2016
Strehimi nga Stuhia
Maj 2016


Strehimi nga Stuhia

Ky çast nuk i karakterizon refugjatët, por reagimi ynë do të na ndihmojë të na karakterizojë ne.

“Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët. …

… Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.”1

Në botë sot janë përllogaritur 60 milionë refugjatë, çka do të thotë se “1 në 122 njerëz … janë detyruar të arratisen nga shtëpitë e tyre”2 dhe gjysma prej këtyre janë fëmijë.3 Është tronditëse kur merr parasysh numrin e prekur të njerëzve dhe kur mendon për domethënien e kësaj në jetën e çdo individi. Detyra ime aktuale është në Europë, ku një e çerek milionë prej këtyre refugjatëve kanë ardhur vitin e fundit nga pjesët e rrënuara prej luftës nga Lindja e Mesme dhe Afrika.4 Shumë prej tyre i shohim tek vijnë vetëm me rrobat e trupit dhe me aq sa mund të mbajnë në një çantë të vogël. Një pjesë e madhe e tyre janë të mirarsimuar dhe të gjithëve u është dashur t’i braktisin shtëpitë, shkollat dhe vendet e punës.

Nën drejtimin e Presidencës së Parë, Kisha po bashkëpunon me 75 organizata në 17 vende të Europës. Këto organizata përfshijnë nga institucionet e mëdha ndërkombëtare e deri te nismat e vogla të komunitetit, nga agjencitë qeveritare e deri te shoqatat bamirëse të bazuara te besimi si dhe ato laike. Ne jemi me fat që jemi bashkëpunëtorë me ata e që mësojmë prej atyre të cilët kanë punuar me refugjatët prej shumë vitesh në mbarë botën.

Si anëtarë të Kishës, si një popull, nuk është nevoja ta kthejmë kokën pas në historinë tonë për të reflektuar mbi kohën kur ishim refugjatë, të shpërngulur forcërisht nga shtëpitë e fermat tona sërish e sërish. Javën e shkuar, teksa u fol për refugjatët, Motra Linda Barton u kërkoi grave të Kishës që të merrnin në shqyrtim fjalët: “Po sikur historia e tyre të ishte historia ime?”5 Historia e tyre është historia jonë, e cila ka ndodhur jo shumë vite më parë.

Ka debate shumë të forta nga qeveritë e në mbarë shoqërinë lidhur me atë se cili është përkufizimi për një refugjat dhe se çfarë duhet bërë për t’u dhënë ndihmë refugjatëve. Mendimet e mia nuk kanë për qëllim në ndonjëfarë mënyre që të jenë pjesë e atij diskutimi të nxehtë, as për të komentuar për rregullat e imigrimit, por përkundrazi për t’u përqendruar te njerëzit, të cilët janë shpërngulur forcërisht nga shtëpitë e veta dhe vendet e veta prej luftërave, pa pasur gisht në fillimin e tyre.

Shpëtimtari e di se si ndihesh të jesh një refugjat – Ai ishte një i tillë. Kur ishte fëmijë, Jezusi dhe familja e Tij u arratisën drejt Egjiptit për t’u shpëtuar shpatave vrastare të Herodit. Dhe në momente të ndryshme të shërbesës së Tij, Jezusi e pa veten të kërcënuar dhe jetën e tij në rrezik, duke iu nënshtruar më në fund synimeve të njerëzve të ligj, të cilët kishin bërë komplote për vdekjen e Tij. Ndoshta, prandaj, është e dallueshme edhe më tepër për ne që Ai na e mësoi në mënyrë të përsëritur ta duam njëri-tjetrin, të duam siç do Ai, t’i duam fqinjët tanë si veten. Me të vërtetë, “feja e pastër dhe panjollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizito[jmë] jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre”6 dhe të “kujdese[mi] për të varfërit e nevojtarët dhe t’u administroj[m]ë për t’i ndihmuar që ata të mos vuajnë”7.

Ka qenë frymëzuese të shihja se çfarë kanë dhuruar bujarisht anëtarët e Kishës nga e gjithë bota, për t’i ndihmuar këta individë dhe familje, të cilët kanë humbur kaq shumë. Veçanërisht nëpër Europë, unë kam parë shumë anëtarë të Kishës, të cilët kanë përjetuar një zgjim plot gëzim dhe një pasurim të shpirtit teksa kanë reaguar ndaj asaj dëshire të thellë biologjike, për t’i ndihmuar e shërbyer atyre në nevoja të tilla kaq ekstreme përreth tyre. Kisha ka siguruar vende strehimi dhe ndihmë mjekësore. Kunjet dhe misionet kanë mbledhur mijëra paketa higjiene. Kunje të tjera kanë siguruar ushqim dhe ujë, veshje, xhupa mushamaje, biçikleta, libra, çanta shpine, syze leximi dhe shumë të tjera.

