Shikojeni Veten Tuaj në Tempull
Unë lutem që secili prej nesh do ta nderojë Shpëtimtarin dhe do të bëjë çfarëdo ndryshimi të nevojshëm për ta shikuar veten në tempujt e Tij të shenjtë.
Përhapja e planit të shpëtimit të Zotit gjatë kësaj periudhe ungjillore të plotësisë së kohërave është thuajse përtej aftësisë për ta kuptuar.1 Kjo ilustrohet me shembull nga njoftimi i Presidentit Tomas S. Monson’s për 4 tempujt e rinj në këtë sesion konference. Kur Presidenti Monson u thirr si Apostull në vitin 1963, ishin 12 tempuj funksionalë në botë.2 Me përkushtimin e Tempullit të Qendrës së Provo-Sitit, tani janë 150 dhe do te jenë 177 kur të përkushtohen të gjithë tempujt e njoftuar. Ky është shkak që ne të gëzohemi përulësisht.
Njëqind e tetëdhjetë vjet më parë, pikërisht nga kjo ditë, më 3 prill 1836, një vegim i mrekullueshëm u çel për Profetin Jozef Smith dhe Oliver Kaudërin në Tempullin e Kirtlandit. Kjo ndodhi vetëm një javë pas përkushtimit të atij tempulli. Në këtë vegim ata e panë Zotin duke qëndruar mbi pjesën e sipërme të katedrës në tempull. Mes të tjerash, Shpëtimtari deklaroi:
“Zemrat e gjithë njerëzve të mi duhet të gëzohen, të cilët, me fuqinë e tyre, kanë ndërtuar këtë shtëpi për emrin tim.
Sepse, vini re, unë e kam pranuar këtë shtëpi dhe emri im do të jetë këtu; dhe unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi.”3
Në atë rast të shenjtë, u shfaqën profetë të lashtë, përfshirë Elijan, të cilët dhanë çelësat thelbësorë për ordinancat e tempullit.
Ne kemi njëfarë ndjesie të gëzimit që po ndodh në Kuito, Ekuador; Harare, Zimbabve; Belem, Brazil dhe në Limë, Peru, si tek anëtarët edhe misionarët, në bazë të asaj që ndodhi në Bangkok, Tajlandë, një vit më parë kur ai tempull u njoftua. Motra Shelli Siniër, gruaja e presidentit të atëhershëm të misionit të Bangkokut në Tajlandë, Dejvid Siniërit, u dërgoi një mesazh elektronik familjes dhe miqve për t’u thënë se, pasi ajo dhe bashkëshorti e saj e kishin dëgjuar Presidentin Monson tek e njoftonte atë tempull, kishin pasur “12 orë pa gjumë dhe plot lot lumturie”. Ata u telefonuan ndihmësve të tyre të misionit në orën 23:30 dhe i vunë në dijeni. Ndihmësit u telefonuan të gjithë misionarëve. Raporti u kthye se “i gjithë misioni ishte zgjuar në mes të natës duke u hedhur mbi shtrat”. Motra Siniër i paralajmëroi me të qeshur familjen dhe miqtë: “Ju lutem, mos i tregoni Sektorit të Misionarëve!”4
Përgjigjja e thellë shpirtërore e anëtarëve në Tajlandë ishte po aq e fortë. Kam sigurinë se janë bërë përgatitje shpirtërore në zemrat dhe shtëpitë dhe ka pasur shpërfaqje nga qielli që i përgatitnin shenjtorët atje ku do të ndërtohen këta tempuj të saponjoftuar.
Motra Siniër, në Tajlandë, kishte disa pasqyra të veçanta dore të bëra për mësimdhënien e saj vetjake, veçanërisht me motrat. Gjendej një tempull i gdhendur në pasqyrë me fjalët: “Shikojeni Veten Tuaj në Tempull”. Teksa njerëzit vështronin në pasqyrë, ata e shihnin veten e tyre në tempull. Çifti Siniër i mësoi kërkuesit dhe anëtarët që ta përfytyronin veten e tyre në tempull dhe të bënin ndryshimet e nevojshme të stilit të jetesës dhe përgatitjet shpirtërore për ta përmbushur këtë synim.
