Motra Xhoi D. Xhons
Presidente e Përgjithshme e Fillores
Për Xhoi D. Xhonsin, prindërit e saj të dashur ishin heronjtë e saj.
“Mendoja se babi mund të bënte gjithçka”, thotë Motra Xhons për babanë e saj, i cili ishte një elektricist. Për mamanë e saj, ajo thotë: “Mamaja ime ishte një grua e mrekullueshme”, e cila e bënte çdo gjë, që nga ushqimi që hante familja deri te veshjet që përdornin – nga zero. “Për mua, ajo qe një shenjtore dhe doja që kur të rritesha të bëhesha si ajo.”
Përveçse u gëzohet kujtimeve të prindërve të saj, Aldo Harmonit dhe Eleonor Ellsuorth Harmonit, Motra Xhons kënaqet me kujtimin nga fëmijëria kur e dëgjoi Plakun Robert L. Bakman ndërsa foli në një konferencë distrikti në Oregon të SHBA-së. Plaku Bakman, tani një ish-Autoritet i Përgjithshëm i Të Shtatëdhjetëve, ishte president misioni në atë kohë.
“Ndjeva diçka shumë të fuqishme kur ai po fliste”, thotë Motra Xhons. “Ndjeva diçka me të vërtetë të ndryshme nga ajo që kisha ndier më parë. … Jam kaq mirënjohëse për atë sepse mora një dëshmi nga Shpirti se gjërat që ai po thoshte ishin të vërteta.”
Xhoi Dajan Harmoni u lind më 20 korrik 1954, në Dalles të Oregonit. Si ajo edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm, Robert Brus Xhonsi, u rritën në Oregon, por u takuan në Universitetin “Brigam Jang”, në Provo të Jutës, në SHBA. Ata u martuan më 14 gusht 1974, në Tempullin e Mantit në Juta. Ata kanë pesë fëmijë dhe 17 nipër e mbesa.
Shpejt pasi mori një diplomë dy vjeçare shkencore për jetën në familje, ata u shpërngulën në Portland të Oregonit dhe më vonë në Santa Rosa të Kalifornisë, në SHBA, kur Vëllai Xhons u ushtrua si një doktor i kiropraktikës. Vëllai dhe Motra Xhons u ndien të nxitur që të shpërnguleshin në Drejpër të Jutës, 22 vite më parë. Motra Xhons e ka shijuar bekimin e të jetuarit pranë një tempulli qysh atëherë.
“Tempulli i Xhordan-Riverit në Juta u bë hapësira ime e shenjtë”, thotë ajo. “Kam një dëshmi të fuqisë së tempullit dhe të paqes e drejtimit që ka sjellë në jetën time.”
Motra Xhons ka shërbyer si presidente e Shoqatës së Ndihmës dhe presidente e Fillores në lagje, dhe si këshilltare në Shoqatën e Ndihmës, tek Të Rejat dhe në presidencat e Fillores në lagje dhe kunj. Ajo shërbeu më së fundi në bordin e përgjithshëm të Fillores.