2016
Boni H. Kordon
Maj 2016


Motra Boni H. Kordon

Këshilltare e Dytë, Presidenca e Përgjithshme e Fillores

Gjatë gjithë fëmijërisë së saj në Ajdahon juglindore në SHBA, Boni Hillam Kordoni mori mësime shumë të rëndësishme për jetën. Të punuarit, të luajturit dhe të jetuarit në një fermë, i mësoi asaj mbështetjen te vetja, punën e palodhur dhe që “të mos kishte frikë t’i provonte gjërat”, thotë këshilltarja e re e dytë në presidencën e përgjithshme të Fillores.

Sidoqoftë, mësimi më i rëndësishëm erdhi nga prindërit e saj, Harold dhe Karol Rasmusen Hillami, të cilët i mësuan asaj se me ndihmën e Zotit, ajo mund të bënte çdo gjë. “Nuk ka kufij”, do të thoshte babai i saj.

Motra Kordon u mbështet te kjo njohuri si një misionare e sapothirrur në Lisbonë të Portugalisë, kur pati vështirësi për të mësuar portugalishten. “U ula në gjunjë shumë herë duke kërkuar një mrekulli. Por për shkak të babait tim, unë kisha mësuar se mund të bëja gjëra të vështira.”

Pas shumë lutjesh, një pune dhe durimi të madh, ajo me ngadalë filloi të fliste rrjedhshëm në portugalisht, gjë e cila e bekoi atë shumë vite më vonë, kur ajo dhe bashkëshorti i saj u thirrën për të shërbyer në Kuritiba të Brazilit.

“Është interesante të shikosh se si Zoti na përgatit dhe na ndërton, pak nga pak”, thotë ajo. “Ka gjithmonë më shumë kuptim kur e shohim diçka pasi ajo ka ndodhur. Ne thjesht duhet të kemi besim.”

Boni Hillami u lind më 11 mars 1964 në Ajdaho Folls të Ajdahos. Pas misionit të saj ajo studioi për mësuesi në Universitetin “Brigam Jang” në Provo të Jutës, në SHBA. Ndërkohë që ishte atje, ajo u bë shoqe e ngushtë me Derek Llejn Kordonin. Miqësia e tyre lulëzoi në romancë dhe të dy u martuan më 25 prill 1986, në Tempullin e Solt-Lejkut. Ata kanë katër fëmijë – tre djem dhe një vajzë – dhe tre nipër.

Përgjatë viteve ata kanë shërbyer në shumë thirrje në Kishë. Ajo shërbeu me bashkëshortin e saj ndërsa ai kryesoi mbi misionin e Kuritibës në Brazil nga viti 2010 deri në vitin 2013, dhe ajo ka shërbyer si presidente e Të Rejave, udhëheqëse e çerdhes dhe mësuese seminari në kunj, dhe në organizatat e Të Rejave, të Shoqatës së Ndihmës e të Fillores në lagje.

Në detyrën e saj të re, Motra Kordon thotë se shpreson që t’u mësojë një të vërtetë thelbësore fëmijëve të Fillores në Kishë: “Ati Qiellor i do ata”.