Sfida ime këtë mëngjes është për secilin prej nesh, kudo që jetojmë, që ta shikojmë veten tonë në tempull. Presidenti Monson ka shpallur: “Deri sa të keni hyrë në Shtëpinë e Zotit dhe të keni marrë të gjitha bekimet që ju presin atje, ju nuk keni marrë gjithçka që Kisha ka për të ofruar. Bekimet tepër të rëndësishme dhe kurorëzuese të anëtarësisë në Kishë janë ato bekime që i marrim në tempujt e Perëndisë.”5
Pavarësisht mungesës së drejtësisë në botë sot, ne jetojmë në një kohë të shenjtëruar e të shenjtë. Profetët, me zemra të dashura e të përgjëruara, e kanë përshkruar kohën tonë për shekuj.6
Profeti Jozef Smith, duke cituar edhe Abdian7 në Dhiatën e Vjetër, dhe 1 Pjetrin8 në Dhiatën e Re, e njohu qëllimin e madh të Perëndisë për sigurimin e pagëzimit për të vdekurit dhe për lejimin tonë për të qenë shpëtues në Malin Sion.9
Zoti e ka begatuar popullin tonë dhe na ka siguruar burimet dhe udhërrëfimin profetik në mënyrë që të mund të jemi trima për t’i plotësuar përgjegjësitë tona në tempull si për të gjallët, ashtu edhe për të vdekurit.
Për shkak të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, ne e kuptojmë qëllimin e jetës, planin e Atit për shpëtimin e fëmijëve të Tij, sakrificën shëlbuese të Shpëtimtarit dhe rolin qendror të familjeve në organizimin e qiellit.10
Ndërthurja e numrave të rritur të tempujve dhe e teknologjisë së përparuar për t’i përmbushur përgjegjësitë tona të shenjta të historisë familjare për paraardhësit tanë e bëjnë këtë kohën më të bekuar në të gjithë historinë. Unë gëzohem për besnikërinë e jashtëzakonshme të rinisë sonë ndaj indeksimit dhe gjetjes së paraardhësve të tyre dhe më pas bërjes së punës për pagëzimet dhe konfirmimet në tempull. Ju jeni me plot kuptimin e fjalës shpëtuesit e profetizuar në Malin Sion.
Si Përgatitemi për Tempullin?
Ne e dimë se drejtësia dhe shenjtëria janë pjesë thelbësore të përgatitjes për tempull.
Në seksionin 97 te Doktrina e Besëlidhje, lexohet: “Dhe për aq sa njerëzit e mi më ndërtojnë një shtëpi mua në emër të Zotit dhe nuk lejojnë gjëra të papastra të hyjnë në të, që ajo të mos ndotet, lavdia ime do të pushojë në të”11.
Deri në vitin 1861, Presidenti i Kishës nënshkruante çdo rekomandim tempulli për ta mbrojtur shenjtërinë e tempullit. Ajo përgjegjësi më pas iu kalua peshkopëve dhe presidentëve të kunjeve.
Është dëshira jonë e madhe që anëtarët e Kishës do të jetojnë për të qenë të denjë për një rekomandim tempulli. Ju lutem, mos e shikoni tempullin si një synim të largët e ndofta të paarritshëm. Duke punuar me peshkopin e tyre, shumica e anëtarëve mund t’i arrijnë të gjitha kërkesat e drejta në një periudhë relativisht të shkurtër kohore nëse kanë vendosmëri për t’u kualifikuar dhe për t’u penduar plotësisht për shkeljet. Kjo përfshin të qenit të gatshëm për ta falur veten tonë dhe për të mos u përqendruar te papërsosuritë apo mëkatet tona si ato që na shkualifikojnë përgjithmonë për të hyrë në një tempull të shenjtë.
Shlyerja e Shpëtimtarit u krye për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Sakrifica e Tij shëlbuese i përmbush kërkesat e drejtësisë për të gjithë ata që pendohen me të vërtetë. Shkrimet e shenjta e përshkruajnë këtë në mënyrën më të bukur:
“Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”12.
“Dhe nuk do [t’i] kujtoj më [ato].”13
Ne ju sigurojmë se të jetuarit e parimeve të drejta do t’ju sjellë juve dhe familjes suaj lumturi, përmbushje dhe paqe.14 Anëtarët, si ata në moshë madhore dhe të rinjtë15, e garantojnë vetë denjësinë e tyre kur u përgjigjen pyetjeve për rekomandimin e tempullit. Kërkesa thelbësore është të rritet dëshmia jonë për Perëndinë, Atin, Birin e Tij, Jezu Krishtin, e për Rivendosjen e ungjillit të Tij dhe të përjetojmë shërbesën e Frymës së Shenjtë.
Bekimet e Tempullit Janë të Shumta
Bekimet parësore të tempullit janë ordinancat e ekzaltimit. Plani i ungjillit është rreth ekzaltimit dhe përfshin bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta me Perëndinë. Përveç pagëzimit dhe konfirmimit, këto ordinanca e besëlidhje kryhen dhe merren në tempull për të gjallët. Për të vdekurit, të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet shpëtuese merren në tempull.
