Ç’Duhet të Bëjmë?
Ne e ndërtojmë mbretërinë kur i ushqejmë të tjerët shpirtërisht. Ne e ndërtojmë mbretërinë edhe kur flasim haptas e dëshmojmë për të vërtetën.
Shpejt pas Ringjalljes dhe Ngritjes së Jezusit në Qiell, Apostulli Pjetër dha mësim: “Ta di[ni] … me siguri, [të] gjithë … se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht”. Dëgjuesit u ngazëllyen në zemrën e tyre dhe e pyetën Pjetrin e të tjerët: “[Burra e] vëllezër, ç’duhet të bëjmë?”1 Dhe ata më pas iu bindën mësimeve të Pjetrit me gëzim.
Nesër është e diela e Pashkës dhe unë shpresoj se edhe ne do të ngazëllehemi në zemrën tonë që ta pranojmë Shpëtimtarin, të pendohemi e t’i bindemi me gëzim.
Në këtë konferencë të përgjithshme, ne do të dëgjojmë udhëzim të frymëzuar të dhënë nga udhëheqësit e Kishës, si meshkuj edhe femra. Duke e ditur se zemra jonë do të preket nga fjalët e tyre, unë ju pyes këtë mbrëmje: “Gra dhe motra, ç’duhet të bëjmë?”
Si Presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Eliza R. Snou u shpalli motrave pothuajse 150 vjet më parë: “Zoti ka vënë mbi ne përgjegjësi të mëdha”2. Unë dëshmoj se shpallja e saj është ende e vërtetë sot.
Kisha e Zotit ka nevojë për gra që drejtohen nga Shpirti, të cilat i përdorin dhuratat e tyre të pashoqe për të ushqyer shpirtërisht, për të folur haptas e për ta mbrojtur të vërtetën e ungjillit. Frymëzimi dhe intuita jonë janë pjesë të nevojshme për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë, çka vërtet do të thotë të bëjmë punën tonë që t’u sjellim shpëtimin fëmijëve të Perëndisë.
Ndërtimi i Mbretërisë nëpërmjet të Ushqyerit Shpirtëror
Ne e ndërtojmë mbretërinë kur i ushqejmë të tjerët shpirtërisht. Sidoqoftë, fëmija i parë i Perëndisë që duhet ta ndërtojmë në ungjillin e Jezu Krishtit, është vetja jonë. Ema Smithi tha: “Unë e dëshiroj Shpirtin e Perëndisë që ta njoh e ta kuptoj vetveten, që të mund të jem në gjendje ta mposht çfarëdo tradite apo temperamenti që nuk do të më prijë drejt shpëtimit tim”3. Ne duhet të zhvillojmë një themel besimi te ungjilli i Shpëtimtarit e të vazhdojmë përpara, të fuqizuara nga besëlidhjet e tempullit, drejt ekzaltimit.
Po sikur disa prej traditave tona të mos kenë vend në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit? Largimi prej tyre mund të kërkojë mbështetje emocionale dhe ushqyerje shpirtërore nga dikush tjetër, siç ndodhi me mua.
Kur u linda, prindërit e mi mbollën një pemë manjole që të kishte shumë lule manjole në ceremoninë time martesore, e cila do të mbahej në kishën protestante të paraardhësve të mi. Por, në ditën e martesës sime, nuk kishte prindër përkrah meje dhe as lule manjolë, sepse, si një e kthyer në besim e Kishës prej një viti, kisha udhëtuar për në Solt-Lejk-Siti të Jutës që të merrja dhurimin tim në tempull e të vulosesha me Dejvidin, të fejuarin tim.
Kur u largova nga Luiziana dhe po i afrohesha Jutës, mua më kaploi një ndjenjë sikur isha e pastrehë. Përpara martesës, do të qëndroja me gruan e dytë të gjyshit të Dejvidit, e cila me përkëdheli njihej si hallë Karola.
E ja ku isha, një e huaj në Juta, që do të qëndroja në shtëpinë e një të panjohure përpara se të vulosesha – për përjetësinë – në një familje që e njihja fare pak. (Sa mirë që i doja dhe u mirëbesoja bashkëshortit tim të ardhshëm dhe Zotit!)
