Shërbimi i Përditshëm i Martës
Kjo nënë dhe e bija punojnë fort për ta jetuar ungjillin së bashku. Dhe Marta është e aftë që ta jetojë atë duke i shërbyer nënës së saj në mënyra të pashoqe.
Marta është një vajzë 11‑vjeçare nga Portugalia dhe si shumicës së vajzave në moshën e saj, i pëlqen të kalojë kohë me miqtë, të hajë ushqim dhe të luajë me kukullat e veta. Asaj i pëlqen gjithashtu që të kalojë kohën me nënën e saj. Por jetesa me nënën e saj do të thotë që Marta jeton paksa ndryshe nga fëmijët e tjerë.
Nëna e Martës, Sonja, ka lindur me një mangësi në aftësitë motorike çka e vështirëson atë të ecë. Ajo nuk është krejtësisht e paralizuar, por ka nevojë për një patericë me katër këmbë për të lëvizur rreth e rrotull. Ajo nuk mundet që të vishet vetë, të bëjë vetë banjë apo të bjerë vetë në shtrat. Kjo e bën të vështirë që ajo të jetojë e vetme. Marta ka qenë në gjendje t’i shërbejë Sonjës vitet e fundit duke e ndihmuar për gjërat që nuk mund t’i bëjë e vetme.
“I lë të lira hapësirat që nëna ime të lëvizë lehtësisht rrotull”, thotë Marta. “Gjithashtu e ndërpres lojën herë pas here që të kem kohë ta kontrolloj nënën dhe të shoh nëse ka nevojë për ndihmë. Nëse jam duke luajtur dhe ajo më thërret, shkoj shpejt sepse mund të jetë diçka urgjente.”
Por Sonja përpiqet që ta lërë Martën të jetojë sa më normalisht që të mundet. Nëse Sonja nuk ka nevojë për ndihmë, ajo sigurohet që Marta të ketë kohë të luajë me shokët e shoqet e saj.
Jetesa sipas Besimit të Tyre
Marta ka mundësinë që ta jetojë çdo ditë ungjillin duke i shërbyer nënës së saj. Ajo merr shumë përgjegjësi që fëmijët e tjerë zakonisht nuk i kanë. Për shembull, ajo ngrihet herët në mëngjes që ta ndihmojë nënën të bëhet gati për punë përpara se të shkojë vetë në shkollë. Pa ndihmën e Martës, Sonja nuk do të ishte në gjendje të lëvizte rreth e rrotull apo të shkonte në punë çdo ditë.
Marta dhe Sonja gjithashtu e frekuentojnë së bashku kishën. Sonja u pagëzua kur ishte tetë vjeçe, kështu që Marta është rritur në Kishë. Sonja e mëson Martën rreth rëndësisë që ka ungjilli për çdo ditë. Një nga mënyrat se si ajo e bën këtë, është duke pasur shumë piktura të Jezu Krishtit në shtëpinë e tyre.
“Unë e di se Perëndia jeton dhe se Jezu Krishti është i vërtetë”, thotë Sonja. “Dhe dua që kushdo që më vjen në shtëpi, ta dijë se besimi është shumë i rëndësishëm për mua. Për mua është e rëndësishme gjithashtu që t’ia mësoj Martës këtë, që ajo të rritet me këtë njohuri për Jezu Krishtin.”
Marta e ka përvetësuar atë që ia ka mësuar nëna, dhe vazhdon të mësojë më shumë vetë rreth ungjillit. Një mënyrë se si asaj i pëlqen të mësojë është duke i lexuar shkrimet e shenjta, çka e ndihmon që të krijojë një marrëdhënie më të fortë me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin. “Teksa i lexoj shkrimet e shenjta, ndiej se Krishti është pranë meje”, thotë ajo.
Gjetja e Ngushëllimit
Ndërkohë që mund të jetë e vështirë të kesh kaq shumë përgjegjësi, vajtja në kishë çdo javë e ndihmon Martën të gjejë ngushëllimin që i nevojitet për të vazhduar që ta ndihmojë nënën e saj. “Kur ata i bëjnë lutjet në fillim dhe në fund të mbledhjes së sakramentit, është një paqe e madhe”, thotë ajo. “Kur ndodhem atje, nganjëherë ndiej sikur Ati Qiellor po më thotë se jam një njeri i mirë dhe se duhet të vazhdoj të jem një njeri i mirë për ta ndihmuar nënën time.”
Sa herë që ajo ndihet në këtë mënyrë, asaj i kujtohet se sa mirënjohëse është për nënën e saj. Ajo ndien se Ati Qiellor ka dërguar engjëj për ta përkrahur atë. “Unë mendoj se Ai më forcon që të zgjohem dhe të jem e lumtur dhe krenare për nënën që kam”, thotë Marta.
Një nga mësimet që Sonja dhe Marta kanë mësuar së bashku, është se jeta nuk është e lehtë apo e përsosur – për askënd. Sonja thotë: “Asnjë nga vështirësitë nuk më trishton. E di që Perëndia më dha këtë trup prej mishi, gjaku e kockash të këtillë, ngaqë jam e veçantë dhe Perëndia më ka thënë se mund t’ia dal. Unë bëj më të mirën time. Mund të bëj më shumë, por sot ndihem në rregull me veten. Jam krenare për atë që bëj, për atë që kam dhe për atë që do të bëj nesër.”
Marta e kupton gjithashtu se gjërat do të shkojnë mirë edhe pse jeta mund të jetë e vështirë herë pas here, teksa ajo kujdeset për nënën e saj. Ajo sheh se gjithsecili ka sfida të ndryshme. “Askush nuk ka një jetë të përsosur”, - thotë ajo. Por edhe me vetë sfidat e saj vetjake, Marta gjen ende gjëra të mira në çdo situatë – marrëdhënia që ajo ka me nënën e saj është një shembull. “Nëna ime ka një kufizim fizik, por mendërisht dhe emocionalisht ajo është shumë inteligjente. Ne jemi vërtet shoqe të mira.”
Shikimi Përpara
Pra, si e mendojnë të ardhmen Marta dhe Sonja? Marta thotë: “Unë dua t’i rri afër nënës sime dhe sigurisht dua të martohem, të kem fëmijë dhe të kem një familje. Por në të ardhmen, nëse do të mundem, dua të blej një shtëpi, si për familjen time edhe për nënën time, sepse nuk dua që të jem larg saj qoftë edhe për një ditë!”
Sonja ndihet optimiste rreth së ardhmes gjithashtu, dhe do të jetë gjithnjë mirënjohëse për shoqërimin dhe dashurinë e Martës. “Është gjë mahnitëse të kesh një bijë të mrekullueshme. Është kënaqësi ta kem Martën në jetën time. Ajo është një dhuratë nga Perëndia. Ai e përgatiti Martën të qëndrojë këtu me mua.”