Brigam Jangu dha mësim: “Nuk ka asgjë që Zoti mund ta bënte për shpëtimin e familjes njerëzore që ai e ka lënë pas dore; … gjithçka që mund të kryhet për shpëtimin e tyre, pavarësisht prej tyre, është kryer në dhe me anë të Shpëtimtarit”16.
Udhëheqësit e Kishës organizojnë kunje, lagje, kuorume, organizata ndihmëse të Kishës, misione, e kështu me radhë në ndërtesat tona kishtare dhe godina të tjera. Zoti i organizon familjet e përjetshme vetëm në tempuj.
Është e qartë se vetëm ata me zemra të thyera e shpirtra të penduar që janë penduar vërtet për mëkatet e tyre, janë tërësisht të pranuar për Zotin në shtëpinë e Tij të shenjtë.17 Ne e dimë se “Perëndia nuk tregohet i anshëm”18 Një nga gjërat e çmuara që i dua nga tempulli, është se midis atyre që e frekuentojnë, nuk ka dallime pasurie, sëre apo pozicioni të asnjë lloji. Ne jemi të gjithë të barabartë përpara Perëndisë. Çdonjëri vishet me të bardha si domethënie se ne jemi një popull i kulluar e i drejtë.19 Të gjithë ulen krah për krah me një dëshirë në zemrat e tyre për të qenë bij e bija të denja të një Ati të dashur Qiellor.
Vetëm mendojeni, përqark botës mbarë gratë dhe burrat munden që, nëpërmjet “ordinanca[ve] dhe besëlidhje[ve të] shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, … të kthehen në praninë e Perëndisë dhe … të bashkohen përjetësisht”20. Ata e bëjnë këtë në dhomën e bukur e të shenjtë të vulosjes në dispozicion të të gjithë anëtarëve të denjë për tempull. Pasi hyjnë në këto besëlidhje, ata mund ta “shiko[jnë] veten [e tyre] në tempull” në pasqyra që janë përballë njëra-tjetrës. “Së bashku pasqyrat në tempull reflektojnë pamje përpara dhe prapa që shtrihen si në përjetësi.”21 Këto pamje të pasqyruara na ndihmojnë të sjellim ndër mend prindërit, gjyshërit dhe të gjithë brezat e mëparshëm. Ato na ndihmojnë t’i njohim besëlidhjet e shenjta që na lidhin me të gjithë brezat që pasojnë. Kjo është jashtëzakonisht domethënëse dhe fillon kur ju e shikoni veten tuaj në tempull.
Presidenti Hauard W. Hanter na këshilloi t’i “m[arrim] parasysh mësimet e mrekullueshme të lutjes së madhërishme përkushtuese të Tempullit të Kirtlandit, një lutje që Profeti Jozef Smith tha se iu dha atij me anë të zbulesës. Është një lutje që vazhdon të marrë përgjigje mbi ne si individë, mbi ne si familje dhe mbi ne si një popull për shkak të fuqisë së priftërisë që Zoti na e ka dhënë për ta përdorur në tempujt e Tij të shenjtë.”22 Ne do të bënim mirë ta studionim seksionin e 109-të të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe ta ndiqnim paralajmërimin e Presidentit Hanter për ta “vendos[ur] tempullin e Zotit si simbolin e madhërishëm të anëtarësisë [sonë]”23.
Tempulli është gjithashtu një vend strehimi, falënderimi, udhëzimi, kuptueshmërie “që [ne] të mund të përsose[mi] … në të gjitha gjërat që çojnë në mbretërinë e Perëndisë mbi tokë”24. Gjatë gjithë jetës sime ai ka qenë një vend qetësie dhe paqeje në një botë që është me plot kuptimin e fjalës në rrëmujë.25 Është e mrekullueshme t’i lësh shqetësimet e botës prapa në atë mjedis të shenjtë.
Shpesh në tempull dhe teksa angazhohemi në kërkime për historinë familjare, ne ndiejmë nxitje dhe kemi përshtypje nga Fryma e Shenjtë.26 Me raste në tempull, veli midis nesh dhe atyre në anën tjetër bëhet shumë i hollë. Ne marrim ndihmë shtesë në përpjekjet tona për të qenë shpëtues në Malin Sion.
Disa vite më parë në një tempull në Amerikën Qendrore, bashkëshortja e njërit prej Autoriteteve tona të Përgjithshme të nderit tani, u erdhi në ndihmë një ati, një nëne dhe fëmijëve të tyre për të marrë besëlidhjet e përjetshme në dhomën e vulosjes ku ndodhen pasqyrat e tempullit. Teksa mbaruan dhe dolën përballë atyre pasqyrave, ajo vuri re se ishte një fytyrë në pasqyrë që nuk ishte në dhomë. Ajo pyeti nënën dhe mësoi se një bijë kishte ndërruar jetë dhe prandaj nuk ishte e pranishme fizikisht. Vajza e vdekur u përfshi pastaj nëpërmjet një mëkëmbëseje në ordinancën e tyre të shenjtë.27 Mos e nënvlerësoni kurrë ndihmën e dhënë në tempuj nga ana tjetër e velit.
