithatë, zëri në ëndërr i tha Pjetrit: “Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra” (Veprat e Apostujve 10:15).

Domethënia e kësaj ëndrre u bë e qartë kur menjëherë pas kësaj, disa burra të dërguar nga centurioni romak Korneli, mbërritën në banesën e Pjetrit me një kërkesë që ai të shkonte t’i jepte mësim të zotit. Korneli kishte mbledhur një grup të konsiderueshëm të afërmish e miqsh dhe, kur i gjeti ata duke pritur me padurim që të merrnin mesazhin e tij, Pjetri tha:

“Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur. …

… Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm;

por në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai” (Veprat e Apostujve 10:28, 34–35; shih edhe vargjet 17–24).

“Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Fryma e Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën.

Dhe të gjithë [ata që qenë me Pjetrin] … u mrekulluan që dhurata e Frymës se Shenjtë u shpërnda edhe mbi johebrenjtë.

… Atëherë Pjetri filloi të thotë:

‘A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?’” (Veprat e Apostujve 10:44–47).

Me anë të kësaj përvoje dhe zbulese ndaj Pjetrit, Zoti i ndryshoi praktikat e Kishës dhe u zbuloi dishepujve të Tij një kuptueshmëri më të plotë. Dhe kështu predikimi i ungjillit u zgjerua për të përfshirë të gjithë njerëzimin.

Më tej në librin e Veprave të Apostujve, ne gjejmë një histori të lidhur ngjashëm, këtë herë duke treguar se si zbulesa në çështjet doktrinore mund të vijë në një mbledhje këshilli. Lindën polemika rreth faktit nëse duhej vazhduar rrethprerja e detyrueshme sipas ligjit të Moisiut si një urdhërim i ungjillit dhe Kishës së Krishtit (shih Veprat e Apostujve 15:1, 5). “Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem” (Veprat e Apostujve 15:6). Dokumentimi i këtij këshilli prej nesh është me siguri i mangët, por na është thënë se pas “një diskutim[i të] madh” (Veprat e Apostujve 15:7), Pjetri, Apostulli më i moshuar, u ngrit dhe shpalli atë që Fryma e Shenjtë i kishte pohuar atij. Ai i kujtoi këshillit se kur filloi t’u predikohej ungjilli johebrenjve të parrethprerë në shtëpinë e Kornelit, ata e morën Frymën e Shenjtë njësoj siç e kishin marrë të kthyerit në besim judenj që qenë të rrethprerë. Perëndia, tha ai “nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.

Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?

Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata” (Veprat e Apostujve 15:9–11; shih edhe vargun 8).

Pasi Pali, Barnaba e ndoshta edhe të tjerë, folën për të përkrahur shpalljen e Pjetrit, Jakobi propozoi që vendimi të dërgohej me shkrim në Kishë dhe këshilli qe i bashkuar “me një zemër” (Veprat e Apostujve 15:25; shih edhe vargjet 12–23). Në letrën që njoftonte vendimin e tyre, Apostujt thanë: “Na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve” (Veprat e Apostujve 15:28), ose me fjalë të tjera, ky vendim erdhi nga zbulesa hyjnore nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë.

Në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit ndiqen sot po të njëjtat modele. Presidenti i Kishës mund të njoftojë ose të interpretojë doktrina bazuar te zbulesat që i jepen (shih për shembull, DeB 138). Interpretimi doktrinor mund të vijë edhe nëpërmjet bashkimit të dy këshillave të Presidencës së Parë dhe atij të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (shih për shembull, Deklaratën Zyrtare 2). Diskutimet në këshill do të përfshijnë shpesh një peshim të veprave standarde të shkrimeve të shenjta, mësimet e udhëheqësve të Kishës dhe praktikat e mëparshme. Por në fund, ashtu si në Kishën e Dhiatës së Re, synimi nuk është thjesht marrëveshja e përgjithshme mes anëtarëve të këshillit, por zbulesa nga Perëndia. Ky është një proces që përfshin edhe arsyen edhe besimin për të mësuar mendjen dhe vullnetin e Zotit.4

Në të njëjtën kohë, duhet mbajtur mend se jo çdo deklarim i bërë nga një udhëheqës i Kishës, në të shkuarën ose në të tashmen, është doktrinë detyrimisht. Është përgjithësisht e kuptueshme në Kishë se një deklarim i bërë nga një udhëheqës mbi një rast të vetëm, shpesh përfaqëson një opinion vetjak, sado që është i menduar mirë, që nuk është e thënë të jetë zyrtar ose i detyrueshëm për të gjithë Kishën. Profeti Jozef Smith dha mësim se “një profet [është] një profet vetëm kur ai vepron si i tillë”5. Presidenti Klark, i cituar më sipër, vuri re:

