Plaku Masimo De Feo
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Pak përpara se të pranonte thirrjen e tij për mision kohëplotë, Plaku Masimo De Feo mori mësime kyçe për sakrificën dhe dashurinë nga babai i tij, Viktor De Feo.
Familja De Feo kishte pak burime financiare, dhe as Viktori as bashkëshortja e tij, Velia, nuk ishin anëtarë të Kishës. Por plaku De Feo e respektoi dëshirën e të birit për të shpërndarë ungjillin.
“Babai më pyeti: ‘A do me të vërtetë ta bësh këtë gjë?’” kujton Plaku De Feo. “Unë i thashë: ‘Po, me gjithë zemrën time dua që t’i shërbej Zotit.’”
Viktori premtoi të bënte gjithçka që mundej për të mbuluar shpenzimet e shërbimit dyvjeçar të djalit të tij në Misionin e Romës në Itali.
“I konsideroja ato para si të shenjta – ishte fryti i një sakrifice të madhe nga një njeri që nuk besonte te Kisha”, thotë Plaku De Feo. “Prandaj, shërbeva në misionin tim me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën time sepse e doja Zotin dhe e doja babanë tim.”
Parime të ungjillit të tilla si sakrifica, puna e palodhur, familja dhe shërbimi kanë ndihmuar në formimin e Plakut De Feo.
I lindur në Taranto të Italisë, më 14 dhjetor 1960, Masimo De Feo mësoi për Kishën në moshën nëntëvjeçare kur dy misionarë trokitën në derën e shtëpisë së tij. Masimo dhe vëllai i tij më i madh, Alberto, u pagëzuan shpejt.
Djemtë De Feo gëzuan dashurinë dhe mbështetjen e udhëheqësve të përkushtuar të degës ndërsa frekuentuan Filloren dhe më vonë Aktivitetet e Përbashkëta. Masimo krijoi gjithashtu shoqëri afatgjata me të rinj të tjerë në degë – përfshirë me një të kthyer në besim si ai, Loredana Galeandron, me të cilën do të martohej pas misionit të tij. Ata u vulosën më 14 gusht 1984 në Tempullin e Bernës në Zvicër. Çifti De Feo ka tre fëmijë.
Përpara se të bëhej një Autoritet i Përgjithshëm i Të Shtatëdhjetëve, Plaku De Feo jetoi në Romë dhe punoi më shumë se 30 vjet për Departamentin e Shtetit Amerikan. Ai ka shërbyer si president dege, president distrikti, president kunji dhe si i Shtatëdhjetë Zonal.