2020
Shtëpitë e Mbledhjeve – Vende Nderimi dhe Adhurimi
Tetor 2020


Shtëpitë e Mbledhjeve – Vende Nderimi dhe Adhurimi

Shpirti i Zotit është në shtëpitë tona të mbledhjeve dhe do të na frymëzojë kur ne sillemi me nderim përpara Tij.

family sitting in sacrament meeting

Një koleg i devotshëm dikur më tregoi një përvojë që e pati kur përmbushi një detyrë që të mblidhte karriget dhe të rregullonte qendrën e kunjit pas një konference kunji. Pas 30 minutash që po kryente këto detyra, ai kuptoi se ishte personi i fundit që kishte mbetur në godinë. Megjithatë, në vend që të ndihej i vetëm dhe në ngutje për t’u larguar, ai vuri re se po e njëjta ndjesi e ëmbël paqeje që e kishte ndier gjatë konferencës, ngeli me të dhe madje po rritej.

Kur mbaroi detyrën dhe po dilte nga shtëpia e mbledhjeve, u ndesh me një anëtar tjetër i cili dukej se po e vështronte me vëmendje. Duke e kuptuar se çfarë kishte qenë duke bërë miku im, ky anëtar ia shtrëngoi dorën dhe i tha: “Vëlla, Zoti i sheh këto gjëra të vogla që ti i bën për Të dhe Ai e hedh vështrimin poshtë dhe buzëqesh për to”.

Vite më vonë, ndërkohë që po shërbente si peshkop, po ky mik u gjet përsëri i vetëm në shtëpinë e mbledhjeve të lagjes së tij. Pasi i mbylli dritat e sallës së sakramentit, ai qëndroi për një çast duke parë dritën e hënës që shkëlqente përmes dritareve e që arrinte deri te foltorja.

Ndjesia e njohur e paqes e pushtoi përsëri dhe ai u ul afër kreut të sallës dhe reflektoi për morinë e çasteve të shenjta që i kishte përjetuar në atë mjedis – herët e shumta që i kishte vëzhguar priftërinjtë duke copëtuar bukën në tryezën e sakramentit, rastet kur e kishte ndier Shpirtin e Shenjtë ta shoqëronte teksa jepte një bisedë në konferencën e lagjes, shërbimet e pagëzimeve që kishte drejtuar, numrat e bukur të korit që kishte dëgjuar dhe dëshmitë e panumërta nga anëtarët e lagjes që e kishin prekur kaq thellë. I ulur vetëm në atë sallë të errët të sakramentit, ai u ndje i pushtuar nga ndikimi së bashku i këtyre përvojave në jetën e tij dhe në jetën e anëtarëve të lagjes së tij dhe e përkuli kokën me mirënjohje të thellë.

Mikut tim i kishin mësuar me urtësi e saktësi se vendet më të shenjta në tokë janë tempulli dhe shtëpia, por nëpërmjet dy përvojave të lartpërmendura, ai gjithashtu arriti të kuptonte natyrën e shenjtë të shtëpive tona të mbledhjeve. Për shkak se ato përkushtohen me anë të autoritetit të priftërisë, këto godina bëhen mjedise në të cilat Zoti i derdh zbulesat mbi njerëzit e Tij dhe në të cilat “fuqia e perëndishmërisë manifestohet” nëpërmjet ordinancave që ndodhin atje (shih Doktrina e Besëlidhje 84:20).

Shtëpia e mbledhjeve ndërthuret me shtëpinë e banimit që të bëjë të ndodhë gëzimi i premtuar të cilin shenjtorët besnikë mund ta përjetojnë në ditën e Shabatit. Ajo bëhet një vend ku adhurimi si grup i anëtarëve shkakton që zemrat e tyre të bëhen “të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri‑tjetrit” (Mosia 18:21) dhe kundrejt Shpëtimtarit. Që ne të japim mirënjohjen dhe respektin e duhur për derdhjen e bekimeve shpirtërore që na vijnë prej shtëpive tona të mbledhjeve, ne duhet të hyjmë në këto vende adhurimi me një sjellje nderimi të thellë e të sinqertë.

taking the sacrament

Domethënia e Nderimit

Në kulturën tonë bashkëkohore në Kishë, fjala nderim është bërë sinonim me fjalën qetësi. Ndërkohë që tonet e buta janë sigurisht të përshtatshme për godinat tona kishtare, ky këndvështrim i kufizuar për nderimin nuk arrin të rrokë kuptimin e plotë të fjalës. Fjala nderim [në anglisht “reverence”] mund të gjurmohet nga folja në latinisht revereri, që do të thotë të “qëndrosh në mahnitje ndaj”1. A mund të gjejmë një fjalë që i përshkruan më rrjedhshëm ndjenjat e shpirtit tonë kur ne vërtet mendojmë thellë rreth asaj që Shpëtimtari ka bërë për secilin prej nesh?