“Kjo pikë vërtetohet nga një histori e thjeshtë që më ka treguar im atë kur isha i vogël, nuk e di për cilin autoritet, por e ilustron këtë pikë. Historia e tij qe që, gjatë entuziazmit lidhur me ardhjen e Ushtrisë [së Xhonstonit], Vëllai Brigam u dha njerëzve në një mbledhje mëngjesi, një predikim që vlonte nga kundërshtimet për ushtrinë që po afrohej, dhe deklaronte një qëllim për t’u dalë kundër e për t’i kthyer mbrapsht. Në mbledhjen e pasdites, ai u ngrit dhe tha se në mëngjes kishte folur Brigam Jangu, por tani do të fliste Zoti. Më pas ai mbajti një fjalim, mesazhi i të cilit qe në kundërshtim me fjalimin e mëngjesit. …

… Kisha do ta dijë me anë të dëshmisë së Frymës së Shenjtë që u jepet anëtarëve, nëse vëllezërit që thonë këndvështrimet e tyre, ‘nxiten nga Fryma e Shenjtë’; dhe përfundimisht ajo njohuri do të dëftohet.”6

Profeti Jozef Smith pohoi rolin qendror të Shpëtimtarit në doktrinën tonë në një fjali përkufizuese: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”7. Dëshmia e Jozef Smithit për Jezusin është se Ai jeton, “pasi [ai] e pa Atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe [ai] e dëgj[oi] zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit” (DeB 76:23; shih edhe vargun 22). Unë u bëj thirrje të gjithë atyre që e dëgjojnë apo e lexojnë këtë mesazh, që të kërkojnë përmes lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta të njëjtën dëshmi të natyrës hyjnore, të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit. Pranojeni doktrinën e Tij me anë të pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe më pas gjatë gjithë jetës duke zbatuar ligjet dhe besëlidhjet e ungjillit të Jezu Krishtit.

Ndërsa festa jonë e Pashkës afron, unë shpreh dëshminë time vetjake se Jezusi i Nazaretit ishte dhe është Biri i Perëndisë, i njëjti Mesia i profecisë së lashtë. Ai është Krishti që vuajti në Gjetseman, që vdiq në kryq e u varros dhe që u ngrit vërtet ditën e tretë. Ai është Zoti i ringjallur, përmes së cilit të gjithë ne do të ringjallemi dhe me anë të të cilit të gjithë ata që janë të gatshëm, mund të shëlbehen dhe ekzaltohen në mbretërinë e Tij qiellore. Kjo është doktrina jonë, që pohon të gjitha dëshmitë e mëparshme të Jezu Krishtit dhe që u shpall sërish për kohën tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Neal A. Maxwell, “From the Beginning”, Ensign, nëntor 1993, f. 18–19:

    “Jakobi qortoi ‘luftërat dhe grindjet te’ Kisha (Jakobi 4:1). Pali u pikëllua për ‘përçarje[t]’ në Kishë dhe mënyrën se si ‘ujqër[it] grabitqarë’ nuk do ta kursenin ‘tufën’ (1 Korintasve 11:18; Veprat e Apostujve 20:29–31). Ai e dinte se po afronte braktisja dhe u shkroi thesalonikasve se ardhja e dytë e Jezusit nuk do të ndodhte ‘pa ardhur më parë rënia’; duke këshilluar më tej se ‘paudhësi[a] në fakt është tashmë në veprim’ (2 Thesalonikasve 2:3, 7).

    Pranë fundit, Pali e pranoi sa e plotë qe braktisja: ‘Të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët’ (2 Timoteut 1:15). …

    Lavirësia dhe idhujtaria e përhapur gjerësisht i alarmoi apostujt (shih 1 Korintasve 5:9; Efesianëve 5:3; Judë 1:7). Si Gjoni ashtu dhe Pali vajtojnë ngritjen e Apostujve të rremë (shih 2 Korintasve 11:13; Zbulesa 2:2). Kisha qe qartazi nën rrethim. Disa jo vetëm që u larguan nga Kisha, por e kundërshtuan atë haptas. Në një rrethanë, Pali qëndroi i vetëm dhe u ankua se ‘të gjithë më lanë’ (2 Timoteut 4:16). Ai i kritikoi gjithashtu ata që ‘ngatërr[uan] familje të tëra’ (Titit 1:11).

