2020
Telefonoji Babit
Tetor 2020


Telefonoji Babit

Nëse i jap fort biçikletës, mendoi Juja, mund t’ia dal të shkoj në shtëpi përpara se të përmbyten rrugët.

“Merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës” (Doktrina dhe Besëlidhje 78:18).

Call Dad

Juja doli nga qendra e kurseve mësimore drejt trotuarit plot me njerëz. Mendjen e kishte plot me fakte matematikore nga mësimet e tij pas shkollës. Njerëzit nxitonin pranë me çadra. Pikat e mëdha të shiut ia krisën fort dhe rrugën e mbuloi uji.

Shoku i Jusë, Lini, erdhi përbri tij. “Duhet t’i telefonosh babit që të të marrë” – tha Lini. “Zoti Zhang thotë se disa pjesë të qytetit po përmbyten.”

“Mund të shkoj vetë në shtëpi.”

“Po shikoje gjithë atë ujë!” – tha Lini, duke treguar ujin që vërshonte vrullshëm në kanal.

Për një çast, Juja pati një ndjenjë të çuditshme. Mos vallë Lini kishte të drejtë? Ndoshta ai duhej t’i telefononte babit që ta çonte me makinë në shtëpi përpara se të përmbyteshin rrugët. Por ai me babin kishin bërë një debat mbrëmjen e kaluar dhe Juja ishte akoma i inatosur. Ai nuk donte t’i kërkonte ndihmë babit.

Juja e shkyçi biçikletën dhe u përshëndet me Linin. Nëse i jap fort biçikletës – mendoi ai – mund t’ia dal të shkoj në shtëpi përpara se të përmbytën rrugët.

Ai i dha fort biçikletës, po shpejt duart iu bënë akull, rrobat iu qullën dhe u rraskapit. Edhe një herë i erdhi mendimi që t’i telefononte babit. A ishte ndjesia nga Fryma e Shenjtë? Misionarët që e pagëzuan atë, i kishin thënë se Frymën e Shenjtë mund ta kishte udhërrëfyes. Juja vështroi qiellin. Ishte kaq mot i zymtë saqë nuk mund t’i shihte majat e ndërtesave. Por akoma ishte i zemëruar me babin.

Juja e shpërfilli ndjenjën dhe vazhdoi t’i jepte biçikletës. Uji u ngrit kaq shumë saqë pronarët e dyqaneve i mbyllën veprimtaritë e tyre. Njerëzit po i zhvendosnin objektet e veta në katet më sipër. Juja pa një nënë që po i shtynte fëmijët e saj përmes ujit në një barkë të vogël plastike.

Me ujin që tashmë kishte ardhur mbi kyçet e tij të këmbës, Juja nuk mund t’i jepte më biçikletës. Ai zbriti dhe e shtyu biçikletën. Me gjasë ishte tepër vonë tani për t’i telefonuar babit dhe shiu po binte ende. Bubullimat gjëmonin dhe vetëtimat shkreptinin sipër tij. Juja pati frikë. Dhe ishte shumë i lodhur! Ai vështroi përpara. Ishte ende shumë larg nga shtëpia. Ai nuk duhej ta kishte shpërfillur Frymën e Shenjtë veç për shkak të një debati të kotë.

Juja ndaloi të bënte një lutje të shkurtër. Nuk mund t’ia dëgjonte zërin vetes nga shiu dhe bubullimat, por ai e dinte se Ati Qiellor mund ta dëgjonte atë.

“Atë Qiellor” – u lut Juja. “Të lutem më ndihmo të shkoj në shtëpi shëndoshë e mirë.” Kur e mbaroi lutjen, ai ndjeu mjaftueshëm forcë sa të vazhdonte përpara.

Së fundi, Juja mundi ta shihte shtëpinë e tij mbi kodër. Ftohtë, i lodhur si edhe me një këpucë që i mungonte, Juja eci me mundim përpjetë kodrës. Ai pa se babi po e priste përjashta. Babi u lëshua vrap tatëpjetë kodrës për ta takuar atë, duke pllaquritur ujin teksa vraponte.

Kur babi arriti tek ai, e mbështolli në krahët e tij Junë. “Isha shumë i shqetësuar!” – tha babi. “Duhet të më kishe telefonuar!”

“Mendova se ishim zemëruar me njëri-tjetrin” – tha Juja.

“Nuk jam kurrë tepër i zemëruar për të të ndihmuar” – tha babi. Pastaj ia mori biçikletën Jusë dhe e shtyu për aq rrugë sa kishte mbetur deri në majë të kodrës.

Edhe pse bubullimat po jehonin nëpër ndërtesat e larta dhe shiu i fortë po binte me rrebesh, një ndjenjë e ngrohtë ia mbushi zemrën Jusë. Ai ndjeu paqe dhe siguri teksa e ndiqte babin për në shtëpi.