2020
Qëndroni mbi Shkëmbin e Zbulesës
Tetor 2020


Qëndroni mbi Shkëmbin e Zbulesës

Nga një bisedë në një takim shpirtëror, “Stand Forever” [“Ekziston Përjetë”], e mbajtur në Universitetin “Brigam Jang” më 22 janar 2019.

Duke e hedhur themelin tonë mbi shkëmbin e zbulesës, ne mund të gjejmë përgjigje për pyetjet më të rëndësishme.

man standing on mountain surrounded by people yelling

Ilustrimet nga Michal Dziekan

Si pjesë e një detyre që pata si Autoritet i Përgjithshëm disa vjet më parë, unë lexova shumë materiale kundërshtuese ndaj Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Profetit Jozef Smith, Librit të Mormonit dhe ngjarjeve të Rivendosjes. Që kur ajo detyrë ndryshoi, unë nuk jam kthyer më që të zhytem në atë batak.

Leximi i atyre materialeve gjithnjë më la me një ndjenjë zymtie dhe një ditë ajo ndjesi errësire më frymëzoi të shkruaj një përgjigje të pjesshme ndaj të gjitha pretendimeve të tilla kundërshtuese. Dëshiroj të shpreh disa prej mendimeve të shënuara atë ditë dhe, edhe pse ajo që shkrova ishte për përfitimin tim, shpresoj se do t’ju ndihmojë edhe ju.

A do të Ekzistojmë Përjetë?

Profeti Daniel tha se në ditët e fundit “Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë” (Daniel 2:44).

Mbretëria e Perëndisë është Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo do të “ekzistojë përjetë”. Pyetja është: A do të ekzistojmë ju dhe unë apo “edhe [ne do] të largohe[m]i?” (Gjoni 6:67). Dhe nëse largohemi, ku do të shkojmë?

wolf in sheeps clothing

Mashtrimi Është një Shenjë e Kohës Sonë

Kur Zoti përshkroi shenjat e ardhjes së Tij dhe fundin e botës, Ai përmendi shumë gjëra, përfshirë luftëra dhe zhurmë luftërash, kombe që ngrihen kundër kombeve të tjera, zi buke, epidemi, tërmete dhe shumë shenja të tjera, përfshirë këtë: “Sepse në ato ditë [në kohën tonë] gjithashtu do të ngrihen Krishtër të rremë e profetë të rremë dhe do të tregojnë shenja të mëdha dhe mrekulli, të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit, që janë të zgjedhurit sipas besëlidhjes” (Joseph Smith – Mateu 1:22; shih edhe Mateu 24:24).

Nuk jam i sigurt për gjithçka që nënkuptohet nga kriteri “t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit”, por mendoj se do të thotë, të paktën, që çdo njeri do të përballet me sfida në kohën tonë.

Ka shumë që mashtrojnë dhe spektri i mashtrimit është i gjerë. Nga njëra anë takojmë ata që e sulmojnë Rivendosjen, Profetin Jozef Smith dhe Librin e Mormonit. Pastaj shohim ata që besojnë te Rivendosja, por pretendojnë se Kisha ka mangësi dhe ka shkuar në udhë të gabuar. Të tjerë pretendojnë se besojnë te Rivendosja, por janë të zhgënjyer me doktrinën që bie në kundërshtim me qëndrimet e ndryshueshme të kohës sonë. Disa njerëz pa autoritet pretendojnë se kanë pasur vegime, ëndrra dhe vizitime që ta korrigjojnë Kishën, të na udhërrëfejnë drejt një shtegu më të lartë apo që ta përgatitin Kishën për fundin e botës. Të tjerë mashtrohen nga shpirtra të rremë.

Në anën tjetër të spektrit arrijmë te një gjithësi e tërë e shpërqendrimeve. Kurrë nuk ka pasur më shumë informacion, si dhe informacion të keq e të rremë; më shumë të mira materiale, mjete dhe lojëra; dhe më shumë opinione, vende ku të shkojmë dhe gjëra që të shohim e të bëjmë për ta mbushur kohën dhe për ta larguar vëmendjen nga ajo që është më e rëndësishmja. E gjithë kjo dhe shumë më tepër shpërndahet menjëherë anembanë botës nëpërmjet mediave elektronike. Kjo është një kohë mashtrimi.