    Disa udhëheqës vendorë u rebeluan, pasi njëri, të cilit i pëlqente epërsia e tij, refuzoi t’i priste vëllezërit (shih 3 Gjoni 1:9–10).

    Nuk është çudi që Presidenti Brigam Jang vuri në dukje: ‘Është thënë se Priftëria u mor nga Kisha, por nuk është kështu, Kisha u largua nga Priftëria’ (në Journal of Discourses, 12:69).”

    Me kalimin e kohës, ashtu siç e shprehu Plaku Maksuell, “arsyeja, që qe tradita filozofike greke, e mbizotëroi, më pas e zëvendësoi mbështetjen te zbulesa, një rezultat ky, ndoshta i përshpejtuar nga të krishterë me qëllime të mira, që dëshironin t’i bënin bindjet e tyre më të pranuara gjerësisht në kulturën e kohës. …

    … Le të jemi të matur [gjithashtu] mbi interpretimin e zbulesave që të jenë më në harmoni me atë që besojnë shumica e njerëzve” (Ensign, nëntor 1993, f. 19–20).

  2. Apostuj dhe profetë të tillë si Jozef Smithi shpallin fjalën e Perëndisë por, përveç kësaj, ne besojmë se burrat dhe gratë në përgjithësi dhe madje fëmijët mund të mësojnë dhe mund të drejtohen nga frymëzimi hyjnor në përgjigje të lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta. Njësoj si në kohën e Apostujve të lashtë, anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit u jepet dhurata e Frymës së Shenjtë, e cila mundëson një komunikim të vazhdueshëm me Atin e tyre Qiellor, ose, me fjalë të tjera, zbulesë personale (shih Veprat e Apostujve 2:37–38). Në këtë mënyrë, Kisha bëhet një grup individësh të zotuar dhe të pjekur shpirtërisht, besimi i të cilëve nuk është i pranuar pa kushte, por i bazuar në të parin e rezultateve të përvojës vetjake – i dhënë njoftim dhe i vërtetuar nga Shpirti i Shenjtë. Kjo nuk do të thotë se çdo anëtar flet në emër të Kishës apo mund të përcaktojë doktrinat e saj, por që secili mund të marrë drejtim hyjnor në përballjen me sfidat dhe mundësitë e jetës së tij apo të saj.

  3. J. Reuben Clark Jr., “When Are Church Leaders’ Words Entitled to Claim of Scripture?” Church News, 31 korrik 1954, f. 9–10; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 28:1–2, 6–7, 11–13.

  4. Përgatitja dhe kualifikimet e kërkuara për pjesëmarrësit në këshill janë “drejtësi, shenjtëri e përulësi të zemrës, butësi e durim, … besim, dhe virtyt, dhe dituri, vetkontroll, qëndresë, perëndishmëri, mirësi vëllazërore dhe dashuri hyjnore;

    Ngaqë premtimi është: nëse këto gjëra gjenden me shumicë në ta, ata nuk do të jenë të pafryt në diturinë e Zotit” (Doktrina e Besëlidhje 107:30–31).

  5. Joseph Smith, në History of the Church, 5:265.

  6. J. Reuben Clark Jr., “Church Leaders’ Words”, f. 10. Mbi historinë që i tregoi i ati për Brigam Jangun, Presidenti Klark shkroi me tej:

    “Nuk e di nëse ka ndodhur kjo ndonjëherë, por them se e ilustron një parim – që madje vetë Presidenti i Kishës, mund të mos jetë gjithmonë ‘i nxitur nga Fryma e Shenjtë’, kur ai u flet njerëzve. Kjo ka ndodhur për çështje doktrinore (zakonisht të një natyre shumë të diskutueshme) ku Presidentët pasues të Kishës dhe vetë njerëzit kanë ndier se në shpalljen e doktrinës, njoftuesi nuk qe ‘i nxitur nga Fryma e Shenjtë’.

    Si do ta dijë Kisha se kur këto ekspedita aventureske të vëllezërve në këto parime e doktrina shumë të diskutueshme i përmbushin kërkesat e statuteve se njoftuesit kanë qenë për pasojë ‘të nxitur nga Fryma e Shenjtë’? Kisha do ta dijë me anë të dëshmisë së Frymës së Shenjtë që u jepet anëtarëve, nëse vëllezërit që thonë këndvështrimet e tyre, ‘nxiten nga Fryma e Shenjtë’; dhe përfundimisht ajo njohuri do të dëftohet” (“Church Leaders’ Words”, f. 10).

  7. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 52.