Më vijnë në mendje fjalët e himnit të bukur që e këndojmë kur jemi në godinat tona kishtare: “Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do”2. Ajo ndjesi e thellë e mirënjohjes, përlëvdimit dhe mahnitjes është thelbi i nderimit dhe na shtyn ta shmangim çfarëdo lloj të folure ose sjelljeje që mund t’i pakësojë ato ndjenja brenda vetes sonë ose të tjerëve.

woman at pulpit

Fotografi e gruas te foltorja, nga Tiffany Myloan Tong

Shtëpitë e Mbledhjeve dhe Dita e Shabatit

Nga zbulesa moderne, ne e dimë se një pjesë qendrore e adhurimit tonë në Shabat është që “të shko[jmë] në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofro[jmë] sakramentet [tona] në ditën … [e] shenjtë [të Zotit]” (Doktrina e Besëlidhje 59:9). “Shtëpi[të] e lutjes” në të cilat ne mblidhemi në Shabat, janë shtëpitë tona të shenjta të mbledhjeve.

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka ndihmuar që ta kuptojmë më mirë lidhjen e ngushtë midis nderimit tonë për Shpëtimtarin dhe ndjenjave tona kundrejt ditës së Shabatit. Kur tregoi përvojën e vet se si arriti ta nderonte Shabatin, Presidenti Nelson tha: “Mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim”3.

Ashtu sikurse sjellja dhe qëndrimi ynë për Shabatin janë një shenjë e përkushtimit tonë ndaj Zotit, sjellja jonë, qëndrimi ynë dhe madje mënyra jonë e veshjes, ndërkohë që jemi në shtëpinë e Tij të lutjes, mund të tregojnë po ashtu shkallën e nderimit që ndiejmë kundrejt Shpëtimtarit.

people sitting in sacrament meeting

Shtëpitë e Mbledhjeve dhe Ordinancat

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e ka zgjeruar kuptueshmërinë tonë për këtë koncept, duke shpallur:

“Përveç gjetjes së kohës për udhëzim mbi ungjillin më të përqendruar te shtëpia, shërbimi ynë i ndryshuar i së dielës … thekson siç duhet sakramentin e Darkës së Zotit si pikën e shenjtë e të njohur të përvojës sonë të përjavshme të adhurimit. Ne duhet ta kujtojmë në mënyrën më vetjake që të jetë e mundur se Krishti vdiq nga një zemër e thyer, e shkaktuar ngaqë i mori mbi supe i vetëm mëkatet dhe brengat e të gjithë familjes njerëzore.

Çfarëdo pjese t’i kemi shtuar asaj barre fatale, për një çast të tillë duhet respekt nga ana jonë.”4

Është e rëndësishme të mbahet mend se vendi i caktuar për këtë çast suprem të respektit ndaj Shpëtimtarit, është salla e sakramentit në shtëpinë e mbledhjeve. Përveç nderimit që ndiejmë gjatë ordinancës së përjavshme të sakramentit, ndjenjat tona të nderimit dhe respektit forcohen kur marrim parasysh ordinancat dhe bekimet e tjera të priftërisë që kryhen në shtëpinë e mbledhjeve, përfshirë vënien e emrit dhe bekimin e fëmijëve, pagëzimet dhe konfirmimet, shugurimet në priftëri dhe veçimet për thirrjet. Secila prej këtyre ordinancave dhe bekimeve mund të sjellë me vete një derdhje të Shpirtit të Shenjtë, në qoftë se njerëzit që marrin pjesë në ordinanca dhe ata që po i frekuentojnë mbledhjet, vijnë me një qëndrim nderimi.

missionaries in chapel

Fotografi nga James Iliff Jeffery

Shtëpitë e Mbledhjeve dhe Adhurimi

Dita e Shabatit na jep mundësinë ta adhurojmë Zotin gjatë studimit tonë në shtëpi dhe si bashkësi gjatë mbledhjes së sakramentit dhe mbledhjeve të tjera. Që nga ditët më të hershme të Kishës, shenjtorët kanë gjetur kënaqësi kur mblidhen së bashku për t’u shoqëruar dhe për të krijuar lidhje si vëllezër e motra. Shtëpitë tona të mbledhjeve janë madje të projektuara si hapësira për t’u krijuar vend veprimtarive të tilla gjatë javës. Sidoqoftë, kurrë nuk duhet ta heqim vëmendjen nga qëllimi kryesor i këtyre godinave, që është të sigurojnë një vend adhurimi.