Dituria Është Vendimtare

E vërteta na aftëson që të shohim qartësisht, sepse ajo është “dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24). Dituria është vendimtare për ta shmangur mashtrimin, për të dalluar midis së vërtetës dhe gabimit, për të parë qartë dhe për të hartuar një kurs përmes rreziqeve të kohës sonë.

Profeti Jozef Smith tha: “Dituria është e nevojshme për jetën dhe perëndishmërinë. … Dituria është zbulesë. Dëgjoni … këtë çelës të madhërishëm: dituria është fuqia e Perëndisë për shpëtimin.”1

Njerëzit thonë: “Ju duhet të jeni të vërtetë ndaj bindjeve tuaja fetare”. Ndërkohë që kjo është e vërtetë, ju nuk mund të jeni më të mirë sesa ajo që dini. Shumica prej nesh veprojmë mbi bazën e bindjeve tona fetare, veçanërisht të asaj që ne e besojmë se është në interesin tonë vetjak. Problemi është se nganjëherë e kemi gabim.

Disa njerëz mund të besojnë te Perëndia dhe se pornografia është e gabuar dhe prapëseprapë ende klikojnë në faqe pornografie në internet, duke besuar në mënyrë të gabuar se do të jenë më të lumtur nëse e bëjnë këtë gjë apo që ata nuk e kontrollojnë dot veten që të mos klikojnë, ose që ata nuk po lëndojnë ndonjë njeri tjetër. Thjesht e kanë gabim.

Të tjerët mund të besojnë se është e gabuar të gënjejmë dhe përsëri gënjejnë me raste, duke besuar në mënyrë të gabuar se do të ishin më mirë nëse e vërteta nuk dihej. Thjesht e kanë gabim.

Disa njerëz mund të besojnë dhe madje ta dinë se Jezusi është Krishti dhe prapë e mohojnë Atë jo vetëm një herë, por tri herë për shkak të bindjes së gabuar se do të ishte më mirë që ta qetësonin turmën. Pjetri nuk ishte i lig. Nuk jam as i sigurt që ishte i dobët. Thjesht e kishte gabim. (Shih Mateu 26:34, 69–75.)

Kur veprojmë keq, ne mund të mendojmë se jemi të këqij, kur në të vërtetë thjesht e kemi gabim. Sfida nuk është kryesisht që të mbyllim hendekun midis veprimeve tona dhe bindjeve tona; përkundrazi, sfida është të mbyllim hendekun midis bindjeve tona dhe të vërtetës.

Si e mbyllim atë hendek? Si e shmangim mashtrimin?

man walking up steps

Pyetjet Parësore dhe Pyetjet Dytësore

Ka pyetje parësore dhe ka pyetje dytësore. Filloni duke iu përgjigjur pyetjeve parësore fillimisht. Pyetjet parësore janë më të rëndësishmet. Ka vetëm pak pyetje parësore. Po përmend katër:

  1. A ka një Perëndi i cili është Ati ynë?

  2. A është Jezu Krishti Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i botës?

  3. A ishte Jozef Smithi një profet?

  4. A është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mbretëria e Perëndisë në tokë?

Në dallim, pyetjet dytësore janë pa mbarim. Ato përfshijnë pyetje rreth historisë së Kishës, martesës me shumë gra, njerëzve me prejardhje afrikane dhe priftërisë, grave dhe priftërisë, përkthimit të Librit të Mormonit, Perlës me Vlerë të Madhe, ADN‑së dhe Librit të Mormonit, martesës së njerëzve gej, rrëfimeve të ndryshme të Vegimit të Parë e kështu me radhë.

Nëse u jepni përgjigje pyetjeve parësore, pyetjet dytësore marrin përgjigje gjithashtu, ose ato zbehen për nga rëndësia. Jepuni përgjigje pyetjeve parësore dhe ju mund të merreni me gjërat që i kuptoni dhe gjërat që nuk i kuptoni, si dhe me gjërat që bini dakord dhe gjërat që nuk bini dakord, pa u larguar nga Kisha.

Metoda Hyjnore e të Mësuarit

Ka metoda të ndryshme të të mësuarit, përfshirë metodat shkencore, analitike, akademike dhe hyjnore. Që të katër metodat janë të nevojshme për ta ditur të vërtetën. Ato fillojnë të gjitha në të njëjtën mënyrë: me një pyetje. Pyetjet janë të rëndësishme, veçanërisht pyetjet parësore.

