2020
Sakiusa dhe Salote Maiuiriuiri
Tetor 2020


Portrete Besimi

Sakiusa dhe Salote Maiuiriuiri

Suva në Fixhi

Sakiusa and Salote

Vështirë se mund ta besoja paqen dhe lumturinë që gjeta në shtëpinë e familjes Maiuiriuiri. Pavarësisht se dy prej fëmijëve të tyre kishin ndërruar jetë, ata e jetonin jetën çdo ditë me gëzim dhe qëllim.

Lesli Nilson, Fotografe

Salote:

Dy vjet pasi biri ynë, Esa, vdiq me kancer në mushkëri, bija jonë, Esalina vdiq nga meningjiti. Në tempull ndjeva një nxitje të fortë që të flisja me një motër misionare të moshuar, së cilës gjithashtu i kishin vdekur dy fëmijë vite më parë. Ajo më tha: “Nëse e bën shtëpinë tënde një vend të shenjtë, mund ta ndiesh praninë e fëmijëve të tu atje”.

Ai është bërë synimi ynë. Çdo gjë që bëjmë, është për ta bërë shtëpinë tonë një vend të shenjtë. Duam që t’i ndiejmë ata pranë.

Nuk dimë se si të jemi prindër të fëmijëve që janë në anën tjetër të velit. Por nëse bëjmë gjithçka mundemi që të jetojmë me drejtësi, ne besojmë se ata do t’i ndiejnë përpjekjet tona. Në takimet shpirtërore të familjes sonë, ne i ftojmë Esën dhe Esalinën me emër.

Në shtëpinë tonë, edhe kur kemi një mosmarrëveshje, ne përpiqemi ta zgjidhim atë me të shpejtë. Duam që shtëpia jonë të mbetet një vend i shenjtë sa më shumë që të jetë e mundur. Kur e kemi bërë këtë, ne të gjithë kemi ndier shpresë, shërim e dashuri.

Sakiusa:

Përvoja e humbjes së Esës dhe Esalinës përfundimisht e ka sjellë familjen tonë më pranë së bashku. Ne këshillohemi së bashku me fëmijët tanë të tjerë. E frekuentojmë tempullin si familje. E jetojmë jetën tonë sa më thjesht që të jetë e mundur dhe çdo ditë zgjedhim mirënjohjen. Kur flasim për atë që do të thotë të vulosemi si familje në tempull, ajo vulosje merr jetë brenda nesh. Dhe përmes gjithë kësaj, ne e ndiejmë vërtet praninë e fëmijëve tanë.

Një nga gjërat e para që bëmë për ta bërë shtëpinë tonë më të shenjtë, ishte të fillonim leximin e Librit të Mormonit çdo ditë. Fillimisht, tregonim histori me figura nga Libri i Mormonit për fëmijët tanë më të vegjël. Më pas shtuam materiale filmike. Tani po lexojmë më shumë nga Libri i Mormonit. Unë mund të dëshmoj për fuqinë e Librit të Mormonit.

Gjithashtu mund të dëshmoj për fuqinë e planit të shpëtimit. Kur planifikuam shërbesat mortore të Esës dhe Esalinës, ne vendosëm që të mos bënim shërbesa të ndërlikuara, siç është zakoni në kulturën e Fixhit. Në vend të këtyre, bashkëshortja ime dhe unë ishim të vetmit që folëm dhe ne folëm rreth planit të shpëtimit. Shumë pjesëtarë të rrethit tonë familjar janë bashkuar që nga ajo kohë me Kishën, pasi i dëgjuan këto të vërteta në shërbesat mortore.

Sakiusa in the kitchen

Sakiusa i mëson familjes së tij se nuk ka kthim pas në jetë, vetëm ecje përpara. “Çdo ditë ne bëhemi më të përmirësuar”, thotë ai. Ata e jetojnë jetën sa më thjeshtë që munden dhe përqendrohen te mirënjohja.

Salote with a little girl

Salote gjen gëzim të madh në kohën që kalon me fëmijët e saj dhe kur u mëson ungjillin atyre.

Little girl holding up photo

Pjesëtarët e familjes Maiuiriuiri kanë një dëshmi të fortë për vulosjen në tempull. Ata i mbajnë këto të vërteta pranë zemrës së tyre, ndërkohë që i kujtojnë Esën dhe Esalinën.

Maiwiriwiri family smiling boys

Teksa përqendrohen në të jetuarit e thjeshtë dhe ecjen përpara, pjesëtarët e familjes Maiuiriuiri gjejnë çdo ditë mirënjohje për bekimet e tyre. “Jemi mirënjohës për ato që kemi” – thotë Sakiusa.