Ai më Bashkoi Sërish
Mikesha ime dëgjoi se isha e sëmurë dhe më dërgoi një figurëformuese të bërë vetë, posaçërisht për mua.
Gjithnjë kisha menduar për veten se isha një person i shëndetshëm. Prandaj u trondita kur u zgjova një mëngjes duke u ndier sikur po më shtrëngohej kraharori aq shumë sa do të pëlciste. Shkova me ngut në spital, por pas disa orë analizash, doktorët nuk mund ta gjenin problemin. Më dërguan në shtëpi edhe pse akoma vuaja nga dhembja torturuese. Kështu filloi një përvojë e hidhur shtatëmujore e takimeve me mjekun, qëndrimeve në spital dhe e dhembjes më të rëndë që kam ndier ndonjëherë në jetën time.
Fillova të bëhem me depresion. M’u desh ta lija përgjysmë studimin tim në kolegj dhe të kthehesha për të jetuar me prindërit e mi. Nuk mund të dilja me miqtë. Kisha aq shumë dhembje sa nuk mund të bëja asgjë që më pëlqente. Ndjeva se gjithçka për të cilën interesohesha – aspiratat e mia, marrëdhëniet e mia, talentet e mia – ishin copëtuar dhe tani pjesët e vetes sime të mëparshme dukeshin të pamundura për t’u bashkuar sërish. Dhe fillova ta pyes veten: Si mund ta lejonte Ati Qiellor që kjo gjë të më ndodhte mua? A nuk më donte Ai?
Pas një takimi tjetër zhgënjyes dhe të dhimbshëm me mjekun, gjithçka që doja të bëja ishte të mblidhesha kruspull e të qaja. Por kur mbërrita në shtëpi, pashë diçka të çuditshme në verandë: një kuti të vjetër, të grisur këpucësh, të mbuluar me ngjitëse dhe me emrin tim.
Një letër mbi kuti tregoi që pakoja ishte prej njërës nga shoqet e mia. Kishte dëgjuar se isha e sëmurë dhe donte të më ngrinte shpirtërisht. Kur e hapa kutinë, zbulova se ishte plot me copa të vogla polistiroli poroz. Ishte një figurëformuese e bërë vetë, posaçërisht për mua.
Kur e formova figurën, fillova të qaja. Figura formoi emrin tim, të rrethuar nga mesazhe të ëmbla dashurie dhe inkurajimi. E ndjeva se pjesët e copëtuara të vetes sime tani po bashkoheshin sërish, ndërkohë që po bashkoja pjesët e dhuratës së shoqes sime.
Pak kohë më vonë, fillova të marr një ilaç që m’i pakësoi simptomat dhe i ndihmoi mjekët të më jepnin një diagnozë. Kisha një sëmundje të rrallë, por të mjekueshme dhe me mjekimin e duhur, mund të kthehesha në jetën normale.
Edhe kur trupi im u shërua, e dija se nuk do ta harroja kurrë atë që kisha mësuar. Për shkak të dhuratës së ëmbël të shoqes sime, e dija se më donin dhe se Ati Qiellor nuk më kishte harruar. Disa muaj pasi u ndjeva e copëtuar, falë mirësisë së një shoqeje dhe dashurisë së Atit tim në Qiell, unë u shërova përsëri.