2020
Më Shumë se Një Mënyrë për t’i Studiuar Shkrimet e Shenjta
Tetor 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Më Shumë se Një Mënyrë për t’i Studiuar Shkrimet e Shenjta

Edhe nëse nuk ju pëlqen leximi, ka shumë mënyra për t’i studiuar shkrimet e shenjta.

Më pëlqen shumë thirrja ime e tanishme si pianiste në Fillore. Disa javë më parë, fëmijët po ushtroheshin për një këngë. E ndjeva Shpirtin teksa kënduan:

T’kërkoj dhe lutem

Jan’ gjërat që duhet t’bëj.

Shpirti do më udh’heq’ në zemër ta di,

Që shkrimet jan’ t’vërteta.1

Por më lindi edhe një pyetje. Po sikur – ashtu siç e sugjeron vargu i parë i këngës – të mos doni “shkrimet e shenjta t’lexo[ni]”? Mendoj se tema e leximit ka qenë në mendjen time kohët e fundit, sepse më shumë se një mik/e më kanë treguar se po hasin vështirësi ngaqë kanë paaftësi për të lexuar. Dhe shumë prej njerëzve që njoh, thjesht nuk u pëlqen të lexojnë! A ka ndonjë mënyrë që ata prapë të kenë një përvojë domethënëse me shkrimet e shenjta dhe të zhvillojnë “një dëshmi që [ato] jan’ t’vërteta”?

Njerëzit duket se mësojnë më mirë kur informacioni paraqitet në shumë mënyra të ndryshme, si nga ana pamore ashtu edhe zanore, dhe kur mësimet përsëriten herë pas here. Me këtë në mendje, u përpoqa të mendoj sa më shumë mënyra të ndryshme që të mundja për studimin e shkrimeve të shenjta. Tani, e pranoj, jo gjithçka në këtë listë do të llogaritej si studimi i kujdesshëm dhe i thelluar i shkrimeve të shenjta që profetët na kanë mësuar se është jetik për dëshmitë tona – disa nga këto janë thjesht ide të shpejta, argëtuese – por mendova se të paktën mund të nxitin disa ide të reja tuajat. Le të bëjmë përpjekjen tonë më të mirë për studimin e ungjillit në mënyrë që, ashtu siç thotë kënga, të mund “t’arrij[më] të kuptoj[më]” së bashku!

Ide për Studimin e Shkrimeve të Shenjta

  1. Përcaktoni fjalë që përsëriten në bekimin tuaj patriarkal dhe kërkojini po ato fjalë në shkrimet e shenjta.

  2. Teksa studioni, vizatoni figura të mendimeve tuaja në një ditar studimi ose në hapësirën në anë të manualit tuaj Eja, Më Ndiq.

  3. Ndërtoni një model në miniaturë të një historie në shkrimet e shenjta.

  4. Merrni në telefon një të afërm që jeton larg dhe lexoni së bashku nëpërmjet telefonit.

  5. Shkruani një listë pyetjesh që keni për Perëndinë dhe më pas kërkoni përgjigje teksa lexoni.

  6. Shihni një material filmik nga BookofMormonVideos.org ose BibleVideos.org.

  7. Hapini shkrimet e shenjta në çfarëdo kapitulli dhe filloni të lexoni.

  8. Këndoni një himn dhe më pas kërkoni shkrimet e shenjta që janë renditur në fund të këngës.

  9. Vizitoni faqen topics.ChurchofJesusChrist.org dhe studioni diçka që ju intereson.

  10. Kërkoni në internet vepra arti që portretizojnë historinë nga shkrimi i shenjtë që po studioni.

  11. Lexoni vetëm kreun e kapitullit dhe të seksionit të një libri.

  12. Dëgjoni muzikë të qetë instrumentale ndërkohë që lexoni me zë të lartë.

  13. Kërkoni mënyrat se si lidhet çdo kapitull i shkrimit të shenjtë me tempullin.

  14. Nëse ju zakonisht i studioni shkrimet e shenjta në format elektronik, përpiquni të lexoni kopje të shtypura, ose anasjelltas.

  15. Pikturoni ose vizatoni një skenë apo histori të shkrimeve të shenjta.

  16. Bëni sikur ju ishte caktuar të flisni për një temë në kishë dhe studioni për të.

  17. Pasi të lexoni një kapitull të parapëlqyer të shkrimit të shenjtë, rishkruajeni atë me fjalët tuaja.

  18. Ndiqni poshtëshënimet në një varg të parapëlqyer, pastaj ndiqni poshtëshënimet te vargjet ku ju çojnë, pastaj ndiqni ato poshtëshënime etj.

  19. Me miqtë lexojini vargjet me radhë, me zë të lartë, dhe bisedoni për ato që lexoni.

  20. Përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta që të studioni një fjalë apo temë të vetme.

  21. Shikojini të gjitha shkrimet e shenjta te shënimet në fund të një bisede të konferencës së përgjithshme.

  22. Vendoseni një shkrim të shenjtë diku ku mund ta shihni çdo ditë dhe përpiquni ta mësoni përmendsh këtë javë.

  23. Shkruajuni kartolina njerëzve me shkrime të shenjta ngushëlluese të cituara në to.

  24. Përdoreni programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për t’i dëgjuar shkrimet e shenjta teksa lexohen me zë të lartë.

  25. Paraqitni me diagram kohëzgjatjen e ngjarjeve ndërsa lexoni Librin e Mormonit.

  26. Gjeni një “shok/shoqe për shkrimet e shenjta” dhe dërgojini me mesazh njëri‑tjetrit një varg çdo mëngjes.

  27. Filloni nga kapitulli i fundit i Librit të Mormonit dhe lexoni deri në fillim të librit.

  28. Lexoni shkrime të shenjta që përmbajnë një dëshmi, më pas shkruajeni dëshminë tuaj.

  29. Nëse i bini një instrumenti, përpiquni të shkruani një këngë që përçon ndjenjën e një vargu.

  30. Pyetini pjesëtarët e familjes ose miqtë për vargjet e tyre të parapëlqyera të shkrimeve të shenjta.

  31. Ndërsa lexoni, vizatoni objektet që përshkruhen, si për shembull, harkun e thyer të Nefit.

  32. Lexoni dhe mësoni përmendsh vargjet që përdoren nga misionarët për të dhënë mësime, të cilat gjenden në kapitullin e tretë të udhëzuesit Predikoni Ungjillin Tim.

  33. Lexoni një libër nga Bibla, të cilin nuk e keni lexuar kurrë më parë.

  34. Hulumtoni jetën e një heroi në shkrimet e shenjta dhe shkruani një raport biografik.

  35. Interpretoni me role një histori të shkrimeve të shenjta si pjesë e mbrëmjes së shtëpisë apo e një aktiviteti tjetër në Kishë.

  36. Gjeni një citim nga një udhëheqës i Kishës që shkon me secilin kapitull që përfundoni.

  37. Lexojini ndihmat studimore për shkrimet e shenjta, si për shembull Parathënia e Librit të Mormonit apo Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

  38. Shpenzoni kohë në natyrë dhe mendoni se si lidhet ajo që shihni me ungjillin, më pas gjeni një varg rreth asaj që mësuat.

A keni vetë idetë tuaja? Tregojuani miqve tuaj!

Shënim

  1. “Kërko, Përsiat dhe Lutu”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66.