Adhurimi dhe nderimi janë të lidhur ngushtë. “Kur ne e adhurojmë Perëndinë, ne i afrohemi Atij me dashuri, përulësi dhe admirim nderues. Ne e njohim dhe e pranojmë Atë si Mbretin tonë sovran, Krijuesin e universit, Atin tonë të dashur, pafundësisht të përzemërt.”5

Ky qëllim themelor i adhurimit, si rrjedhojë, duhet të ndikojë te sjellja jonë në shtëpitë e mbledhjeve edhe kur përfshihemi në veprimtari shoqërore ose argëtuese. Përkujdes i madh duhet të tregohet që të pakësohet në minimum rrëmuja, prishja ose dëmtimi i ndonjë pjese të godinës si rrjedhojë e aktiviteteve të Kishës dhe duhet të ndërmerren menjëherë veprime për ta pastruar ose riparuar atë në rast se kjo gjë ndodh.

Fëmijëve dhe rinisë mund t’u mësohet se nderimi dhe përkujdesi për shtëpinë e mbledhjeve shtrihet përtej mbledhjeve të së dielës. Pjesëmarrja e anëtarëve në pastrimin e shtëpisë së mbledhjeve – veçanërisht pjesëmarrja e ndërthurur e prindërve dhe fëmijëve – është një mjet i mrekullueshëm për zhvillimin e një ndjesie nderimi për godinat tona të shenjta. Siç u vu në dukje nga përvoja e mikut tim në rregullimin e qendrës së kunjit të tij pas konferencës së kunjit, pikërisht veprimi i përkujdesit për shtëpinë e mbledhjeve është një mjet adhurimi dhe e fton Shpirtin e Zotit.

woman cleaning door to the chapel

Fotografi e anëtarëve duke qëndruar jashtë godinës, nga Massimo Criscione

Shtëpitë e Mbledhjeve dhe Shpëtimtari

Nën drejtimin profetik të Presidentit Nelson, po bëhen përpjekje të rëndësishme për t’u siguruar që emri i Jezu Krishtit nuk lihet kurrë jashtë kur i drejtohemi Kishës së Tij. Në mënyrë të ngjashme, ne nuk duhet ta lejojmë që Shpëtimtari të zhvendoset nga qendra e adhurimit tonë – përfshirë vendet tona të adhurimit.

Ne e kemi zakon t’i drejtohemi tempullit si shtëpia e Zotit, gjë që është një përcaktim i saktë dhe i rëndësishëm. Megjithatë, mund të jemi më të prirur të harrojmë që secila prej shtëpive tona të mbledhjeve përkushtohet nga autoriteti i priftërisë si një vend ku Shpirti i Zotit mund të banojë dhe ku fëmijët e Perëndisë – si ata që janë anëtarë ashtu edhe ata që nuk janë anëtarë të Kishës – mund të vijnë “në njohurinë e Shëlbuesit të tyre” (Mosia 18:30).

Nisma e shpallur kohët e fundit për t’i zbukuruar shtëpitë tona të mbledhjeve me vepra arti që pasqyrojnë me respekt Shpëtimtarin dhe ngjarjet hyjnore të jetës së Tij në vdekshmëri dhe pas saj, është hartuar që t’i afrojë më pranë Tij sytë, mendjet dhe zemrat tona. Teksa hyni në këto shtëpi lutjeje për mbledhje dhe aktivitete, ne ju ftojmë me dashuri që të ndaleni, të vëzhgoni dhe të mendoni thellë për këto piktura të shenjta, t’i shihni ato me fëmijët tuaj dhe t’i lejoni ato që t’ua rritin ndjenjat tuaja të adhurimit dhe nderimit ndaj Perëndisë.

Në Dhiatën e Vjetër, profeti Habakuk shpalli: “Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij” (Habakuk 2:20). Kujtofshim në të njëjtën mënyrë se Shpirti i Zotit është në shtëpitë tona të mbledhjeve dhe do ta përshkojë secilën prej zemrave tona deri në atë shkallë sa ne sillemi me nderim përpara Tij.

Shënime

  1. “Revereri”, Lexico Powered by Oxford, lexico.com.

  2. “Qëndroj Plot Habi”, Himne, nr. 113.

  3. Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 130.

  4. Xhefri R. Holland, “Ja, Qengji i Perëndisë”, Liahona, maj 2019, f. 45.

  5. Din M. Dejvis, “Bekimet e Adhurimit”, Liahona, nëntor 2016, f. 94.