Plaku S. Mark Palmer
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Në vitin 1992, koha ishte e çmuar dhe rehatia e kufizuar për Plakun S. Mark Palmer dhe bashkëshorten e tij, Zhaklinën.
Në atë kohë Plaku Palmer po shërbente në këshillin e lartë të kunjit. Ai gjithashtu po punonte shumë për të ndërtuar karrierën e tij profesionale. Koha e motrës Palmer ishte po aq e ngarkuar. Çifti Palmer po rriste gjashtë fëmijë në shtëpinë e tyre në Austin, Teksas, SHBA – përfshirë një djalë të vogël gjashtëmuajsh.
Kur presidenti i kunjit të tyre i ftoi për të shërbyer si punonjës në Tempullin e Dallasit, Teksas, ata nuk e dinin se si mund ta përballonin një detyrë më shumë. Por ata e pranuan thirrjen – dhe pastaj me lutje kërkuan ndihmën e Zotit.
Bërja e një udhëtimi me autobus çdo muaj për të shërbyer gjithë ditën në tempull kërkonte sakrificë dhe planifikim të kujdesshëm. “Por kjo e bekoi jetën tonë jashtëzakonisht”, thotë Plaku Palmer.
Shërbimi në tempull, shton ai, e përgatiti atë shpirtërisht për thirrjet e ardhshme në priftëri. Ai gjithashtu e bëri atë një bashkëshort dhe baba më të mirë – dhe ai gjeti drejtpeshim në jetën e tij të ngarkuar.
“Vajtja në tempull shpesh të ndihmon të rregullosh sërish përparësitë e tua dhe të kujtohesh për besëlidhjet që ke bërë”, thotë ai.
Stenli Mark Palmeri i lindi Keneth dhe Xhill Palmerit më 11 shkurt 1956, në Te Puk, Zelanda e Re. Familja e tij u bashkua me Kishën kur ai ishte një djalë i vogël. Ai shërbeu një mision kohëplotë në Misionin Uellington, Zelanda e Re.
Pas marrjes së një diplome universitare në Universitetin e Oklandit, ai u regjistrua për master në programin administrim biznesi në Universitetin “Brigam Jang”. Ndërkohë që jetonte në Provo, Juta, SHBA, ai u njoh në një takim me një misionare të kthyer të quajtur Zhaklin Ud, që nuk e kishte takuar më parë. Ata u martuan më 18 dhjetor 1981 në Tempullin e Solt-Lejkut. Çifti Palmer ka gjashtë fëmijë dhe nëntë nipër e mbesa.
Plaku Palmer është themeluesi dhe presidenti i SMP Ventures, një kompani për zhvillimin e pasurive të patundshme. Ai ka shërbyer si peshkop, president kunji, president i Misionit Spokejn, Uashington (2009–2012), president i përkohshëm i Misionit Sidnei Jugor, Australi (2014) dhe si i Shtatëdhjetë Zonal.