Dhe Vdekja Nuk Do Të Jetë Më
Për të gjithë ata që janë hidhëruar për vdekjen e dikujt që e kanë dashur, Ringjallja është burim i një shprese të madhe.
Një javë më parë ishin Pashkët dhe mendimet tona u përqendruan sërish te sakrifica shlyese dhe Ringjallja e Zotit Jezu Krisht. Gjatë vitit që kaloi, unë kam menduar dhe përsiatur rreth Ringjalljes më shumë se sa normalisht.
Afërsisht një vit më parë, vajza jonë, Alisa, vdiq. Ajo kishte vuajtur nga kanceri për pothuaj tetë vjet, me disa operacione, shumë lloje mjekimesh, mrekulli emocionuese dhe zhgënjime të mëdha. Ne e pamë gjendjen e saj fizike të përkeqësohej teksa ajo iu afrua fundit të jetës së saj në vdekshmëri. Ishte torturuese të shihje atë që po i ndodhte vajzës sonë të dashur – asaj foshnjeje të vogël me sy të shndritshëm, që ishte rritur për t’u bërë një grua, bashkëshorte dhe nënë e talentuar, e mrekullueshme. Mendova se do të më copëtohej zemra.
Vitin e kaluar, në kohën e Pashkës, pak më shumë se një muaj para se të ndërronte jetë, Alisa shkroi: “Pashka është një kujtesë e gjithçkaje që shpresoj për veten time. Se një ditë do të shërohem dhe një ditë do të bëhem e plotë. Një ditë unë nuk do të kem asgjë metalike apo plastike brenda meje. Një ditë zemra ime do të jetë e lirë nga frika dhe mendja ime e lirë nga ankthet. Nuk po lutem që kjo të ndodhë shpejt, por jam shumë e lumtur që besoj me të vërtetë në një jetë të përtejme të bukur”1.
Ringjallja e Jezu Krishtit na siguron pikërisht gjërat për të cilat Alisa shpresonte dhe rrënjos në secilin prej nesh “shpresën që është në [ne]”2. Presidenti Gordon B. Hinkli iu referua Ringjalljes si “ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit”3.
Ringjallja ndodh me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe është kryesore në planin e madh të shpëtimit.4 Ne jemi fëmijë shpirtërorë të prindërve qiellorë.5 Kur ne vijmë në këtë jetë në tokë, shpirti ynë bashkohet me trupin tonë. Ne përjetojmë të gjitha gëzimet dhe sfidat që e shoqërojnë jetën në vdekshmëri. Kur një person vdes, shpirti i tij ndahet nga trupi i tij. Ringjallja bën të mundur që shpirti dhe trupi i një individi të bashkohen sërish, vetëm se këtë herë trupi do të jetë i pavdekshëm dhe i përkryer – jo i nënshtruar ndaj dhembjes, sëmundjes apo problemeve të tjera.6
Pas ringjalljes, shpirti nuk do të ndahet më kurrë nga trupi, sepse Ringjallja e Shpëtimtarit solli fitore të plotë mbi vdekjen. Me qëllim që të marrim fatin tonë të përjetshëm, ne duhet të kemi këtë shpirt të pavdekshëm – një shpirt dhe trup – të bashkuar përgjithmonë. Me shpirtin dhe trupin e pavdekshëm të lidhur në mënyrë të pandashme, ne mund të “marrim plotësi të gëzimit”7. Në fakt, pa Ringjalljen ne nuk mund të merrnim kurrë një plotësi të gëzimit, por do të ishim përgjithmonë të mjeruar.8 Madje, njerëzit besnikë dhe të drejtë e shohin ndarjen e trupit të tyre nga shpirti si robëri. Ne lirohemi nga kjo robëri nëpërmjet Ringjalljes, e cila është shëlbimi nga rripat ose zinxhirët e vdekjes.9 Nuk ka shpëtim pa shpirtin tonë si dhe pa trupin tonë.
Secili prej nesh ka kufizime dhe dobësi fizike, mendore dhe emocionale. Këto sfida, disa prej të cilave tani duken kaq të vështira, përfundimisht do të gjejnë zgjidhje. Asnjëri prej këtyre problemeve nuk do të na mundojë pasi të ringjallemi. Alisa hulumtoi mbi përqindjet e të mbijetuarve për personat me llojin e kancerit që ajo kishte dhe shifrat nuk ishin kaq inkurajuese. Ajo shkroi: “Por ka një kurë, prandaj nuk jam e frikësuar. Jezusi e ka mjekuar tashmë kancerin tim dhe tuajin. … Unë do të bëhem më mirë. Jam e lumtur që e di këtë.”10
Ne mund ta zëvendësojmë fjalën kancer me çdo sëmundje tjetër fizike, mendore apo emocionale që mund të hasim. Për shkak të Ringjalljes, edhe ato janë mjekuar tashmë. Mrekullia e ringjalljes, mjekimi përfundimtar, është përtej fuqisë së mjekësisë moderne. Por ai nuk është përtej fuqisë së Perëndisë. Ne e dimë që ai mund të ndodhë për shkak se Shpëtimtari është ringjallur dhe do të bëjë të ndodhë edhe Ringjallja e gjithsecilit prej nesh.11
Ringjallja e Shpëtimtarit provon se Ai është Biri i Perëndisë dhe se ajo që Ai dha mësim është e vërtetë. “[Ai] u ringjall, sikurse kishte thënë.”12 Nuk mund të ketë provë më të fortë të hyjnisë së Tij se sa ngritja e tij nga varri me një trup të pavdekshëm.
