2016
Për t’i Shpëtuar: Ne Mund Ta Bëjmë
Maj 2016


Për t’i Shpëtuar: Ne Mund Ta Bëjmë

Zoti ka siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për ne që të shkojmë për t’i shpëtuar miqtë tanë më pak aktivë dhe joanëtarë.

Shpëtimtari e kuptoi qartësisht misionin e Tij për të shpëtuar fëmijët e Atit tonë Qiellor, sepse Ai deklaroi:

“Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur. …

[Sepse] kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej,asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë.”1

Nëna ime engjëllore, Xhasmin Benion Arnold, e kuptoi qartësisht rolin e saj për të ndihmuar në shpëtimin e deles së plagosur apo të humbur të Atit tonë Qiellor, përfshirë fëmijët apo nipërit e mbesat e veta. Çfarë roli të mrekullueshëm mund të luajnë gjyshërit në jetën e nipërve dhe mbesave të tyre.

Mami zakonisht caktohej të kryente vizita mësimore tek ata që ndesheshin me vështirësi me besimin e tyre, më pak aktivët dhe familjet pjesërisht anëtare; sidoqoftë, grupi i saj përfshinte të tjerë që nuk ia kishte caktuar askush t’i vizitonte. Në përgjithësi vizitat e saj nuk ishin vetëm një në muaj, ndërsa ajo qetësisht dëgjonte, shërbente te të sëmurët dhe jepte guxim me dashuri. Muajt e fundit të jetës së saj, nëna nuk lëvizte nga shtëpia, prandaj kalonte orë të tëra duke u shkruar atyre letra, duke u shprehur dashurinë e saj, duke u dhënë dëshminë e saj dhe duke forcuar ata që vinin ta vizitonin.

Ndërsa shkojmë për t’i shpëtuar, Perëndia na jep forcë, guxim dhe bekime. Kur Ai e urdhëroi Moisiun për të shpëtuar fëmijët e Izraelit, Moisiu u tremb, njësoj siç tremben shumë prej nesh. Moisiu kërkoi falje, duke thënë: “Unë nuk jam njeri i gojës; … sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend”2.

Zoti e siguroi përsëri Moisiun:

“Kush e ka bërë gojën e njeriut? … A nuk jam unë vallë, Zoti?

Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash.”3

Në fakt, Zoti i tha Moisiut: “Ti mund ta bësh!” Dhe e dini çfarë, kështu mundemi edhe ne!

Më lejoni të ndaj katër parime që do të na ndihmojnë në përpjekjet tona për shpëtim.

Parimi 1: Ne nuk Duhet ta Vonojmë Shkuarjen për t’i Shpëtuar

Plaku Alehandro Patanía, ish-I Shtatëdhjetë Zonal, tregon historinë e vëllait të tij më të vogël, Danielit, që doli në det për të peshkuar me ekuipazhin e vet. Pas një kohe, Danieli mori një paralajmërim urgjent se një stuhi e madhe po afrohej me shpejtësi. Menjëherë, Danieli dhe ekuipazhi i tij u nisën për në port.

Duke lundruar për në det të hapur

Ndërsa stuhia forcohej, motori i një barke peshkimi në afërsi pushoi së punuari. Ekuipazhi i Danielit i hodhi një cimë me grep barkës së bllokuar dhe filloi ta tërheqë drejt sigurisë. Ata dhanë sinjal me radio për ndihmë, duke e ditur se, me forcimin e stuhisë, atyre u duhej ndihmë e menjëhershme.

Stuhia po forcohej

Ndërsa të dashurit pritnin me ankth, përfaqësues nga roja bregdetare, shoqata e peshkatarëve dhe forca ushtarako-detare u takuan për caktimin e strategjisë më të mirë të shpëtimit. Disa donin të niseshin menjëherë por u thanë të pritnin për një plan. Ndërsa ata në stuhi vijonin të luteshin për ndihmë, përfaqësuesit vijonin mbledhjen, duke u përpjekur të binin dakord për protokollin e duhur dhe një plan.

