2016
Fryma e Shenjtë
Maj 2016


Fryma e Shenjtë

I shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time Atit Qiellor për dhuratën e Frymës së Shenjtë, nëpërmjet të cilit Ai e zbulon vullnetin e Tij dhe na përkrah.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë flas sot si një shërbëtor i Zotit dhe gjithashtu si një stërgjysh. Juve dhe pasardhësve të mi të dashur, u mësoj dhe u jap dëshmi për dhuratën e jashtëzakonshme të Frymës së Shenjtë.

E nis duke e njohur Dritën e Krishtit, e cila i jepet “çdo njeri[u] që vjen në botë”1. Të gjithë ne përfitojmë nga kjo dritë e shenjtë. Ajo është “në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave”2 dhe na lejon ta dallojmë të drejtën nga e gabuara.3

Por Fryma e Shenjtë është e ndryshme nga Drita e Krishtit. Ai është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, një personazh i dallueshëm fryme me përgjegjësi të shenjta dhe një në qëllim me Atin dhe Birin.4

Si anëtarë të Kishës, ne mund ta përjetojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë vazhdimisht. Nëpërmjet priftërisë së rivendosur të Perëndisë, ne pagëzohemi me zhytje për heqjen e mëkateve tona dhe më pas konfirmohemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në këtë ordinancë na jepet dhurata e Frymës së Shenjtë me anë të vendosjes së duarve të mbajtësve të priftërisë.5 Paskëtaj, ne mund ta marrim e mbajmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë duke e kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin, duke i zbatuar urdhërimet e Tij, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke e marrë denjësisht sakramentin ditën e Shabatit.

Fryma e Shenjtë na jep zbulesë vetjake për të na ndihmuar të marrim vendime madhore për jetën të tilla si arsimimi, misionet, profesioni, martesa, fëmijët, vendin ku do të jetojmë me familjet tona e kështu me radhë. Për këto çështje, Ati Qiellor pret që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes, ta studiojmë situatën në mendjen tonë sipas parimeve të ungjillit dhe t’i paraqitim Atij një vendim në lutje.

Zbulesa vetjake është thelbësore, por është vetëm një pjesë e punës së Frymës së Shenjtë. Sikurse e vërtetojnë shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë dëshmon gjithashtu për Shpëtimtarin.6 Ai na mëson “gjërat paqësore të mbretërisë”7 dhe shkakton që ne të “ke[m]i mbushulli në shpresë”8. Ai na “drejton për të bërë mirë … [dhe] për të gjykuar me drejtësi”9. Ai i jep “çdo njeriu … një dhuratë [shpirtërore] … që të gjithë të mund të përfitojnë në këtë mënyrë”10. Ai na “jep njohuri”11 dhe “do t[ë na i] kujtojë të gjitha”12. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne “shenjtërohe[m]i”13 dhe marrim “një heqje [të] mëkateve [tona]”14. Ai është “Ngushëlluesi”, i njëjti që iu “premt[ua] dishepujve të [Shpëtimtarit]”15.

Ia kujtoj çdonjërit prej nesh që Fryma e Shenjtë nuk është dhënë për të na kontrolluar. Disa prej nesh e kërkojnë drejtimin e Frymës së Shenjtë në mënyrë jo të urtë për çdo vendim të parëndësishëm në jetën tonë. Kjo ia ul rëndësinë rolit të Tij të shenjtë. Fryma e Shenjtë e nderon parimin e lirisë së zgjedhjes. Ai u flet butësisht mendjeve e zemrave tona rreth çështjeve me rëndësi.16

Secili prej nesh mund ta ndiejë në mënyrë të ndryshme ndikimin e Frymës së Shenjtë. Nxitjet e Tij do të ndihen në shkallë të ndryshme fuqie sipas nevojave e rrethanave tona individuale.