Ne e dimë që kishte dëshmitarë për Ringjalljen në kohët e Dhiatës së Re. Përveç grave dhe burrave, për të cilët lexojmë te Ungjijtë, Dhiata e Re na siguron se qindra vetë e panë me të vërtetë Zotin e ringjallur.13 Dhe Libri i Mormonit na tregon për qindra njerëz më shumë: “Turma shkoi përpara dhe i vunë duart në anën e tij, … dhe [ata] panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre, dhe mësuan me siguri, dhe dëshmuan se ishte ai, për të cilin ishte shkruar nga profetët, se do të vinte.”14
Atyre dëshmitarëve të lashtë u janë shtuar dëshmitarë në ditët e mëvonshme. Në fakt, në skenën hapëse të kësaj periudhe ungjillore, Jozef Smithi e pa Shpëtimtarin e ringjallur me Atin.15 Profetë dhe apostuj të gjallë kanë dëshmuar për vërtetësinë e Krishtit të ringjallur dhe që jeton.16 Kështu ne mund të themi: “Edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh”17. Dhe secili prej nesh mund të jetë pjesë e një reje dëshmitarësh që e di nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë se ajo që ne festojmë në Pashkë ndodhi me të vërtetë – se Ringjallja është e vërtetë.
Vërtetësia e Ringjalljes së Shpëtimtarit e mbush zemrën tonë të thyer me shpresë, sepse me të vjen siguria se të gjitha premtimet e tjera të ungjillit janë po aq të vërteta – premtime që nuk janë më pak të mrekulleshme se sa Ringjallja. Ne e dimë se Ai ka fuqinë për të na pastruar nga të gjitha mëkatet tona. Ne e dimë se Ai ka marrë mbi Vete të gjitha sëmundjet, dhembjet dhe padrejtësitë që kemi vuajtur.18 Ne e dimë se Ai është “ngri[tur] nga vdekja, me shërim në krahët e tij”19. Ne e dimë se Ai mund të na shërojë pavarësisht nga ajo që është thyer brenda nesh. Ne e dimë se Ai “do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]; dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim”20. Ne e dimë se mund të “bë[hemi] të përsosur nëpërmjet Jezusit … , i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur”,21 nëse do të kemi thjesht besim dhe do ta ndjekim Atë.
Nga fundi i oratorios frymëzuese, Mesia, Handeli i shprehu me muzikë të bukur fjalët e Apostullit Pal, i cili u gëzua për Ringjalljen.
“Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi
në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit: … do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi,
sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë.
… Atëherë do të realizohet fjala që është shkruar, ‘Vdekja u përpi në fitore’.
O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? …
Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.”22
Jam mirënjohës për bekimet që janë tonat, për shkak të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Zotit Jezu Krisht. Për të gjithë ata që kanë vendosur një fëmijë në varr, ose kanë qarë mbi arkivolin e një bashkëshorti/je, ose janë hidhëruar për vdekjen e një prindi apo të dikujt që e kanë dashur, Ringjallja është burim i një shprese të madhe. Çfarë përvoje e fuqishme do të jetë t’i shohim ata sërish – jo thjesht si shpirtra, por me trupa të ringjallur.
Digjem nga malli ta shoh sërish nënën time dhe të ndjej prekjen e saj të butë e të shikoj sytë e saj të dashur. Dua të shoh buzëqeshjen e babait tim e të dëgjoj të qeshurën e tij, dhe ta shoh atë si një qenie të ringjallur, të përsosur. Me syrin e besimit, e përfytyroj Alisën plotësisht përtej prekjes së ndonjë shqetësimi tokësor apo gjembit të vdekjes – një Alisë të ringjallur e të përsosur, fitimtare dhe me një plotësi gëzimi.
Disa Pashkë më parë, ajo thjesht shkroi: “Jetë nëpërmjet emrit të Tij. Ka shumë shpresë. Përherë. Në gjithçka. Dua që Pashka të më kujtojë”23.
Unë dëshmoj për vërtetësinë e Ringjalljes. Jezu Krishti jeton dhe për shkak të Tij, ne të gjithë do të jetojmë sërish. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.