2016
Vendi i Shenjtë i Rivendosjes
Maj 2016


Vendi i Shenjtë i Rivendosjes

Palmira ishte skena e rivendosjes, ku do të dëgjohej zëri i Atit pas afro dy mijëvjeçarësh.

Një miku im i mirë, i cili ishte anëtar Kishe, u përpoq me vite që të ma mësonte ungjillin e familjeve të përjetshme. Nuk ndodhi deri në çastin kur mora pjesë në shtëpinë e hapur të tempullit të San-Paolos, në Brazil, në tetor të vitit 1978, kur hyra në një dhomë vulosjeje, që doktrina e familjeve të përjetshme hyri në zemrën time dhe për ditë me radhë u luta të dija nëse kjo ishte Kisha e vërtetë.

Unë nuk isha fetar, por isha rritur nga prindër të cilët ishin fetarë, dhe unë kisha parë atë që ishte e mirë në fetë e tjera. Në atë periudhë të jetës sime, unë mendova se të gjitha fetë ishin të pranueshme nga Perëndia.

Pas vizitës sime në shtëpinë e hapur të tempullit, unë kërkova një përgjigje nëpërmjet lutjes, duke pasur besim dhe një vetëbesim të sigurt që Perëndia do të më përgjigjej për pyetjen se cila ishte Kisha e Tij në tokë.

Pas një mundimi të madh shpirtëror, më në fund mora një përgjigje të qartë. Unë u ftova që të pagëzohesha. Pagëzimi im ndodhi më 31 tetor 1978, natën përpara se të mbahej sesioni i përkushtimit të tempullit të San-Paolos.

Unë e kuptova që Zoti më njihte dhe kujdesej për mua, kur Ai iu përgjigj lutjeve të mia.

Mëngjesin tjetër, gruaja ime dhe unë shkuam në San-Paolo për të marrë pjesë në një sesion përkushtimi të tempullit.

Ne ishim atje, por nuk e dija ende vërtet se si ta vlerësoja atë mundësi të mrekullueshme. Ditën vijuese ne morëm pjesë në një konferencë të zonës.

Ne e kishim filluar udhëtimin tonë në Kishë dhe gjetëm miq të mirë, të cilët na mirëpritën gjatë këtij ndryshimi në jetën tonë.

Klasat e anëtarëve të rinj ku morëm pjesë çdo javë në mbledhjet tona të së dielës, ishin të mrekullueshme. Ato na mbushën me njohuri dhe na bënë të dëshironim që java të kalonte shpejt, në mënyrë që të dielën të mund të merrnim më shumë nga ai ushqim shpirtëror.

Gruaja ime dhe unë pritnim me padurim të hynim në tempull që familjet tona të vuloseshin për përjetësinë. Kjo ndodhi një vit e shtatë ditë më vonë nga pagëzimi im, i cili ishte një moment i mrekullueshëm. Ndjeva sikur përjetësitë ishin ndarë në altar midis asaj që erdhi përpara dhe midis asaj që erdhi pas vulosjes.

Duke qenë se jetonim ligjërisht prej disa vitesh në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, i njihja disa nga qytetet dhe në përgjithësi ato ishin të vogla.

Kur lexoja ose dëgjoja për ngjarjet që çuan në Vegimin e Parë, përmendeshin turma njerëzish, gjë e cila nuk përbënte kuptim për mua.

Pyetjet filluan të vinin në mendjen time. Përse Kisha duhej të rivendosej në Shtetet e Bashkuara dhe jo në Brazil ose Itali, në tokën e paraardhësve të mi?

Ku ishin ato turma njerëzish që ishin përfshirë në rigjallërimin e në pështjellimin e feve – të cilat kishin ndodhur të gjitha në një vend të tillë kaq paqësor e të qetë?

Unë pyeta shumë njerëz për këtë, por nuk mora asnjë përgjigje. Lexova në portugalisht çdo gjë që mund të lexoja, e më pas në anglisht por nuk gjeta asgjë që të mund të ma qetësonte zemrën. Unë vazhdova të kërkoja.

Në tetor të vitit 1984, mora pjesë në konferencën e përgjithshme si këshilltar në një presidencë të kunjit. Pastaj shkova në Palmira të Nju-Jorkut, i etur për ta gjetur përgjigjen.

Me të mbërritur, u përpoqa të kuptoja: Përse duhet të ndodhte Rivendosja këtu e përse gjithë kjo potere shpirtërore? Nga erdhën të gjithë njerëzit e përmendur në rrëfimin e Jozefit? Përse atje?

Në atë kohë, përgjigjja më e arsyeshme për mua ishte se kushtetuta e SHBA-së garantonte lirinë.

Atë mëngjes unë vizitova ndërtesën Grandin, ku u shtyp botimi i parë i Librit të Mormonit. Shkova në Korijen e Shenjtë, ku u luta shumë.

Vështirë se gjeje ndokënd rrugës në atë qytezë të vogël të Palmirës. Ku ishin turmat e njerëzve që kishte përmendur Jozefi?