Në këto ditë të mëvonshme, ne pohojmë se vetëm profeti mund të marrë zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të gjithë Kishën. Disa e harrojnë këtë, si atëherë kur Aaroni dhe Miriami u përpoqën ta bindnin Moisiun të binte dakord me ta. Por Zoti u dha mësim atyre dhe neve. Ai tha:

“Në se ka një profet midis jush, unë, Zoti i bëhem i njohur atij. …

Me të unë flas sy për sy.”17

Nganjëherë kundërshtari na tundon me ide të rreme që ne mund t’i ngatërrojmë me Frymën e Shenjtë. Unë dëshmoj se besnikëria në bindjen ndaj urdhërimeve dhe mbajtja e besëlidhjeve tona do të na mbrojë nga të qenit të mashtruar. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, do të jemi në gjendje t’i shquajmë ata profetë të rremë që i japin mësim si doktrinë urdhërimet e njerëzve.18

Teksa e marrim frymëzimin nga Fryma e Shenjtë për veten tonë, është diçka e urtë të mbajmë mend se nuk mund të marrim zbulesë për të tjerët. Di për një të ri që i tha një të reje: “Kam parë një ëndërr që ti do të jesh gruaja ime”. E reja e përsiati atë pohim dhe më pas u përgjigj: “Kur të shoh të njëjtën ëndërr, do të vij të flas me ty”.

Të gjithë ne mund të tundohemi për t’i lënë dëshirat tona vetjake ta mposhtin udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Profeti Jozef Smith iu përgjërua Atit Qiellor për leje që t’ia jepte hua Martin Harrisit 116 faqet e para të Librit të Mormonit. Jozefi mendoi se ishte një ide e mirë. Në fillim, Fryma e Shenjtë nuk i dha atij ndjenja pohuese. Përfundimisht, Zoti e lejoi Jozefin gjithsesi që t’i jepte faqet hua. Martin Harrisi i humbi ato. Për një periudhë, Zoti e tërhoqi mbrapsht dhuratën e Profetit për të përkthyer dhe ai nxori një mësim të dhembshëm, por të vlefshëm që i dha formë pjesës së mbetur të shërbimit të tij.

Fryma e Shenjtë është kryesore për Rivendosjen. Lidhur me leximin e tij në djalëri të Jakobit 1:5 [Bibël], Profeti Jozef Smith rrëfeu: “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë”.19 Fuqia e përshkruar nga Jozef Smithi ishte ndikimi i Frymës së Shenjtë. Për pasojë, Jozefi shkoi në një korije pemësh pranë shtëpisë së tij dhe u gjunjëzua për t’i kërkuar Perëndisë. Vegimi i Parë që pasoi, ishte vërtet madhështor dhe i mrekullueshëm. Por shtegu drejt asaj vizite personale të Atit dhe Birit nisi me një nxitje nga Fryma e Shenjtë për t’u lutur.

Të vërtetat e zbuluara të ungjillit të rivendosur erdhën nëpërmjet një modeli të të kërkuarit në lutje, pastaj marrjes dhe ndjekjes së nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Merrini parasysh këta shembuj: përkthimin e Librit të Mormonit, rivendosjen e priftërisë dhe ordinancat e saj duke filluar me pagëzimin, si dhe organizimin e Kishës – për të përmendur disa. Dëshmoj se sot, zbulesa nga Zoti ndaj Presidencës së Parë dhe Të Dymbëdhjetëve vjen sipas po këtij modeli të shenjtë. Ky është po i njëjti model i shenjtë që lejon zbulesën personale.

Ne u shprehim nderim të gjithëve atyre që e kanë ndjekur Frymën e Shenjtë për ta marrë ungjillin e rivendosur, duke filluar me vetë pjesëtarët e familjes së Jozef Smithit. Kur i riu Jozef i tregoi të atit rreth vizitës së Moronit, i ati mori vetë një dëshmi pohuese. Menjëherë, Jozefi u çlirua nga përgjegjësitë e tij në fermë dhe u nxit ta ndiqte drejtimin e engjëllit.