Metoda hyjnore e të mësuarit përfshin elementet e metodologjive të tjera, por përfundimisht qëndron më lart se gjithçka tjetër nëpërmjet lidhjes me fuqitë e qiellit. Përfundimisht gjërat e Perëndisë bëhen të njohura me anë të Shpirtit të Perëndisë, i cili është zakonisht një zë i qetë, i vogël. Zoti tha: “Perëndia do t’ju japë juve dituri me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë, po, me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 121:26).

Apostulli Pal dha mësim se ne nuk mund t’i dimë gjërat e Perëndisë përveçse me anë të Shpirtit të Perëndisë (shih 1 Korintasve 2:9–11; shih edhe Joseph Smith Translation, 1 Corinthians 2:11). Ai tha: “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi”. E shohim këtë çdo ditë. Pali vazhdoi: “Dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14).

Nga të gjitha problemet që hasni në jetë, njëri ngrihet mbi gjithë të tjerët dhe kuptohet më pak. Më e keqja nga të gjitha gjendjet njerëzore nuk është varfëria, sëmundja, vetmia, abuzimi apo lufta – sado të tmerrshme që janë ato gjendje. Më e keqja nga të gjitha gjendjet njerëzore është më e zakonshmja: është të vdesësh shpirtërisht. Është të ndahesh nga prania e Perëndisë dhe, në këtë jetë, prania e Tij është Shpirti ose fuqia e Tij.

Anasjelltas, më e mira nga të gjitha gjendjet njerëzore nuk është pasuria, fama, prestigji, shëndeti i mirë, nderimet nga njerëzit apo siguria. Më e mira nga të gjitha gjendjet njerëzore është kur të dhurohet fuqi qiellore. Është të jesh i lindur sërish, të kesh dhuratën dhe shoqërimin e Frymës së Shenjtë, që është burimi i diturisë, zbulesës, forcës, qartësisë, dashurisë, gëzimit, paqes, shpresës, vetëbesimit, besimit dhe pothuajse çdo gjëje tjetër të mirë.

Jezusi tha: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, … do t’ju mësojë çdo gjë” (Gjoni 14:26). Është fuqia me anë të së cilës “mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5). “Ai do t[ë na] tregojë të gjitha gjërat që duhet të bë[jmë]” (2 Nefi 32:5). Ai është burimi i “uji[t] të gjallë” që buron drejt jetës së përjetshme (Gjoni 7:38; shih edhe vargun 37).

Paguani çfarëdo çmimi që duhet të paguani, mbani çfarëdo barre që duhet të mbani dhe bëni çfarëdo sakrifice që duhet të bëni për ta fituar e mbajtur në jetën tuaj shpirtin dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë. Çdo gjë e mirë varet nga të fituarit dhe të mbajturit e fuqisë së Frymës së Shenjtë në jetën tuaj.

man surrounded by question marks

“Ajo që Nuk Lartëson”

Pra, cila ishte zymtia që ndjeva disa vite më parë ndërkohë që lexoja materiale kundërshtuese? Disa mund të thonë se zymtia është produkti i paragjykimit ndaj bindjeve fetare, i cili është prirja e natyrshme të zgjedhim vetëm ato gjëra që pajtohen me supozimet dhe bindjet tona. Mendimi se mund të jetë gabim gjithçka që dikush e ka besuar dhe që i është mësuar, veçanërisht kur nuk ka asgjë më të mirë për ta zëvendësuar, është vërtet një mendim i zymtë dhe shqetësues.

Por është e ndryshme zymtia që përjetova teksa dëgjoja korin e ngrysur të zërave të ngritur kundër Profetit Jozef Smith dhe Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit. Ajo zymti nuk është paragjykimi ndaj bindjeve fetare dhe nuk është frika se e kemi gabim. Është mungesa e Shpirtit të Perëndisë. Është gjendja e njeriut kur “lihet i vetëm” (Doktrina e Besëlidhje 121:38). Është zymtia e errësirës dhe “mpirj[a e] mendimit” (Doktrina e Besëlidhje 9:9; shih edhe vargun 8).

Zoti tha:

“Dhe ajo që nuk lartëson, nuk është prej Perëndisë dhe është errësirë.

Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë” (Doktrina e Besëlidhje 50:23–24).

