Etërit
Unë përqendrohem sot tek e mira që burrat mund të bëjnë në rolet më të larta mashkullore – të bashkëshortit dhe të atit.
Unë sot flas për etërit. Etërit janë themelorë në planin hyjnor të lumturisë dhe dëshiroj të ngre një zë inkurajimi për ata që po përpiqen fort që ta përmbushin mirë atë thirrje. Që të lavdërojmë dhe nxitim atësinë dhe etërit, nuk është që ta turpërojmë apo zhvleftësojmë ndonjë tjetër. Unë thjesht përqendrohem sot tek e mira që burrat mund të bëjnë në rolet më të larta mashkullore – të bashkëshortit dhe të atit.
Dejvid Blankenhorni, autori i librit Fatherless America [Amerika Pa Etër], ka vëzhguar: “Sot, shoqëria amerikane është thellësisht e ndarë dhe e pavendosur rreth idesë së atësisë. Disa njerëz as nuk e kujtojnë atë. Të tjerë fyhen prej saj. Të tjerë, përfshirë më shumë se disa studiues të familjes, e lënë pas dore ose e përçmojnë atë. Shumë të tjerë nuk janë veçanërisht kundër saj, as nuk zotohen veçanërisht për të. Shumë njerëz dëshirojnë që ne të mund të vepronim sipas saj, por besojnë se shoqëria jonë thjesht nuk mund ta bëjë më ose nuk do ta bëjë më atë.”1
Si Kishë, ne besojmë tek etërit. Ne besojmë në “modelin ideal të burrit që e vë familjen e tij të parën”2. Ne besojmë se “nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre”3. Ne besojmë se në detyrat e tyre familjare, plotësuese për njëra-tjetrën, “etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë”4. Ne besojmë se në të kundërt të të qenit të panevojshëm, etërit janë të pakrahasueshëm dhe të pazëvendësueshëm.
Disa njerëz e shohin dobinë e atësisë në kuptimin shoqëror, si diçka që i detyron burrat ndaj fëmijëve të tyre, duke i shtyrë të jenë qytetarë të mirë dhe të mendojnë rreth nevojave të të tjerëve, duke e plotësuar “investimin amësor te fëmijët me investimin atësor te fëmijët. … Shkurt, thelbësore për burrat është të jenë etër. Thelbësore për fëmijët është të kenë etër. Thelbësore për shoqërinë është që të krijojë etër.”5 Ndërkohë që këto pikëpamje janë sigurisht të vërteta dhe të rëndësishme, ne e dimë se atësia është më shumë sesa një koncept shoqëror apo produkt i evolucionit. Roli i atit është i një origjine hyjnore, duke filluar me një Atë në Qiell dhe, në këtë sferë të vdekshmërisë, me Atin Adam.
Shembulli i përsosur hyjnor i atësisë është Ati ynë Qiellor. Karakteri dhe tiparet e Tij përfshijnë mirësi të bollshme dhe dashuri të përsosur. Vepra dhe lavdia e Tij janë zhvillimi, lumturia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij.6 Etërit në këtë botë të rënë mund të shpallin se nuk mund të krahasohen me Madhërinë e Qiellit, por në gjithçka munden, ata po përpiqen t’i përngjasin Atij dhe me të vërtetë punojnë në veprën e Tij. Ata nderohen me një mirëbesim mbresëlënës dhe qartësues.
Sepse burra, atësia na i vë në dukje vetë dobësitë tona dhe nevojën tonë për t’u përmirësuar. Atësia kërkon sakrificë, por është burim i kënaqësisë, madje gëzimit të pakrahasueshëm. Sërish, modeli përfundimtar është Ati ynë Qiellor, i cili na donte kaq shumë ne, fëmijët e Tij shpirtërorë, sa Ai na dha Birin e Tij të Vetëmlindur për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë.7 Jezusi tha: “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij”8. Etërit e shfaqin atë dashuri kur ata e japin jetën e tyre ditë për ditë, duke punuar në shërbim dhe mbështetje të familjeve të tyre.
