Vajosja Shëruese e Faljes
Falja është një parim i lavdishëm shërues. Ne nuk ka pse të jemi dy herë viktimë. Ne mund të falim.
Gjithçka që është e Perëndisë përfshin dashuri, dritë dhe vërtetësi. Përsëri si qenie njerëzore ne jetojmë në një botë të rënë, herë-herë plot errësirë dhe pështjellim. Nuk befasohemi që do të bëhen gabime, që do të ndodhin padrejtësi dhe do të kryhen mëkate. Si rrjedhim nuk ka asnjë shpirt të gjallë që, në një rast apo një tjetër, nuk do të cenohet nga veprimet e pakujdesshme, sjellja e dëmshme apo madje mëkatare e dikujt tjetër. Kjo është diçka që të gjithë e kemi të përbashkët.
Fatmirësisht, Perëndia, me dashurinë dhe mëshirën e Tij për fëmijët e Vet, ka përgatitur një udhë për të na ndihmuar të drejtohemi në këto përvoja herë-herë të trazuara të jetës. Ai ka siguruar një rrugëdalje për të gjithë ata që bien viktima të prapësive të të tjerëve. Ai na ka mësuar se ne mund të falim! Edhe pse mund të jemi viktimë një herë, ne nuk duhet të jemi dy herë viktimë duke mbajtur barrën e urrejtjes, të hidhësisë, dhembjes, fyerjes apo madje hakmarrjes. Ne mund të falim dhe mund të jemi të lirë!
Shumë vite më parë, ndërsa ndreqja një gardh, një cifël e vogël druri u fut te gishti im. Bëra një përpjekje të vogël që ta heq ciflën dhe mendova se e pata hequr, por duket se jo. Me kalimin e kohës, lëkura u ënjt mbi cifël, duke krijuar në gisht një gungë. Ishte e bezdisshme dhe ndonjëherë e dhembshme.
Vite më vonë vendosa më në fund të veproj. Gjithçka bëra ishte thjesht vendosja e një pomadë te gunga dhe e lidha me fashë. E përsërita këtë proces shpesh. Nuk mund ta përfytyroni befasinë time kur një ditë, ndërsa hoqa fashën, cifla kishte dalë nga gishti.
Pomada e kishte zbutur lëkurën dhe kishte krijuar një dalje për çdo gjë që pati shkaktuar dhembje për aq shumë vite. Sapo ishte hequr cifla, gishti u shërua shpejt dhe deri sot nuk ka asnjë shenjë të ndonjë plage.
Në një mënyrë të ngjashme, një zemër që nuk fal strehon aq shumë dhembje të panevojshme. Kur ne përdorim vajosjen shëruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit, Ai do ta zbutë zemrën tonë dhe do të na ndihmojë të ndryshojmë. Ai mund të shërojë shpirtin e plagosur (shih Jakobi 2:8).
Unë jam i bindur se shumica prej nesh duan të falin, por ne e shohim shumë të vështirë për ta bërë. Kur kemi përjetuar një padrejtësi, ne mund të jemi të shpejtë për të thënë: “Ai person bëri gabim. Ata meritojnë dënim. Ku është drejtësia?” Ne gabimisht mendojmë se nëse falim, në një mënyrë nuk do t’i shërbehet drejtësisë dhe dënimet do të shmangen.
Por thjesht nuk është kështu. Perëndia do të jepte për këdo një dënim që është i drejtë, sepse mëshira nuk mund ta grabitë drejtësinë (shih Alma 42:25). Perëndia na siguron me dashuri ju dhe mua: “Ma lini vetëm mua gjykimin, sepse ai është i imi dhe unë do të shpaguaj. [Por] paqja qoftë me ju” (DeB 82:23). Profeti i Librit të Mormonit Jakobi gjithashtu premtoi se, Perëndia “do t’ju ngushëllojë në pikëllimet tuaja, dhe ai do të mbrojë çështjen tuaj, dhe do të dërgojë drejtësi mbi ata që kërkojnë shkatërrimin tuaj” (Jakobi 3:1).
Si viktima, nëse jemi besnikë, ne mund të marrim një ngushëllim të madh duke ditur që Perëndia do të na dëmshpërblejë për çdo padrejtësi që përjetojmë. Plaku Jozef B. Uirthlin deklaroi: “Zoti i dëmshpërblen besnikët për çdo humbje. … Çdo lot i sotëm do të kthehet përfundimisht njëqindfish me lot gëzimi dhe mirënjohjeje.”1
Ndërsa përpiqemi të falim të tjerët, le të përpiqemi gjithashtu të kujtojmë se ne të gjithë po rritemi shpirtërisht, por të gjithë ne jemi në nivele të ndryshme. Ndërkohë që është e lehtë të vëresh ndryshimet dhe rritjen te trupi fizik, është e vështirë ta shohësh rritjen në shpirtrat tanë.
Një çelës për të falur të tjerët është të përpiqesh t’i shohësh ata siç Perëndia i sheh ata. Ndonjëherë, Perëndia mund ta heqë perden dhe të na bekojë me dhuratën e të shikuarit te zemra, shpirti dhe mendja e një personi tjetër që na ka fyer. Ky depërtim mund madje të çojë në dashuri pa kufi për atë person.
