Pjesë të spikatura nga Konferenca e Përgjithshme Vjetore e 186-të e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Sesioni i paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme të prillit nisi me një ftesë nga Presidenti Henri B. Ajring që i nxiti dëgjuesit të luten për folësit dhe koret, si përpara edhe gjatë fjalës së tyre. Dhe në mbyllje të konferencës të dielën pasdite, Plaku Xhefri R. Holland vërejti: “Në qoftë se në ditët e ardhshme shihni … elemente në vetë jetën tuaj që ende nuk përputhen me mesazhet që i keni dëgjuar këtë fundjavë, mos e humbisni kurajën. … Gjëja e madhërishme rreth ungjillit është që ne shpërblehemi për përpjekjen, edhe nëse nuk ia dalim gjithmonë me sukses” (faqe 125, 126).
Thirrjet e tyre për veprim i paraprinë dhe e përforcuan thirrjen e Presidentit Tomas S. Monson që “teksa mendojmë për vendimet që bëjmë në jetën tonë çdo ditë, … nëse zgjedhim Krishtin, do të kemi bërë zgjedhjen e saktë” (faqe 86).
Pjesë të tjera të spikatura nga konferenca përfshijnë:
Njoftimin e Presidentit Monson për katër tempuj të rinj: në Belem, Brazil; Kuito, Ekuador; Limë, Peru (tempulli i dytë atje) dhe Harare, Zimbabve (shih historinë në faqen 142).
Mbështetjen e 11 Autoriteteve të reja të Përgjithshme (biografitë e tyre nisin në faqen 131).
Mbështetjen e presidencës së re të përgjithshme të Fillores (biografitë e tyre nisin në faqen 136).
Njoftimin e nismës së re për individët dhe familjet që të shtrijnë dorën në nivel lokal për të ndihmuar refugjatët (shih faqet 13, 111 dhe 141).
Një përqendrim mbi marrëdhëniet familjare, veçanërisht rolet e burrave si bashkëshortë, etër dhe mbajtës priftërie.
Pikëpamje doktrinore nga folësit, si kjo nga Plaku Dejll G. Renland: “Ndërsa afrohemi më pranë Perëndisë, fuqia mundësuese e Shlyerjes së Jezu Krishtit do të vijë në jetën tonë. Dhe, ashtu si me dishepujt rrugës për në Emaus, ne do të zbulojmë se Shpëtimtari ka qenë pranë gjatë gjithë kohës” (faqe 42).