Ndoshta puna më thelbësore e një ati është t’i kthejë zemrat e fëmijëve të tij drejt Atit të tyre Qiellor. Nëse me anë të shembullit të tij, si edhe fjalëve të tij, një atë mund të tregojë se si duket besnikëria ndaj Perëndisë në të jetuarin e përditshëm, ai atë do t’u ketë dhënë fëmijëve të tij kyçin drejt paqes në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen.9 Një atë që ua lexon shkrimet e shenjta fëmijëve të tij dhe i lexon ato së bashku me ta, i bën ata të njihen me zërin e Zotit.10
Ne gjejmë në shkrimet e shenjta një theksim të përsëritur mbi detyrimin atësor për t’u dhënë mësim fëmijëve të vet:
“Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion ose në ndonjë nga kunjat e tij që organizohen, të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve. …
Dhe ata gjithashtu duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit.”11
Në vitin 1833, Zoti i qortoi anëtarët e Presidencës së Parë për vëmendjen e pamjaftueshme ndaj detyrës së dhënies mësim fëmijëve të tyre. Njërit Ai i tha veçanërisht: “Ti nuk i ke mësuar fëmijët e tu në dritë e të vërtetë, sipas urdhërimeve; dhe ai i ligu ka fuqi tashmë mbi ty dhe ky është shkaku i mjerimit tënd.”12.
Etërit duhet t’ia mësojnë sërish ligjin dhe veprat e Perëndisë çdo brezi. Sikurse shpalli psalmisti:
“Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,
dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij”13.
Sigurisht mësimdhënia e ungjillit është një detyrë që ndahet midis etërve dhe nënave, por Zoti është i qartë që Ai pret që etërit të jenë përgjegjës në bërjen e saj një përparësi kryesore. (Dhe le të kujtojmë se bashkëbisedimet e zakonshme, puna e loja së bashku dhe dëgjimi janë pjesë të rëndësishme përbërëse të mësimdhënies.) Zoti pret që etërit të ndihmojnë për t’i formuar fëmijët e tyre dhe fëmijët dëshirojnë dhe kanë nevojë për një model.
Unë vetë u bekova me një atë shembullor. Më kujtohet se, kur isha një djalë rreth 12-vjeçar, ati im u bë kandidat për këshillin e qytetit në komunitetin tonë paksa të vogël. Ai nuk ngriti një fushatë të gjerë zgjedhjesh – gjithçka më kujtohet ishte që babai i bëri vëllezërit e mi dhe mua të shpërndanim kopje të një fletushke derë më derë, duke i nxitur njerëzit të votonin për Pol Kristofersonin. Pati një numër të rriturish, të cilëve ua dhashë fletushkën, që vërejtën se Poli ishte një burrë i mirë e i ndershëm dhe se ata nuk do të kishin problem të votonin për të. Zemra ime djaloshare u mbush me krenari për atin tim. Ajo gjë më dha vetëbesim dhe dëshirë për t’i ndjekur hapat e tij. Ai nuk ishte i përsosur – askush nuk është – por ishte i drejtë e i mirë dhe një shembull frymëzues për një bir.
Disiplina dhe korrigjimi janë pjesë e mësimdhënies. Sikurse tha Pali: “Sepse Perëndia ndreq atë që do”14. Por me disiplinën një atë duhet të ushtrojë përkujdesje të veçantë që të mos ketë ndonjë gjë që madje i afrohet keqtrajtimit, për të cilin nuk ka kurrë shfajësim. Kur një atë jep korrigjim, qëllimi i tij duhet të jetë dashuria dhe udhërrëfyesi i tij Shpirti i Shenjtë:
“Duke qortuar në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që e ke qortuar, që ai të mos të të vlerësojë si armikun e tij;
Që ai të mund ta dijë se besnikëria jote është më e fortë se zinxhirët e vdekjes.”15
Disiplina në modelin hyjnor nuk është aq rreth ndëshkimit sesa është rreth të ndihmuarit të një njeriu të dashur përgjatë shtegut të përmirësimit të vetvetes.