Të dashurit duke pritur me ankth

Kur më në fund u organizua një grup shpëtimi, erdhi një thirrje e fundit e dëshpëruar. Stuhia e tërbuar pati këputur litarin midis dy barkave dhe ekuipazhi i Danielit po kthehej prapa për të parë nëse mund të shpëtonin kolegët peshkatarë. Në fund, të dy barkat u fundosën dhe ekuipazhet e tyre, përfshirë vëllanë e Plakut Patanía, humbën.

Të dyja barkat humbën.

Plaku Patanía e krahasoi këtë tragjedi me paralajmërimin e Zotit kur Ai tha: “Nuk [e] keni forcuar … [ose] rikthyer në shtëpi të hutuarën … [ose] nuk e keni kërkuar të humburën … [dhe] do t’u kërkoj llogari për delet e mia”4.

Plaku Patanía shpjegoi se, ndërsa duhet të jemi të organizuar në këshillat, kuorumet, organizatat tona ndihmëse, madje edhe si individë, nuk duhet të vonohemi për të shkuar për t’i shpëtuar. Ndonjëherë kalojnë shumë javë ndërsa flasim rreth mënyrës se si të ndihmojmë familje apo individë që janë në nevojë të veçantë. Ne mendojmë me kujdes rreth asaj se cili do t’i vizitojë dhe si do t’u qasemi. Ndërkohë, vëllezërit dhe motrat tona të humbura vazhdojnë të kenë nevojë dhe herë-herë madje të thërrasin dhe të luten për ndihmë. Ne nuk duhet të vonohemi.

Parimi 2: Ne Kurrë nuk Duhet të Dorëzohemi

Presidenti Tomas S. Monson, që i ka rënë borisë që thërret për të shkuar për t’i shpëtuar, vërejti: “Duhet t’u kujtojmë anëtarëve tanë se nuk është kurrë tepër vonë kur është fjala për … anëtarët tanë më pak aktivë … të cilët mund të kenë qenë konsideruar si çështje e pashpresë”5.

Si shumë prej jush, unë e kam ndarë ungjillin me disa që janë pagëzuar ose janë aktivizuar shpejt dhe të tjerë – të tillë si miku im joanëtar Tim dhe bashkëshortja e tij pak aktive, Sharlinë – që kërkojnë shumë më tepër kohë.

Për më shumë se 25 vite unë u mora me biseda mbi ungjillin me Timin dhe i mora Timin dhe Sharlinën në shtëpi të hapura tempulli. Të tjerë iu bashkuan shpëtimit, gjithsesi Timi e shmangte çdo ftesë që i bëhej për të takuar misionarët.

Një fundjavë isha caktuar të kryesoja një konference kunji. I pata kërkuar presidentit të kunjit që të agjëronte dhe të lutej për ata që duhej të vizitonim. Unë u trondita kur më dorëzoi emrin e mikut tim Tim. Kur peshkopi i Timit, presidenti i kunjit dhe unë trokitëm në derë, Timi e hapi, më pa mua, pa peshkopin dhe mandej tha: “Peshkop, unë mendova se më thatë që do të sillnit dikë të veçantë!”

Pastaj Timi qeshi dhe tha: “Eja brenda, Merv”. Një mrekulli ndodhi atë ditë. Timi tani është pagëzuar dhe ai dhe Sharlina janë vulosur në tempull. Ne nuk duhet të dorëzohemi kurrë.

Timi dhe Sharlina në tempull

Parimi 3: Sa i Madh do të Jetë Gëzimi Juaj nëse Sillni Qoftë edhe një Shpirt në Krisht

Shumë vite më parë në një konferencë të përgjithshme fola për mënyrën se si Hozé de Suza Markes i kuptoi fjalët e Shpëtimtarit që, “nëse ndonjë mes jush është i fortë në Shpirt, le të marrë me vete atë që është i dobët, që ai … të mund të forcohet gjithashtu”6.

Vëllai Markes e dinte emrin e çdo deleje në kuorumin tij të priftërisë dhe kuptoi se Fernandoja mungonte. Ai pyeti për Fernandon në shtëpinë e tij, pastaj e kërkoi në shtëpinë e një miku dhe madje shkoi edhe në plazh.

