2016
Shndërrimi i të Mësuarit dhe i Mësimdhënies së Ungjillit
Maj 2016


Shndërrimi i të Mësuarit dhe i Mësimdhënies së Ungjillit

Të mësuarit, të jetuarit dhe mësimdhënia e ungjillit janë vendimtare për rritjen tonë vetjake dhe janë pjesë thelbësore e adhurimit tonë në ditën e Shabatit. Si pjesë e përpjekjes së vazhdueshme për t’i ndihmuar anëtarët të rriten teksa ndërtojnë besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe përmirësojnë adhurimin në Shabat, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve paraqitën gjatë mbledhjeve të udhëheqjes së konferencës së përgjithshme një përpjekje të re për ta përmirësuar mësimdhënien dhe të mësuarin e ungjillit. Anëtarët ftohen që:

1. T’i përshtatin parimet te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Ky manual i ri përqendrohet te parimet e thjeshta, por të fuqishme që përdori Kryemësuesi. Synimi për çdo mësues, sikurse shprehet në manual, është që “të japë mësim doktrinën e pastër të ungjillit, me anë të Shpirtit, me qëllim që t’i ndihmojë fëmijët e Perëndisë për ta ndërtuar besimin e tyre te Shpëtimtari dhe për t’u bërë më shumë si Ai”.

Ndonëse manuali synohet për ata me një thirrje për të dhënë mësim, gjithsecilit do t’i duket i dobishëm për të mësuar të japë mësim sipas mënyrës që dha mësim Shpëtimtari. Prindërit mund të përfitojnë nga zbatimi i parimeve brenda broshurës kur japin mësim në shtëpi.

2. Të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të mësuesve. Mbledhjet e këshillit të mësuesve nuk janë njësoj si kurset e mëparshme për përmirësimin e mësuesit. Si këshilla, këto mbledhje do t’u sigurojnë mësuesve mundësi që t’i diskutojnë së bashku e t’i mësojnë nga njëri-tjetri parimet e manualit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Këto mbledhje, që duhen mbajtur një herë në muaj gjatë bllokut të mbledhjeve të së dielës, do të nisin për herë të parë në mbarë botën gjatë gjithë vitit 2016.

3. Të jenë nxënës të zellshëm të ungjillit. Anëtarët dhe mësuesit nxiten të jenë nxënës të zellshëm të ungjillit në shtëpi në mënyrë të ngjashme. Të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit gjatë javës i përgatit anëtarët që të marrin pjesë në mësimet e së dielës, që mund të krijojnë përvoja më kuptimplote të të mësuarit për gjithkënd.

Si fëmijë të Atit tonë Qiellor, ne të gjithë e kemi potencialin që të bëhemi si Ai. Çdokush që është i gatshëm ta mësojë e ta jetojë ungjillin mund të bëhet më shumë si prindërit tanë qiellorë e mund të kthehet të jetojë me ta. Adhurimi në Kishë dhe në shtëpi na ndihmon ta ndërtojmë atë lloj besimi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.