E Dhjeta për Pesot
Autori jeton në Çiuaua, Meksikë.
Sofia u ngrit herët. Sot ishte ditë shumë e veçantë. Ajo do të shkonte për të shitur limonadë te pika e shitjes në garazhin e tetos dhe burrit të saj! Mami përgatiti një kanë të madhe me limonadë për të.
Sofia bëri një tabelë. Ajo shkroi “Limonadë!” në germa portokalli dhe të verdha. Ajo e ngjiti shënimin te një tavolinë e vogël. Pastaj u ul duke pritur.
Shpejt u afrua një zotëri: “A mund të më japësh një gotë?” – e pyeti ai. Ai hodhi ca pesos në kavanozin e saj.
“Sigurisht!” – tha Sofia. Ajo i mbushi atij një gotë limonadë.
Pak e nga pak, njerëzit erdhën të shihnin te pika e shitjes te garazhi. Dhe pak e nga pak ata e blenë limonadën e shijshme. Mëngjesi kaloi gëzueshëm. Për pak kohë u mbarua e gjithë limonada.
Sofia tundi kavanozin e saj. Pesot tringëllinin. Sa shumë që kishte mbledhur!
“Punë e paqme!” – tha babi.
Sofia nuk kishte pasur kurrë kaq shumë para më parë. “Do të shkoj të blej një lodër YoYo!”
Babi buzëqeshi. “A e di se çfarë bëjmë unë dhe mami kur fitojmë para?”
Sofia tundi kokën.
“Ne paguajmë të dhjetën” – tha babi. “Ati Qiellor na dha gjithçka. Ai kërkon që ne t’i japim Atij në këmbim një pjesë të vogël. Ne e paguajmë të dhjetën sepse e duam Atë.”
Sofia buzëqeshi. Ajo donte t’i tregonte Atit Qiellor se edhe ajo e donte Atë.
Babi e ndihmoi Sofian që t’i numëronte pesot e saj. Sa herë që numëronte deri në 10, ajo vendoste një peso në zarf. Babi e ndihmoi atë që të shkruante numrat në një fletë të vogël të bardhë. Ata e vendosën letrën në një zarf bashkë me pesot. Pastaj e ngjitën për ta mbyllur. Sofia do t’ia jepte atë peshkopit nesër në kishë.
“Si ndihesh?” – e pyeti babi Sofian.
“Shumë e lumtur! Dhe unë kam ende para për të blerë lodrën YoYo.” Ajo e ndjeu se Ati Qiellor ishte i lumtur me zgjedhjen e saj.