Ju lutem, dijeni se sa me zell ne dëshirojmë që çdonjëri të bëjë çfarëdo ndryshimi të nevojshëm për t’u kualifikuar për tempullin. Shqyrtojeni me lutje se ku jeni në jetën tuaj, kërkojeni udhërrëfimin e Shpirtit dhe bisedoni me peshkopin tuaj rreth përgatitjes së vetes suaj për tempullin. Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Nuk ka synim më të rëndësishëm për ju drejt të cilit të punoni, sesa të jeni të denjë për të shkuar në tempull”28.
Shpëtimtari është “Guri Kryesor e i Palëvizshëm i Qoshes i Besimit Tonë dhe i Kishës së Tij”
Pata privilegjin të merrja pjesë me Presidentin Henri B. Ajring në ripërkushtimin e Tempullit të Suvës në Fixhi dy muaj më parë. Ishte një rast i veçantë, i shenjtë. Guximi dhe përshtypjet e forta shpirtërore të Presidentit Ajring e lejuan ripërkushtimin të vazhdonte megjithë ciklonin më të rëndë të regjistruar ndonjëherë në hemisferën jugore. Mbrojtje fizike dhe shpirtërore u sigurua për të rinjtë, misionarët dhe anëtarët.29 Dora e Zotit ishte qartësisht e dukshme. Ripërkushtimi i Tempullit të Suvës në Fixhi ishte një strehë nga stuhia. Shpesh, teksa përjetojmë stuhi të jetës, ne e dëshmojmë dorën e Zotit që na jep mbrojtje të përjetshme.
Përkushtimi i parë i Tempullit të Suvës në Fixhi më 18 qershor 2000, ishte gjithashtu mbresëlënës. Teksa tempulli i afrohej përfundimit, anëtarët e parlamentit u morën peng nga një grup rebelësh. Pjesa qendrore e Suvës në Fixhi u plaçkit e u dogj. Ushtria shpalli ligjin e luftës.
Si President i Zonës, unë shkova me katër presidentë kunji në Fixhi dhe i takova udhëheqësit ushtarakë në kazermat e quajtura Mbretëresha Elizabetë. Pasi ua shpjeguam përkushtimin e propozuar, ata ishin përkrahës por të shqetësuar rreth sigurisë së Presidentit Gordon B. Hinkli. Ata rekomanduan një përkushtim të vogël pa ngjarje jashtë tempullit, si ceremonia e gurit të qoshes. Ata e theksuan se cilido jashtë tempullit mund të ishte një shënjestër e mundshme për dhunë.
Presidenti Hinkli e miratoi një sesion të vogël përkushtues me vetëm presidencën e re të tempullit dhe pak udhëheqës vendorë, askush tjetër nuk u ftua për shkak të rrezikut. Megjithatë, ai shpalli prerazi: “Nëse ne e përkushtojmë vërtet tempullin, ne do ta zhvillojmë ceremoninë e gurit të qoshes sepse Jezu Krishti është guri kryesor i qoshes dhe kjo është Kisha e Tij”.
Kur ne shkuam në fakt jashtë për ceremoninë e gurit të qoshes, atje nuk kishte joanëtarë, fëmijë, media apo të tjerë të pranishëm. Por një profet besnik e tregoi në praktikë zotimin e tij të guximshëm e të palëkundshëm ndaj Shpëtimtarit.
Më vonë Presidenti Hinkli, duke folur për Shpëtimtarin, tha: “Nuk ka asnjë të barabartë me Të. Kurrë nuk ka pasur. Kurrë nuk do të ketë. Falë i qofshim Perëndisë për dhuratën e Birit të Tij të Dashur, që dha jetën e Tij që ne të mund të jetojmë dhe që është grupi kryesor e i palëvizshëm i qoshes i besimit tonë dhe i Kishës së Tij.”30
Vëllezër e motra, unë lutem që secili prej nesh do ta nderojë Shpëtimtarin dhe do të bëjë çfarëdo ndryshimi të nevojshëm për ta shikuar veten tonë në tempujt e Tij të shenjtë. Duke bërë kështu, ne mund t’i arrijmë qëllimet e Tij të shenjta e ta përgatitim veten tonë dhe familjet tona për të gjitha bekimet që Zoti dhe Kisha e Tij mund të japin në këtë jetë dhe në përjetësi. Jap dëshminë time të sigurt se Shpëtimtari jeton. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.