Zoti ka thënë se të “gjithë fëmijët kanë të drejtë t’u kërkojnë prindërve të tyre për t’i mbajtur, derisa ata të arrijnë moshën”16. Fitimi i bukës së gojës është një veprimtari e shenjtë. Sigurimi material për familjen e tij, edhe pse në përgjithësi kërkon kohë larg nga familja, nuk është diçka që nuk përputhet me atësinë – ai është thelbi i të qenit një atë i mirë. “Puna dhe familja janë përgjegjësi të mbivendosura.”17 Kjo, sigurisht, nuk e shfajëson një burrë i cili e lë pas dore familjen e tij për shkak të karrierës së tij ose, në skajin tjetër, një burrë i cili nuk përpiqet vetë dhe është i kënaqur që ta zhvendosë përgjegjësinë e tij te të tjerët. Me fjalët e mbretit Beniamin:
“Ju nuk do të lejoni fëmijët tuaj që ata të jenë të uritur ose të zhveshur; as nuk do të lejoni që ata të shkelin ligjet e Perëndisë dhe të luftojnë dhe të grinden me njëri-tjetrin. …
Por, ju do t’u mësoni atyre të ecin në udhët e së vërtetës dhe të maturisë; ju do t’u mësoni atyre të duan njëri-tjetrin dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit.”18
Ne e kuptojmë agoninë e burrave që nuk janë në gjendje të gjejnë mënyra dhe mjete që t’i mbështetin siç duhet familjet e tyre. Nuk është turp për ata që, në një çast të dhënë, pavarësisht nga përpjekjet e tyre më të mira, nuk mund t’i plotësojnë të gjitha detyrat dhe funksionet e etërve. “Paaftësia, vdekja ose rrethana të tjera mund të bëjnë të nevojshme përshtatjen ose ndryshimin e këtyre roleve. Të afërm të tjerë duhet të ndihmojnë kur është e nevojshme.”19
Dashuria për nënën e fëmijëve të tij – dhe të treguarit e asaj dashurie – janë dy prej gjërave më të mira që një atë mund të bëjë për fëmijët e tij. Kjo e ripohon dhe forcon martesën që është themeli i jetës dhe sigurisë së tyre familjare.
Disa burra janë etër të vetëm, burra që përkohësisht kanë fëmijë nën kujdestari, ose njerkër. Shumë prej tyre përpiqen fuqishëm dhe bëjnë gjithçka munden në një rol shpesh të vështirë. Ne i nderojmë ata që e bëjnë gjithçka që mund të bëhet, me dashuri, durim dhe vetëmohim, për të plotësuar nevojat individuale dhe familjare. Duhet të vihet re se Perëndia Vetë ia besoi Birin e Tij të Vetëmlindur një babai përkujdesës. Sigurisht që një pjesë e lavdërimit i shkon Jozefit për faktin që, teksa Jezusi rritej, ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”20.
Për fat të keq, për shkak të vdekjes, braktisjes apo divorcit, disa fëmijë nuk kanë etër që të jetojnë me ta. Disa mund të kenë etër që janë të pranishëm fizikisht, por që mungojnë emocionalisht apo në mënyra të tjera janë të pavëmendshëm ose mospërkrahës. U bëjmë thirrje të gjithë etërve që të veprojnë më mirë e të jenë më të mirë. U bëjmë thirrje mjeteve të informimit dhe argëtimit që të portretizojnë etër të përkushtuar dhe të aftë, të cilët me të vërtetë i duan gratë e tyre dhe me mendjemprehtësi i udhërrëfejnë fëmijët e tyre, në vend të qullashëve dhe palaçove apo “meshkujve që shkaktojnë probleme”, siç përshkruhen tepër shpesh etërit.
Fëmijëve, gjendja familjare e të cilëve është e shqetësuar, ne ju themi, ju vetë nuk keni më pak vlerë për shkak të saj. Sfidat janë nganjëherë një tregues i mirëbesimit të Zotit te ju. Ai mund t’ju ndihmojë, drejtpërsëdrejti dhe nëpërmjet të tjerëve, që të ndërveproni me atë që po përballeni. Ju mund të bëheni brezi, ndoshta brezi i parë në familjen tuaj, ku modelet hyjnore që Perëndia i ka shuguruar për familjet, me të vërtetë marrin formë dhe i bekojnë gjithë brezat pas jush.
Të rinjve, duke e dalluar rolin që do të keni si sigurues dhe mbrojtës, ne ju themi, përgatituni tani duke qenë të zellshëm në shkollë dhe duke planifikuar për trajnimin pas shkollës së mesme. Arsimimi, qoftë në një universitet, shkollë profesionale, stazh pune apo në një program të ngjashëm, është kyçi për zhvillimin e aftësive dhe zotësive që do t’ju nevojiten. Përfitoni nga mundësitë që të shoqëroheni me njerëz të të gjitha moshave, duke përfshirë fëmijët, dhe që të mësoni se si të krijoni marrëdhënie të shëndetshme dhe shpërblyese. Kjo zakonisht do të thotë të flisni ballë për ballë me njerëzit dhe nganjëherë të bëni gjëra së bashku, jo thjesht t’i përsosni aftësitë tuaja të dërgimit të mesazheve me celular. Jetojeni jetën tuaj në mënyrë që, si burrë, ju do t’u sillni pastërti martesës suaj dhe fëmijëve tuaj.