Shkrimet e shenjta na mësojnë se dashuria e Perëndisë për fëmijët e Tij është e përkryer. Ai e njeh mundësinë e tyre për mirë, pavarësisht nga e kaluara e tyre. Sipas gjithë gjasave, nuk do mund të kishte armik më agresiv apo të vrazhdë ndaj ndjekësve të Jezu Krishtit sesa Sauli i Tarsusit. Por përsëri sapo Perëndia i tregoi Saulit dritën dhe të vërtetën, nuk pati kurrë dishepull më të përkushtuar, entuziast apo të patrembur të Shpëtimtarit. Sauli u bë Apostulli Pal. Jeta e tij jep një shembull të mrekullueshëm se Perëndia i sheh njerëzit jo vetëm siç janë aktualisht por gjithashtu se si mund të bëhen. Të gjithë ne kemi, në vetë jetën tonë, individë si Sauli me potencial si ai i Palit. A mund të përfytyroni se si familjet, komunitetet dhe bota jonë në tërësi mund të ndryshonin nëse të gjithë do të përpiqeshim ta shihnim njëri-tjetrin siç Perëndia na sheh?
Tepër shpesh ne e shohim fyesin në mënyrën si shohim një ajsberg – ne shohim vetëm majën dhe jo nën sipërfaqe. Ne nuk e dimë gjithçka që ndodh në jetën e një personi. Ne nuk e dimë të kaluarën e tyre; ne nuk i dimë luftërat e tyre; ne nuk i dimë dhembjet që mbartin. Vëllezër dhe motra, ju lutem mos më keqkuptoni. Të falësh nuk do të thotë ta lësh një gabim të kalojë. Ne nuk e arsyetojmë sjelljen e keqe ose të lejojmë të tjerë të na keqtrajtojnë për shkak të luftërave, dhembjeve apo dobësive të tyre. Por ne mund të fitojmë kuptim dhe paqe më të madhe kur shohim me një këndvështrim më të gjerë.
Sigurisht ata që shpirtërisht janë më pak të pjekur mund të bëjnë vërtet gabime të rënda – dhe prapë asnjë nga ne nuk duhet të përcaktohet vetëm nga gjërat më të këqija që kemi bërë ndonjëherë. Perëndia është gjyqtari i përkryer. Ai sheh nën sipërfaqe. Ai i di të gjitha dhe i sheh të gjitha (shih 2 Nefi 2:24). Ai ka thënë: “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit” (DeB 64:10).
Krishti Vetë, kur Ai ishte paditur padrejtësisht, mandej sulmuar, rrahur dhe lënë egërsisht mbi kryq, pikërisht në atë çast tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34).
Në dritëshkurtësinë tonë, mund të na duket e lehtë ndonjëherë të krijojmë pakënaqësi ndaj të tjerëve që nuk veprojnë apo mendojnë si ne. Ne mund të formojmë qëndrime jotolerante bazuar në gjëra të tilla sipërfaqësore si brohoritja për skuadra sportive kundërshtare, pasja e pikëpamjeve të ndryshme politike ose pasja e besimeve të ndryshme fetare.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha një këshillë të urtë kur tha: “Mundësitë për t’i dëgjuar ata me bindje të ndryshme fetare apo politike mund të përkrahin tolerancën dhe të mësuarin.”2
Libri i Mormonit flet për një kohë kur: “njerëzit e kishës filluan të ngriheshin në krenarinë e syve të tyre dhe … filluan të trajtonin me përbuzje njëri-tjetrin dhe … filluan të persekutonin ata që nuk besonin sipas vullnetit dhe dëshirës së tyre” (Alma 4:8). Le të kujtojmë të gjithë se Perëndia nuk na pa nga ngjyra e këmishës sportive apo nga partia politike. Përkundrazi, siç deklaroi Amoni: “[Perëndia] shikon poshtë mbi të gjithë fëmijët e njerëzve; dhe ai di të gjitha mendimet dhe qëllimet e zemrës” (Alma 18:32). Vëllezër dhe motra, në garat e jetës, nëse fitojmë, le të fitojmë me mirësi. Nëse humbasim, le të humbasim me mirësi. Sepse nëse jetojmë me mirësi ndaj njëri-tjetrit, mirësia do të jetë shpërblimi ynë në ditën e fundit.
Pikërisht siç jemi të gjithë viktima të prapësive të të tjerëve një herë apo një tjetër, ne gjithashtu jemi herë-herë fajtorë. Ne të gjithë gabojmë dhe kemi nevojë për mirësi, mëshirë dhe falje. Ne duhet të kujtojmë se falja e mëkateve dhe fajeve tona kushtëzohet nga falja që u bëjmë të tjerëve. Shpëtimtari tha:
“Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;
por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja” (Mateu 6:14–15).
Nga të gjitha gjërat që Shpëtimtari mund të ketë thënë në Lutjen e Zotit, që është shumë e shkurtër, është interesante se Ai zgjodhi të përfshijë: “Dhe na i fal borxhet tona, sikurse ne ua falim borxhlinjve tanë” (Mateu 6:12; 3 Nefi 13:11).
Falja është vetë shkaku pse Perëndia dërgoi Birin e Tij, që të na lejojë t’i gëzohemi ofrimit të Tij për të na shëruar të gjithë ne. Shlyerja e Shpëtimtarit nuk është vetëm për ata që duhet të pendohen; ajo është edhe për ata që duhet të falin. Nëse keni vështirësi të falni një person tjetër ose veten tuaj madje, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë. Falja është një parim i lavdishëm shërues. Ne nuk ka pse të jemi dy herë viktimë. Ne mund të falim.
Unë dëshmoj për dashurinë dhe durimin e qëndrueshëm të Perëndisë për fëmijët e Tij dhe për dëshirën e Tij që ne ta duam njëri-tjetrin sikurse Ai na do ne (shih Gjoni 15:9, 12). Kur veprojmë kështu, ne do të çajmë përmes errësirës së kësaj bote drejt lavdisë dhe madhështisë së mbretërisë së Tij në qiell. Ne do të jemi të lirë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.