Përgjigje nga Udhëheqësit e Kishës
Shpresa Jonë, Drita Jonë, Forca Jonë
Nga një transmetim Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm për mësuesit e fesë, i zhvilluar më 8 shkurt 2019.
Kur u shugurova Apostull, i dashuri Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) tha se do të isha një dëshmitar i veçantë i emrit të Jezu Krishtit në të gjithë botën. Unë nuk e mora me lehtësi atë përgjegjësi. I studiova me vëmendje shkrimet e shenjta duke e identifikuar Zotin sipas emrave dhe titujve të Tij. Të gjitha këto që do t’ju shpreh juve, janë vargje nga shkrimet e shenjta, të cilat na kujtojnë shpresën tonë që është në Të.
Ai është Shpresa e Izraelit (Jeremia 17:13), Ylli i Ndritshëm i Mëngjesit (Zbulesa 22:16), Bariu i Mirë (Doktrina e Besëlidhje 50:44), Këshilltari (Isaia 9:6; 2 Nefi 19:6), Princi i Paqes (Isaia 9:6; 2 Nefi 19:6), Çlirimtari (Romakëve 11:26), Drita e Botës (Gjoni 8:12) dhe Kryeprifti i të mirave që do të vijnë në të ardhmen (Hebrenjve 9:11). Ai është i fuqishëm për të shpëtuar (Alma 34:18; Doktrina e Besëlidhje 133:47) dhe Ai që ka gjithë fuqinë (Doktrina e Besëlidhje 61:1).
Ndikimi, gjurma që lë dhe shtrirja e Krishtit janë gjithëpërfshirëse. Ai është atje kur ne lëkundemi dhe përpiqemi fort të ecim përpara. Dhe nëse shkasim, “drita [e Tij] që shkëlqen në errësirë” (Doktrina e Besëlidhje 6:21), është më e shndritshme se kurrë. Ai na do në ditët tona më të shndritshme dhe në ditët tona më të errëta.
Të jesh një dishepull i Jezu Krishtit nuk është punë hamendësimi. Shtegu i Tij është i shënuar mirë nga gjurmët e Tij. Teksa e ndjekim Atë, ne arrijmë të duam atë që do Ai. Ndërsa i përtërijmë besëlidhjet tona me Të çdo javë duke marrë sakramentin e shenjtë, ne rritemi në kuptimin për Të si Shëlbues i botës (Doktrina e Besëlidhje 93:9), Shpirti i së vërtetës (Doktrina e Besëlidhje 93:9) dhe Fjala (Doktrina e Besëlidhje 93:8).
Miq të dashur, ky është Shpëtimtari që unë njoh, që e dua dhe e nderoj me gjithë zemrën time. Nga thellësia e shpirtit tim, dëshmoj për Të dhe për mirësinë e mëshirën e Tij. Ai ka premtuar: “Ju jeni miqtë e mi dhe do të keni një trashëgimi me mua” (Doktrina e Besëlidhje 93:45).
Jezu Krishti është përherë përgjigjja për problemet dhe sfidat që janë pjesë e kësaj përvoje në vdekshmëri. Duke e kuptuar misionin e Tij dhe ungjillin e Tij, dashuria jonë për Të dhe bindja jonë për Të dhe mbështetja jonë tek Ai, na japin forcë.