Teksa qëndroja përballë derës së shtëpisë së hallë Karolës, desha të zhdukesha. Dera u hap – po qëndroja atje si një lepur i frikësuar – dhe hallë Karola, pa thënë asnjë fjalë, u zgjat dhe më mori në krahët e saj. Ajo, e cila nuk kishte fëmijë të sajët, e dinte – zemra e saj përkujdesëse e dinte – se më duhej një vend të cilit t’i përkitja. Ah, ngushëllimi dhe ëmbëlsia e atij momenti! Frika m’u shkri dhe më erdhi një ndjenjë sikur isha e ankoruar në një vend të sigurt shpirtëror.
Dashuria është të bësh vend në zemrën tënde për dikë tjetër, sikurse hallë Karola bëri për mua.
Nënat bëjnë vërtet vend në trupat e tyre për të ushqyer një fëmijë që s’ka lindur ende – dhe me shpresë një vend në zemrën e tyre ndërkohë që e rritin – por [procesi] i të ushqyerit nuk kufizohet vetëm te nënat shtatzëna. Eva u quajt një “nënë” përpara se të kishte fëmijë4. Unë besoj se “amësi” do të thotë “të japësh jetë”. Mendoni për mënyrat e shumta nëpërmjet të cilave jepni jetë. Mund të nënkuptojë t’u jepni jetë të pashpresëve ose jetë shpirtërore skeptikut. Me ndihmën e Frymës së Shenjtë, ne mund të krijojmë një vend shërimi emocional për ata që diskriminohen, refuzohen dhe për të huajin. Në këto mënyra të brishta e prapë të fuqishme, ne ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë. Motra, të gjitha ne erdhëm në tokë me këto dhurata jetëdhënëse, ushqyese, amësie, sepse ky është plani i Perëndisë.
Ndjekja e planit të Tij dhe shndërrimi në një ndërtuese të mbretërisë, kërkon sakrificë vetëmohuese. Plaku Orson F. Uitni shkroi: “Gjithçka që vuajmë e gjithçka që durojmë, veçanërisht kur e durojmë me këmbëngulje, … e pastron zemrën tonë … e na bën më të butë e më bamirës … dhe është nëpërmjet … stërmundimit e vështirësive, që fitojmë arsimimin … i cili do të na bëjë më shumë si Ati dhe Nëna jonë në qiell”5. Këto sfida pastruese na sjellin te Krishti, i cili mund të na shërojë e të na bëjë të dobishëm për punën e shpëtimit.
Ndërtimi i Mbretërisë nëpërmjet të Folurit e të Dëshmuarit
Ne e ndërtojmë mbretërinë edhe kur flasim haptas e dëshmojmë për të vërtetën. Ne e ndjekim modelin e Zotit. Ai jep mësim me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë. Motra, edhe ne mundemi. Grave në përgjithësi u pëlqen të flasin e të mblidhen! Kur punojmë me anë të autoritetit të deleguar të priftërisë që na është dhënë, të folurit dhe mbledhja jonë zhvillohen në mësimdhënie dhe udhëheqje të ungjillit.
Motra Xhuli B. Bek, ish-presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim: “Aftësia për t’u cilësuar, për të marrë dhe vepruar sipas zbulesës vetjake është zotësia e vetme më e rëndësishme që mund të fitohet në këtë jetë. … [Ajo] kërko[n] një përpjekje [të] ndërgjegjshme.”6
Zbulesa vetjake nga Fryma e Shenjtë do të na nxitë të mësojmë, të flasim e të veprojmë për të vërtetat e përjetshme – të vërtetat e Shpëtimtarit. Sa më shumë ta ndjekim Krishtin, aq më tepër do ta ndiejmë dashurinë dhe drejtimin e Tij; sa më tepër ta ndiejmë dashurinë dhe drejtimin e Tij, aq më tepër do të duam ta themi e ta japim mësim të vërtetën siç bëri Ai, edhe kur hasim kundërshtim.