Individët nga Skocia deri në Siçili kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme. Mjekët dhe infermierët kanë dalë vullnetarë për të shërbyer në pikat ku refugjatët mbërrijnë të lagur, të ftohur dhe shpesh të tronditur nga përshkimi i deteve. Kur refugjatët e fillojnë procesin e risistemimit, anëtarët vendas po i ndihmojnë ata të mësojnë gjuhën e vendit të tyre mikpritës, ndërkohë që të tjerët po ua ngrenë moralin si fëmijëve ashtu edhe prindërve duke u siguruar atyre lodra, mjete artistike, muzikë dhe lojëra. Disa po dhurojnë fije të leshta, shtiza e grepa dhe po ua mësojnë këto aftësi refugjatëve vendas, të rinj e të moshuar.

Anëtarët me përvojë të Kishës, të cilët kanë dhënë vite shërbimi dhe udhëheqjeje, dëshmojnë për faktin se shërbesa ndaj këtyre njerëzve në nevojë kaq të ngutshme, u ka dhënë përvojën më pasuruese, më përmbushëse në shërbimin e tyre deri më tani.

Realiteti i këtyre situatave duhet të shihet që të besohet. Në dimër unë takova një grua shtatzënë nga Siria, mes shumë të tjerave, në një kamp të përkohshëm refugjatësh, e cila kërkonte me dëshpërim të sigurohej që fëmija i saj të mos lindte në dyshemetë e ftohta të korridoreve të gjera ku ishte strehuar. Në Siri ajo kishte qenë një pedagoge në universitet. Kurse në Greqi fola me një familje ende të lagur, duke u dridhur dhe të frikësuar ngaqë e kishin përshkuar detin nga Turqia me një barkë të vogël prej gome. Pasi i pashë në sy dhe i dëgjova historitë e tyre, si të terrorit prej të cilit u arratisën, edhe të udhëtimit të rrezikshëm për të gjetur strehim, unë nuk do të jem më kurrë i njëjti.

Përkujdesi dhe ndihma po jepet nga një masë e gjerë e punonjësve të përkushtuar ndihmëtarë, shumë prej të cilëve vullnetarë. Pashë një anëtare të Kishës që po ndihmonte, e cila, për muaj me radhë, punoi gjatë natës, duke siguruar për nevojat e ngutshme të atyre që mbërrinin nga Turqia në Greqi. Midis shumë prej këtyre vullnetarëve, ajo u dha ndihmën e parë atyre që kishin më shumë nevojë për ndihmë mjekësore; ajo u kujdes që t’u jepej përkujdesje grave dhe fëmijëve që udhëtonin të vetëm; ajo i mbajti ata që kishin njerëz të dashur të cilët u kishin ndërruar jetë përgjatë udhës, dhe bëri ç’mundi që t’i përdorte burimet e kufizuara për të plotësuar nevojat e panumërta. Ajo, dhe shumë të tjera si ajo, kanë qenë me plot kuptimin e fjalës engjëj shërbestarë, veprat e të cilëve nuk harrohen nga ata që e kanë marrë shërbimin, as nga Zoti, në punën e të cilit ajo ishte.

Të gjithë ata që kanë dhënë nga vetja për t’i lehtësuar vuajtjet përreth tyre, janë shumë të ngjashëm me popullin e Almës: “Dhe kështu, në rrethanat e tyre të begatshme, ata nuk përzinin askënd që ishte i zhveshur, ose që ishte i uritur, ose që ishte i etur, ose që ishte i sëmurë, ose që nuk ishte i ushqyer; … ata ishin bujarë me të gjithë, si pleq ashtu dhe të rinj, si robër ashtu dhe njerëz të lirë, si burra ashtu dhe gra, qoftë me pjesëtarë ose me jopjesëtarë të kishës, pa bërë dallim mes njerëzve në nevojë”8.

Ne duhet të jemi të kujdesshëm që lajmet për situatën e refugjatëve të mos na bëhen në njëfarë mënyre lajme rutinë pasi na është zbehur tronditja e fillimit, ndërkohë që lufta vazhdon ende dhe familjet vazhdojnë të vijnë. Miliona refugjatë anembanë botës, historitë e të cilëve nuk përbëjnë më lajmin kryesor, janë ende në nevojë të dëshpëruar për ndihmë.