Zbulesa nga Shpirti i Perëndisë e zëvendëson paragjykimin ndaj bindjeve fetare, sepse nuk mbështetet paraprakisht vetëm te provat. Kam kaluar një jetë të tërë duke u përpjekur të dëgjoj fjalën e Zotit dhe të mësoj se si të dalloj dhe ndjek Shpirtin e Perëndisë. Shpirti i shoqëruar me zërat e ngrysur që e sulmojnë Profetin Jozef Smith, Librin e Mormonit dhe Rivendosjen, nuk është shpirti i dritës, inteligjencës dhe së vërtetës. Unë nuk di shumë, por vërtet e njoh zërin e Zotit dhe zëri i Tij nuk është në atë kor të ngrysur.

Në dallim të plotë nga zymtia dhe mpirja ligështuese e mendimit që e pushtojnë batakun e dyshimit, është shpirti i dritës, inteligjencës, paqes dhe së vërtetës që i shoqëron ngjarjet dhe doktrinën e lavdishme të Rivendosjes, veçanërisht shkrimet e shenjta që iu zbuluan botës nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Thjesht lexojini ato dhe bëjini pyetje vetes dhe Perëndisë nëse ato janë fjalët e gënjeshtrave, të mashtrimit dhe iluzionit apo nëse ato janë të vërteta.

Nuk Mund ta Mësoni të Vërtetën me Anë të Eliminimit

Disa njerëz që kanë frikë se Kisha mund të mos jetë e vërtetë, e shpenzojnë kohën dhe vëmendjen e tyre duke punuar shumë nëpër batakun e pyetjeve dytësore. Në mënyrë të gabuar ata përpiqen ta mësojnë të vërtetën me anë të procesit të eliminimit, duke u përpjekur të eliminojnë çdo dyshim. Kjo është gjithmonë një ide e keqe. Nuk do të funksionojë kurrë.

Ka pretendime dhe opinione pafund që e kundërshtojnë të vërtetën. Sa herë që e gjurmoni një përgjigje ndaj një pretendimi kundërshtues dhe e kontrolloni, një tjetër ju shfaqet përpara. Nuk po them se nuk duhet t’u kushtojmë vëmendje, por po them se ju mund të kaloni një jetë të tërë duke gjurmuar dëshpërimisht përgjigjen ndaj çdo pretendimi të ngritur kundër Kishës dhe kurrë të mos arrini te një dituri për të vërtetat më të rëndësishme.

Përgjigjet për pyetjet parësore nuk vijnë duke iu përgjigjur pyetjeve dytësore. Ka përgjigje për pyetjet dytësore, por ju nuk mund ta provoni diçka pozitive duke hedhur poshtë çdo gjë negative. Nuk mund ta provoni që Kisha është e vërtetë duke hedhur poshtë çdo pretendim që është ngritur kundër saj. Kjo është një strategji me të meta. Më së fundi duhet të ketë provë vërtetuese dhe me gjërat e Perëndisë, prova vërtetuese përfundimisht dhe sigurisht vjen me anë të zbulesës nëpërmjet shpirtit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Dishepujve të Tij, Jezusi iu bëri pyetjen:

“‘Kush thoni se jam unë?’

Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë’.

Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ‘I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.

… Ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë’” (Mateu 16:15–18; shih edhe vargjet 13–14).

Kisha e Jezu Krishtit e ka hedhur themelin mbi shkëmbin e zbulesës dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë. Ju dhe unë jemi Kisha. Ne duhet ta hedhim themelin tonë mbi shkëmbin e zbulesës dhe, edhe pse mund të mos e dimë përgjigjen për çdo pyetje, ne duhet t’i dimë përgjigjet ndaj pyetjeve parësore. Nëse e bëjmë këtë gjë, portat e ferrit nuk do të triumfojnë kundër nesh dhe ne do të ekzistojmë përjetë.

man holding up candle

Qëndroni mbi Shkëmbin e Zbulesës

Ka një Perëndi në qiell që është Ati ynë i Amshuar. Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, Shëlbuesi i botës. Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë, i cili hodhi themelin për Rivendosjen e mbretërisë së Perëndisë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë. E di këtë nëpërmjet përvojës sime – të gjithën. E di këtë nëpërmjet provave dhe provat janë të shumta. E di këtë nëpërmjet studimit. Dhe, më sigurisht, e di këtë nëpërmjet shpirtit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Dhe me këtë, unë di gjithçka që më nevojitet të di që të ekzistoj përjetë. Qëndrofshim mbi shkëmbin e zbulesës, veçanërisht në lidhje me pyetjet parësore. Nëse e bëjmë këtë, ne do të qëndrojmë përjetë dhe nuk do të largohemi kurrë.

Shënim

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 281.