2016
Plaku K. Bret Natres
Maj 2016


Plaku K. Bret Natres

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku K. Bret Natres dhe bashkëshortja e tij, Shauna Li Adamson Natres, e përshkruajnë veten si “njerëz të papërsosur që kërkojnë çaste të përsosura”.

Ata kanë zbuluar shumë çaste të tilla gjatë kursit të jetës së tyre – të gjitha janë të lidhura në një farë mënyre me Shpëtimtarin dhe Shlyerjen, thotë Plaku Natres.

Plaku Natres thotë se u lind nga prindër të mirë, Dejvid dhe Xhudi Sorensen Natresi, dhe kujton të ëmën duke i lexuar familjes Librin e Mormonit çdo ditë.

Në një rast ai ishte në shtëpi pas një pushimi nga kolegji. Ai ishte përqendruar te provimet përfundimtare të ardhshme dhe nuk po ndihej mirë, ndonëse nuk ndihej i sëmurë fizikisht.

“Nëse ndihesh mirë dhe nuk ndihesh në rregull”, i tha mamaja atij, “duhet të shkosh t’i shërbesh dikujt”.

Breti hodhi një lopatë dëbore në pjesën e prapme të kamionçinës së familjes dhe shkoi përreth duke pastruar me lopatë rrugicat përpara garazheve të të vejave në lagje. U ndje shumë më mirë.

“Isha kaq shumë i përqendruar tek vetja ime dhe provimet përfundimtare, saqë kisha harruar se qëllimi i vërtetë i jetës është t’u shërbejmë të tjerëve”, thotë ai.

Plaku Natres u lind më 4 mars 1965, në Pokatelo, Ajdaho, SHBA. Familja u shpërngul në Lehi, Juta, SHBA, ku ai dhe pesë motrat e vëllezërit e tij provuan të jetuarin në një fermë të vogël të familjes.

Ai e takoi gruan e tij të ardhshme ndërkohë që të dy ishin në vitin e katërt në shkolla të mesme afër njëra-tjetrës. Pasi u kthye nga shërbimi në Misionin e Sakramentos në Kaliforni nga viti 1984 deri në vitin 1986, ata u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut më 24 prill 1987. Ata kanë shtatë fëmijë.

Ai ndoqi Universitetin “Brigam Jang”, në Provo të Jutas dhe u diplomua nga Universiteti i Jutas në 1990-ën me diplomë në terapi fizike. Me të vëllanë Dejvid, ai bashkëthemeloi në vitin 2000 Advanced Health Care Corp. [Shoqërinë e Kujdesit të Përparuar Shëndetësor].

Plaku Natres ka shërbyer në thirrje të shumta në Kishë, përfshirë thirrjen si president i Të Rinjve të lagjes, peshkop, president i Të Rinjve të kunjit, president kunji dhe i Shtatëdhjetë Zonal. Në kohën e thirrjes së tij, ai po kryesonte në Misionin e sapoformuar Gilbert në Arizona.