Le të veprojmë po njësoj ne si prindër dhe udhëheqës. Le t’i nxitim fëmijët tanë dhe të tjerët ta ndjekin drejtimin e Frymës së Shenjtë. Kur ta bëjmë këtë, le ta ndjekim edhe vetë shembullin e Frymës së Shenjtë, duke udhëhequr nëpërmjet durimit, mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur.20

Fryma e Shenjtë është kanali i komunikimit për veprën e Perëndisë, në familje dhe në mbarë Kishën. Me atë kuptueshmëri, a mund të tregoj disa shembuj vetjakë të Frymës së Shenjtë në vetë jetën dhe shërbimin tim në Kishë? I ofroj ata si dëshmi vetjake se Fryma e Shenjtë na bekon të gjithëve.

Shumë vite më parë, Motra Hejls dhe unë planifikuam t’i prisnim disa nga kolegët e mi të punës në një darkë të veçantë në shtëpinë tonë. Rrugës për shtëpi nga zyra, pata përshtypjen që të ndaloja në shtëpinë e një vejushe, të cilës i jepja mësim shtëpie. Kur trokita në derën e motrës, ajo tha: “Isha duke u lutur që ti të vije”. Nga erdhi ajo përshtypje? Fryma e Shenjtë.

Një herë, pas një sëmundjeje të rëndë, kryesova në një konferencë kunji. Për ta ruajtur energjinë time, planifikova të largohesha nga ndërtesa kishtare menjëherë pas sesionit të udhëheqjes së priftërisë. Megjithatë, pas lutjes së mbylljes, Fryma e Shenjtë më tha: “Ku po shkon?” U frymëzova që t’ua shtrëngoja duart të gjithëve teksa ata largoheshin nga dhoma. Kur njëri nga pleqtë e rinj bëri përpara, u nxita t’i jepja atij një mesazh të veçantë. Ai po vështronte poshtë dhe unë prita që sytë e tij të ngriheshin e të ndeshnin të mitë dhe qeshë në gjendje të thoja: “Lutju Atit Qiellor, dëgjoje Frymën e Shenjtë, ndiqi nxitjet që të janë dhënë dhe gjithçka do të shkojë mirë në jetën tënde”. Më vonë, presidenti i kunjit më tregoi se si i riu sapo ishte kthyer herët nga misioni i tij. Duke vepruar sipas një përshtypjeje të qartë, presidenti i kunjit i kishte premtuar babait të të riut se, nëse e sillte të birin në mbledhjen e priftërisë, Plaku Hejls do t’i fliste atij. Pse qëndrova për t’ia shtrënguar dorën çdonjërit? Pse ndalova për t’i folur këtij të riu të veçantë? Cili ishte burimi i këshillës sime? Është e thjeshtë: Fryma e Shenjtë.

Në fillim të vitit 2005, u udhëzova të përgatitja një mesazh për konferencën e përgjithshme rreth çifteve misionare në moshë. Pas konferencës, një vëlla tregoi: “Teksa e dëgjonim konferencën, … menjëherë Shpirti i Zotit më preku drejt e në shpirt. … Unë dhe gruaja ime e ëmbël nuk kishim se si ta keqkuptonim mesazhin. Ne duhej të shërbenim në një mision dhe koha ishte tani. Kur … e pashë gruan time, e kuptova se ajo kishte marrë po të njëjtat përshtypje nga Shpirti.”21 Çfarë e kishte sjellë këtë përgjigje të fortë e të njëkohshme? Fryma e Shenjtë.

Vetë pasardhësve të mi dhe të gjithë atyre që e dëgjojnë zërin tim, u ofroj dëshminë time për zbulesën vetjake dhe vërshimin e qëndrueshëm të udhërrëfimit të përditshëm, kujdesit, nxitjes, forcës, pastrimit shpirtëror, ngushëllimit dhe paqes që i kanë ardhur familjes sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne përjetojmë “numri[n e] madh të mëshirave … të dhembshura [të Krishtit]”22 dhe mrekullitë që nuk pushojnë.23

Jap dëshminë time të veçantë se Shpëtimtari jeton. I shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time Atit Qiellor për dhuratën e Frymës së Shenjtë, nëpërmjet të cilit Ai na e zbulon vullnetin e Tij dhe na përkrah në jetën tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.