Mënyra si Gjeta Shërim nga Abuzimi Seksual
Kisha jetuar në një makth. Por më vonë mësova se gjatë çasteve të mia më të errëta, mund të mbështetesha te Shpëtimtari im.
Makthi im filloi kur isha vetëm shtatë vjeçe dhe nëna ime u martua përsëri. Neve na pëlqente vërtet shumë njerku ynë i ri. Ai ishte i sjellshëm dhe përshtatej mirë me familjen tonë. Ndihesha vërtet e sigurt rrotull tij. Gjithçka shkonte shkëlqyeshëm derisa një ditë, kur gjithkush tjetër ishte i zënë me punë, ai abuzoi seksualisht me mua.
Nuk e kuptoja se çfarë më kishte bërë. U ndjeva e frikësuar, e hutuar dhe shumë e turpëruar. Por kisha shumë frikë t’ia tregoja dikujt. Mendova se do të shkatërronte lumturinë që familja ime sapo e kish gjetur dhe se askush s’do më besonte gjithsesi. Kështu që vendosa të heshtja.
Ai më kishte lënduar vetëm një herë të vetme, por kujtimi i abuzimit më rëndonte gjithnjë në mendje. Pa dashur u bëra shumë paranojake se mos dikush do të shihte tejpërtej dhembjes sime dhe do të ma zbulonte sekretin, saqë u përpoqa ta fshihja të vërtetën duke u bërë shokë të mirë me njerkun tim. Ai ishte veçanërisht i dashur me mua dhe faktikisht fillova ta pëlqeja sërish atë.
Por pastaj gjërat u përkeqësuan. Kur nëna ime filloi të punonte në turnin e natës, njerku im filloi të abuzonte rregullisht me mua. Ndihesha kaq e pashpresë. Doja ta thosha hapur, por njerkun tim e donin shumë dhe mendova se të gjithë do të mbanin anën e tij. Kështu që natën, kur isha vetëm, i lutesha Perëndisë të më ndihmonte ta mbaja sekretin.
Ta Thuash Hapur
Një ditë më në fund abuzimi ndaloi. Nuk e kisha idenë përse. Edhe pse nuk po më lëndonte më, gjithnjë ndihesha e ndyrë dhe e turpëruar. E urreja veten. Nganjëherë edhe hahesha me veten nëse vdekja do të ishte më e lehtë sesa realiteti im. Prapë doja ta thosha hapur, por kisha frikë nga ajo që do të sillte e vërteta.
Pastaj një të diel në kishë kur isha 14 vjeçe, dëgjova një mësim rreth marrjes së vendimeve të mëdha. Mësuesja jonë na nxiti që të agjëronim e të luteshim dhe premtoi se Perëndia do të na forconte për të bërë gjënë e duhur. Pas kishës, vazhdova të mendoja rreth asaj që kishte thënë ajo. Vrisja mendjen se po të kërkoja, a do të më ndihmonte vërtetë Perëndia që ta thosha hapur?
Ditën tjetër agjërova për kurajë që t’i tregoja nënës rreth abuzimit. Nuk mund të përqendrohesha gjatë shkollës sepse gjithçka që mendoja ishte mënyra se si do të reagonte ajo. Kur arrita në shtëpi, u ndjeva jashtëzakonisht e sëmurë. U luta sërish për forcë, por nuk u ndjeva e përgatitur që t’ia tregoja asaj.
Atë mbrëmje, iu afrova nënës kur po gatuante darkën. Nuk dija se ç’t’i thosha, por kur e vështrova në sy, gjeta guximin që thjesht të filloja të flisja. Sapo fillova, gjithçka që e kisha mbajtur të fshehtë prej vitesh, filloi të dilte vetvetiu.
Nëna dhe unë thjesht u ulëm në divan dhe qamë së bashku. Pas kësaj, ne komunikuam me presidentin tonë të degës dhe i telefonuam policisë. Njerku im u mbajt përgjegjës për atë që më kishte bërë, dhe mua m’u dha mbrojtja që më nevojitej – nuk do të më duhej ta shihja më kurrë atë.
Shtegu drejt Shërimit
Gjatë asaj kohe, ishte e vështirë t’ua ritregoja përvojën time autoriteteve dhe të kisha miq që më pyetnin se ku ndodhej njerku im, por me ndihmën e familjes sime, nuk isha më e vetme. Së bashku, ne u mblodhëm rreth një teme të re të familjes: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13). Rrethi ynë familjar gjithashtu ofroi dashurinë dhe përkrahjen e tij dhe, me kalimin e kohës, ne filluam të shëroheshim së bashku.
Të dyja ne, nëna ime dhe unë morëm pjesë në këshillimet profesionale, çka ishte një ndihmë e madhe! Këshilluesja ime ishte saktësisht ajo që më nevojitej. Ajo më ndihmoi t’i kuptoja të gjitha emocionet që po ndieja, dhe më ndihmoi të përballesha me kujtimet e mia të këqija. Nuk e kisha kuptuar kurrë se sa shumë e lënduar isha, derisa fillova të ndihesha sërish e shëruar.
Nuk mendova se dhembja do të zhdukej vetëm ngaqë e thashë hapur, por nuk kisha kuptuar gjithashtu se sa shumë kohë (dhe durim) do të më duhej për t’u shëruar. Për një kohë tejet të gjatë, jam ndier si e pavlerë. Duhej të mësoja edhe njëherë se si ta doja vetveten.
Paqen më të madhe e gjeta teksa iu drejtova Shpëtimtarit dhe Atit tim Qiellor. Të kuptuarit se Ata e dinin saktësisht se si ndihesha, më dha forcë dhe shpresë. U mbështeta tek Ata gjatë çasteve më të errëta. Me kalimin e kohës, kujtimet filluan të veniten dhe e ndjeva vërtet paqen nëpërmjet dashurisë së Shpëtimtarit.
Një nga pjesët më shpërblyese të procesit të shërimit ishte të kuptuarit se unë vërtet kisha një të ardhme të ndritur. Ndërsa po abuzohej ndaj meje, as që e përfytyroja dot që të kisha një jetë normale. Ndihesha e shkatërruar përgjithmonë. Por nëpërmjet ndihmës dhe shërimit, zbulova gjëra drejt të cilave të synoja. Fillova t’ua tregoja historinë time vajzave të tjera që ishin të lënduara dhe madje vendosa që të shërbeja në një mision. Shprehja e dëshmisë sime te të tjerët më forcoi.
Unë nuk përcaktohem nga ajo që njerku më bëri mua. Ai e ka ndryshuar përgjithmonë jetën time, por unë po vendos që ta përdor përvojën time për të ndihmuar të tjerët. Disa ditë janë ende të vështira, por përmes gjithçkaje, Zoti më ka forcuar dhe unë e di se Ai do të vazhdojë të më ndihmojë. Unë jam shndërruar nga një viktimë në një të mbijetuar.