Nëse po pyetni: “Çfarë mund të bëj?” le të kujtojmë së pari se ne nuk duhet të shërbejmë në kurriz të familjes dhe përgjegjësive të tjera9, as të mos presim që udhëheqësit t’i organizojnë projektet për ne. Por si rini, burra, gra dhe familje, ne mund t’i bashkohemi kësaj pune të madhe humanitare.

Në përgjigje ndaj ftesës së Presidencës së Parë për të marrë pjesë në shërbimin si të Krishtit për refugjatët anembanë botës10, presidencat e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe të Fillores kanë organizuar një nismë ndihmëtare të quajtur “Isha i Huaj”. Motra Barton ua paraqiti këtë grave të Kishës fundjavën e kaluar në sesionin e përgjithshëm të grave. Ka ide, burime dhe sugjerime të shumta të dobishme për shërbimin në IWasAStranger.lds.org.

Fillojeni të gjunjëzuar me një lutje. Pastaj shikojeni në aspektin e të bërit diçka pranë shtëpisë, në vetë komunitetin tuaj, ku do të gjeni njerëz të cilët kanë nevojë për ndihmë për t’u përshtatur me rrethanat e tyre të reja. Synimi përfundimtar është riaftësimi i tyre për një jetë të mbështetur te vetja dhe plot zell.

Mundësitë për ne që ta shtrijmë një dorë e të jemi një mik, janë të pafundme. Ju mund t’i ndihmoni refugjatët e risistemuar që ta mësojnë gjuhën e vendit të tyre mikpritës, t’i rifreskojnë zanatet e tyre ose të ushtrohen për një intervistë pune. Ju mund të ofroheni të jeni këshilltarët e një familjeje apo e një nëne të vetme teksa bëjnë kalimin te një kulturë e panjohur, madje me diçka aq të thjeshtë sa shoqërimi për në një dyqan ushqimor ose në shkollë. Disa lagje dhe kunje kanë organizata të besuara ekzistuese me të cilat bashkëpunojnë. Dhe, sipas rrethanave tuaja, ju mund të jepni për përpjekjen e jashtëzakonshme humanitare të Kishës.

Përveç kësaj, secili prej nesh mund ta rritë ndërgjegjësimin e vet për ngjarjet në botë, të cilat i detyrojnë këto familje të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne duhet të qëndrojmë kundër zemërngushtësisë dhe ta përkrahim respektin dhe mirëkuptimin në mbarë kulturat dhe traditat. Takimi me familjet refugjate dhe dëgjimi i historive të tyre me vetë veshët tuaj dhe jo nga një ekran apo gazetë, do t’ju ndryshojë. Miqësi të vërteta do të zhvillohen dhe kjo do të ushqejë dhembshuri dhe integrim të suksesshëm.

Zoti na ka udhëzuar se kunjet e Sionit duhet të jenë për “mbrojtje” e për “strehim nga stuhia”11. Ne kemi gjetur strehim. Le të dalim nga vendet tona të sigurta e të ndajmë me ta, nga bollëku ynë, shpresën për një të ardhme më të ndritur, besimin te Perëndia e te bashkënjerëzit tanë dhe dashurinë që sheh përtej ndryshimeve kulturore dhe ideologjike drejt të vërtetës së lavdishme që ne jemi të gjithë fëmijë të Atit tonë Qiellor.

“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.”12

Të qenit një refugjat mund të jetë një moment domethënës në jetën e atyre që janë refugjatë, por të qenit një refugjat nuk i karakterizon ata. Sikurse ishte për mijëra njerëz përpara tyre, kjo do të jetë një periudhë – ne shpresojmë një periudhë e shkurtër – në jetën e tyre. Disa prej tyre do të ndodhë që do të jenë laureatë për çmime Nobel, punonjës civilë, mjekë, shkencëtarë, muzikantë, artistë, udhëheqës fetarë dhe kontribues në fusha të tjera. Në të vërtetë, shumica prej tyre ishin këta lloj njerëzish përpara se të humbnin gjithçka. Ky çast nuk i karakterizon ata, por reagimi ynë do të na ndihmojë që të na karakterizojë ne.

“Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.”13 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Për më shumë referenca, shih IWasAStranger.lds.org dhe mormonchannel.org/blog/post/40-ways-to-help-refugees-in-your-community.