Disa vite më parë, unë u luta të gjeja fjalët për ta mbrojtur mëmësinë kur mora një telefonatë anonime.
Telefonuesja pyeti: “A jeni Nill Mariot, nëna e një familjeje të madhe?”
Me gëzim iu përgjigja: “Po!” duke menduar se do të thoshte diçka si: “Oh, shumë mirë!”
Por jo! Nuk do ta harroj kurrë përgjigjen e saj ndërsa zëri i turfullonte nga telefoni: “Jam tepër e acaruar që ke [guximin] të lindësh fëmijë në këtë planet të mbipopulluar!”
“Eh”, belbëzova, “e kuptoj si ndihesh.”
Ajo ma ktheu me inat: “Jo – nuk e di!”
Unë më pas pëshpërita: “Epo, ndoshta nuk e di”.
Ajo ia nisi të kritikonte për zgjedhjen time të pakuptimtë të të qenit nënë. Teksa vazhdonte të fliste, unë fillova të lutesha për ndihmë dhe një mendim i ëmbël më erdhi në mendje: “Çfarë do t’i thoshte asaj Zoti?” Unë më pas ndjeva se gjeta forcë dhe mora guxim kur mendova për Jezu Krishtin.
Iu përgjigja: “Jam e lumtur që jam një nënë, dhe ju premtoj se do të bëj gjithçka kam në dorë për t’i rritur fëmijët e mi në një mënyrë të tillë që të mund ta bëjnë botën një vend më të mirë”.
Ajo u përgjigj: “Epo, shpresoj ta bëni!” dhe e mbylli telefonin.
Nuk qe ndonjë gjë e madhe – tek e fundit, unë po qëndroja e sigurt në kuzhinën time! Por në mënyrën time jo të bujshme, unë qeshë në gjendje të flisja në mbrojtje të familjes, nënave dhe edukueseve për shkak të dy gjërave: 1) unë e kuptova dhe e besova doktrinën e familjes dhe 2) unë u luta për fjalët që t’i përçoja këto të vërteta.
Të qenit i veçantë dhe i ndryshëm nga bota do të sjellë disa kritika, por ne duhet ta ankorojmë veten tonë në parimet e përjetshme e të dëshmojmë për to, pavarësisht përgjigjes së botës.
Kur e pyetim veten: “Ç’duhet të bëjmë?” le ta përsiatim këtë pyetje: “Çfarë bën vazhdimisht Shpëtimtari?” Ai na rrit shpirtërisht. Ai krijon. Ai nxit rritjen shpirtërore dhe mirësinë. Gra e motra, ne mund t’i bëjmë këto gjëra! Vajza të fillores, a keni ndonjë në familjen tuaj që ka nevojë për dashurinë e mirësinë tuaj? Ju e ndërtoni mbretërinë edhe duke i ushqyer të tjerët shpirtërisht.
Krijimi i tokës nga Shpëtimtari, nën urdhrat e Atit të Tij, qe një vepër e madhe e të ushqyerit shpirtëror. Ai na dha një vend që ne të rritemi shpirtërisht e të zhvillojmë besim në fuqinë e Tij shlyese. Besimi në Jezu Krisht dhe në Shlyerjen e Tij është vendi përfundimtar i shërimit dhe i shpresës, i rritjes dhe i qëllimit. Të gjithë kanë nevojë për një vend shpirtëror e fizik përkatësie. Ne, motrat e të gjitha moshave, mund ta krijojmë atë; ai madje është një vend i shenjtë.
Përgjegjësia jonë e lartë është të bëhemi gra që e ndjekin Shpëtimtarin, ushqejnë shpirtërisht me frymëzim dhe e jetojnë të vërtetën pa druajtje. Kur i kërkojmë Atit në Qiell që të na bëjë ndërtuese të mbretërisë së Tij, fuqia e Tij do të burojë mbi ne dhe ne do ta dimë se si të ushqejmë shpirtërisht, duke u bërë më në fund si prindërit tanë qiellorë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.