Gjithë brezit të ri, ne i themi, sido që ta gjykoni vetë atin tuaj në shkallën i mirë–më i mirë–më i miri (dhe parashikoj që gjykimi do të jetë më i lartë ndërkohë që rriteni dhe piqeni), merrni vendim ta nderoni atin dhe nënën tuaj nëpërmjet mënyrës se si e jetoni vetë jetën tuaj. Kujtojeni shpresën e dëshiruar të një ati siç shprehet nga Gjoni: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën”21. Drejtësia juaj është nderi më i madh që mund të marrë cilido atë.
Vëllezërve të mi, etërve në këtë Kishës, unë ju them se e di që ju uroni të ishit një atë më i përkryer. E di se do të doja të isha edhe vetë. Edhe pse kështu, pavarësisht nga kufizimet tona, le të shkojmë përpara. Le t’i lëmë mënjanë idetë e tepruara të individualizmit e pavarësisë në kulturën e sotme dhe të mendojmë fillimisht për lumturinë dhe mirëqenien e të tjerëve. Sigurisht, pavarësisht nga papërshtatshmëritë tona, Ati ynë Qiellor do të na lartësojë dhe do t’i bëjë përpjekjet tona të thjeshta që të japin fryt. Gjej kurajë nga një tregim që u botua në revistën New Era disa vite më parë. Autori tregoi sa vijon:
“Kur isha i vogël, familja jonë e vogël jetonte në një apartament me një dhomë gjumi në katin e dytë. Unë flija në divan në dhomën e ndenjjes. …
Babai im, një metalurg, dilte nga shtëpia shumë herët në mëngjes për të punuar çdo ditë. Çdo mëngjes ai do t’i … mbështillte mbulesat përreth meje dhe do të ndalej për një çast. Unë isha si në ëndërr e sipër kur munda ta ndiej babanë të qëndronte pranë divanit, duke më vështruar. Teksa u zgjova dalëngadalë, u zura ngushtë ta shihja atë atje. U përpoqa të shtiresha sikur isha në gjumë. … Fillova të kuptoj se, teksa qëndronte pranë shtratit tim, ai po lutej me gjithë vëmendjen, energjinë dhe përqendrimin e tij – për mua.
Çdo mëngjes babai im lutej për mua. Lutej që unë do të kisha një ditë të mirë, që do të isha i sigurt, që do të mësoja dhe përgatitesha për të ardhmen. Dhe përderisa nuk mund të ishte me mua deri në mbrëmje, ai lutej për mësuesit dhe shokët me të cilët do të isha atë ditë. …
Në fillim, nuk e kuptoja me të vërtetë se çfarë po bënte babai im në ato mëngjese kur lutej për mua. Por teksa rritesha, fillova të ndiej dashurinë dhe interesimin e tij për mua dhe gjithçka që bëja. Është një prej kujtimeve të mia më të parapëlqyera. Nuk ndodhi deri vite më vonë, pasi isha martuar, pasi kisha fëmijë vetë dhe shkoja në dhomat e tyre teksa flinin e lutesha për ta, që e kuptova tërësisht se si ati im ndihej rreth meje.”22
Alma i dëshmoi birit të tij:
“Vër re, unë të them se [Krishti] do të vijë me siguri … ; për t’i shpallur lajme të mira të shpëtimit popullit të tij.
Dhe tani, biri im, kjo ishte shërbesa në të cilën u thirre, për t’i shpallur këtij populli këto lajme të gëzuara, për të përgatitur mendjet e tyre; ose më mirë … që ata të mund të përgatitin mendjet e fëmijëve të tyre, për të dëgjuar fjalën në kohën e ardhjes së tij.”23
Kjo është shërbesa e etërve sot. Perëndia i bekoftë dhe i bëftë të aftë për ta kryer atë shërbesë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.