Duke shpëtuar Fernandon

Më në fund e gjeti Fernandon duke bërë sërfing në oqean. Ai nuk ngurroi derisa barka të fundosej, si te historia e Danielit. Ai u fut menjëherë në ujë për ta shpëtuar delen e tij të humbur, duke e sjellë në shtëpi me gëzim.7

Duke siguruar që Fernandoja nuk do ta lërë grupin

Pastaj ai u sigurua nëpërmjet një shërbese të vazhdueshme që Fernandoja të mos e linte kurrë grupin.8

Më lejoni t’ju njoftoj mbi çfarë ndodhi qëkurse Fernandoja u shpëtua dhe të ndaj gëzimin që erdhi nga shpëtimi i vetëm një deleje të humbur. Fernandoja u martua me të dashurën e tij, Marien, në tempull. Ata kanë tani 5 fëmijë dhe 13 nipër e mbesa, të cilët janë të gjithë aktivë në Kishë. Shumë të afërm të tjerë dhe familjet e tyre gjithashtu i janë bashkuar Kishës. Së bashku ata kanë paraqitur mijëra emra të paraardhësve të tyre për të marrë ordinancat e tempullit dhe bekimet thjesht vazhdojnë.

Familja e Fernandos

Fernandoja tani po shërben si peshkop për herë të tretë dhe ai vijon të shpëtojë [njerëz], ashtu sikurse ai u shpëtua. Së fundi ai tregoi: “Në lagjen tonë, kemi 32 të rinj të Priftërisë Aarone aktivë, 21 prej të cilëve u shpëtuan gjatë 18 muajve të fundit”. Si individë, familje, kuorume, organizata ndihmëse, klasa, si dhe si mësues shtëpie dhe mësuese vizitore, ne mund ta bëjmë këtë!

Të rinjtë e Fernandos

Parimi 4: Pavarësisht nga Mosha Jonë, Ne të Gjithë Jemi Thirrur të Shkojmë për t’i Shpëtuar

Presidenti Henri B. “Cilado qoftë mosha, aftësia, thirrja në Kishë apo vendndodhja jonë, ne jemi thirrur të punojmë të bashkuar për të ndihmuar [Shpëtimtarin] në mbledhjen e Tij të shpirtrave derisa Ai të vijë përsëri”.9

Çdo ditë gjithnjë e më shumë nga fëmijët tanë, rinia jonë, të rinjtë beqarë në moshë madhore dhe anëtarët tanë të rritur të të gjitha moshave po e dëgjojnë thirrjen e Shpëtimtarit për të shkuar për t’i shpëtuar. Ju faleminderit për përpjekjet tuaja! Më lejoni të jap disa shembuj:

Emi, 7 vjeçe, e ftoi mikeshën e vet, Arianën dhe familjen e saj te programi i saj vjetor i mbledhjes së sakramentit i Fillores. Disa muaj më vonë, Ariana dhe familja e saj u pagëzuan.

Aleni, një i ri në moshë madhore beqar, u ndie i frymëzuar të ndante video të Kishës, Mesazhe Mormone, dhe vargje nga shkrimet e shenjta me të gjithë miqtë duke përdorur mediat shoqërore.

Motra Rivs filloi ta shpërndante ungjillin te çdo blerës që telefononte.

Xhejmsi ftoi mikun e tij joanëtar Shejn në pagëzimin e bijës së tij.

Spenceri i dërgoi motrës së tij pak aktive një hallkë lidhëse interneti për bisedën e Presidentit Rusell M. Nelson në konferencë dhe njoftoi: “Ajo e lexoi bisedën dhe një dritare e re u hap”.

Zoti ka siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për ne që të shkojmë për t’i shpëtuar miqtë tanë më pak aktivë dhe joanëtarë. Ne të gjithë mund ta bëjmë këtë!

Unë ftoj secilin nga ju t’i kushtojë vëmendje thirrjes për të shkuar për t’i shpëtuar. Ne mund ta bëjmë këtë!

Unë dëshmoj solemnisht se unë e di që Jezusi është Bariu i Mirë, që Ai na do dhe Ai do të na bekojë ndërsa ne shkojmë për t’i shpëtuar. Unë e di se Ai jeton; unë e di këtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.