Atë pasdite unë vendosa të shkoja në fermën e Piter Uitmerit dhe, kur mbërrita atje, gjeta një burrë te dritarja e një kasolleje. Ai kishte një shkëlqim të fortë në sytë e tij. E përshëndeta e më pas fillova t’i bëja po të njëjtat pyetje.

Ai pastaj më pyeti: “A keni kohë?” Unë i thashë po.

Ai shpjegoi se liqenet Erie dhe Ontario e më poshtë në lindje lumi Hadson, ndodheshin në atë krahinë.

Në vitet e hershme të 1800-ës njerëzit vendosën të ndërtonin një kanal lundrimi, i cili do të kalonte nëpër atë krahinë, duke e shtrirë në më shumë se 480 km, që të arrinte te lumi Hadson. Ishte një nismë madhështore për atë kohë dhe ata mund të mbështeteshin vetëm në fuqinë e krahut dhe në forcën e kafshëve.

Palmira ishte qendra për sa u përket disa ndërtimeve. Ndërtuesit kishin nevojë për njerëz ustallarë, teknikë, familjet dhe miqtë e tyre. Shumë njerëz filluan të vërshonin nga qytezat fqinje dhe nga vende të largëta, të tilla si Irlanda, që të punonin për kanalin.

Ai ishte një moment kaq i shenjtë e shpirtëror sepse më në fund e kisha gjetur turmën. Ata sollën zakonet dhe besimet e tyre. Kur burri i përmendi besimet e tyre, mendja ime u ndriçua dhe sytë e mi shpirtërorë m’u hapën nga Perëndia.

Në atë çast, unë e kuptova se si dora e Perëndisë, Atit tonë, me diturinë e Tij të pamasë, e kishte përgatitur në planin e Tij një vend për ta sjellë të riun Jozef Smith, duke e vënë atë në mes të atij pështjellimi fetar, sepse atje, në kodrën Kumorah, ishin fshehur fletët e çmuara të Librit të Mormonit.

Kjo ishte skena e Rivendosjes, ku zëri i Atit do të dëgjohej pas afro dy mijëvjeçarësh, në një vegim të mrekullueshëm, duke i folur djaloshit Jozef Smith, kur ai shkoi në Korijen e Shenjtë për t’u lutur dhe dëgjoi: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”1

Atje ai pa dy personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcente të gjitha përshkrimet. Po, Perëndia ia zbuloi Veten sërish njerëzve. Errësira që e mbulonte tokën, filloi të venitej.

Profecitë lidhur me Rivendosjen, filluan të përmbusheshin. “Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli.”2

Brenda fare pak vitesh, Jozefi u udhëhoq drejt dokumenteve të profecive, besëlidhjeve dhe ordinancave të lëna nga profetët e lashtë, drejt Librit tonë të dashur të Mormonit.

Kisha e Jezu Krishtit nuk mund të rivendosej pa ungjillin e përjetshëm të zbuluar në Librin e Mormonit si një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit, madje Birit të Perëndisë, Qengjit të Zotit, i cili i mori mëkatet e botës.

Krishti u tha njerëzve të Tij në Jerusalem:

“Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe”3.

“Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.”4

Kur u largova nga ferma Uitmer, unë nuk mbaj mend të kem thënë mirupafshim. Mbaj mend vetëm lotët që më rridhnin lirisht në faqe. Dielli po perëndonte në një qiell të bukur.

Në zemrën time një gëzim dhe paqe e pamasë ma qetësoi shpirtin. U mbusha me mirënjohje.

Tani e kuptova qartë shkakun. Edhe njëherë Zoti më kishte dhënë njohuri dhe dritë.

Gjatë udhëtimit për në shtëpi, shkrimet e shenjta vazhduan të më vërshonin në mendje: premtimet që iu bënë Atit Abraham, që në farën e tij të gjitha familjet e tokës do të bekoheshin.5

Dhe për këtë arsye, do të ngriheshin tempuj, në mënyrë që fuqia hyjnore t’i jepej njeriut edhe njëherë në tokë, që familjet të mund të ishin të bashkuara, jo derisa vdekja të na ndajë por bashkë për gjithë përjetësinë.

“Në ditët e fundit do të ij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet.”6

Nëse ju që po dëgjoni, mund të keni ndonjë pyetje në zemrën tuaj, mos u dorëzoni!

Unë ju ftoj ta ndiqni shembullin e profetit Jozef Smith kur ai lexoi te Jakobi [Bibël] 1:5: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”.

Ajo që ndodhi në Kumorah, ishte një pjesë e rëndësishme e Rivendosjes, kur Jozef Smithi i mori fletët, të cilat përmbanin Librin e Mormonit. Ky libër na ndihmon të afrohemi më pranë Krishtit sesa ndonjë libër tjetër në tokë.7

Unë ndaj dëshminë time se Zoti i ngriti profetët, shikuesit e zbuluesit që ta udhëheqin mbretërinë e Tij në këto ditë të fundit dhe se, në planin e Tij të përjetshëm, familjet janë bërë për të qenë së bashku përgjithmonë. Ai kujdeset për fëmijët e Tij. Ai iu përgjigjet lutjeve tona.

Për shkak të dashurisë së Tij të madhe, Jezu Krishti shleu për mëkatet tona. Ai është Shpëtimtari i botës. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.