2020
Zemrat e Shpuara me Plagë të Thella: Të Kuptuarit e Abuzimit në Familje
Tetor 2020


Zemrat e Shpuara me Plagë të Thella: Të Kuptuarit e Abuzimit në Familje

Modele të pashëndetshme mund të zhvillohen në cilëndo marrëdhënie. Dallimi i tyre mund të zbulojë abuzimin ose ta ndalojë atë përpara se të fillojë.

upset woman and husband

Fotografitë përdoren vetëm për qëllime ilustruese, pozuar nga modelë

Kohët e fundit më mori në telefon një baba zemërthyer. Bija e tij, Xhena (emrat janë ndryshuar), ishte larg shtëpisë në kolegj, në një marrëdhënie të re, e cila po zhvillohej shpejt. I dashuri i saj, Xheku, po e shtynte drejt martesës dhe po e kufizonte komunikimin e Xhenës me prindërit e saj. Xhena u kërkoi falje, duke shpjeguar se ishte për shkak të dashurisë dhe dëshirës së madhe të Xhekut që të shpenzonin kohë si çift.

Familja e Xhenës u shqetësua kur zbuluan se Xheku kishte një ish‑bashkëshorte dhe një fëmijë që nuk ia kishte përmendur Xhenës. Ata morën në telefon ish‑gruan, e cila tha se Xheku kishte një temperament të pakëndshëm dhe ishte xheloz. Kur Xheku e mori vesh këtë gjë, ai u tërbua. Ai tha se prindërit e Xhenës po ushtronin “kontroll” dhe përmendi një rast kur ata nuk e miratuan një shaka sarkastike që bëri ai rreth inteligjencës së Xhenës. Me ironi, Xheku nguli këmbë që Xhena ta merrte vetë vendimin për t’i ndërprerë lidhjet me ta. Prindërit e Xhenës ishin të dëshpëruar ngaqë telefonatat dhe mesazhet e tyre sms nuk po merrnin përgjigje.

Çdo njeri dëshiron një familje të lumtur, por edhe kur njerëzit përpiqen ta jetojnë ungjillin, marrëdhëniet mund të bëhen lënduese. Disa sfida janë si rrjedhojë e keqkuptimeve dhe grindjeve të zakonshme për familjet. Megjithatë, në shtëpitë e shëndetshme, njerëzit kërkojnë falje për sjelljen jo të mirë dhe i ndreqin mosmarrëveshjet, ndërkohë që në situatat e pashëndetshme ka modele të vazhdueshme të vrazhdësisë ose keqtrajtimit që bëhen abuzuese.

Abuzimi brenda Familjes dhe Ungjilli

“Ju keni thyer zemrat e bashkëshorteve tuaja të buta dhe keni humbur besimin e fëmijëve tuaj, për shkak të shembujve tuaj të këqij para tyre” (Jakobi [LiM] 2:35).

Abuzimi përbëhet nga veprime që kanë për qëllim të lëndojnë ose të kontrollojnë. Ai përbëhet nga një varg sjelljesh që mund të përfshijnë lënien pas dore, manipulimin, kritikën me fjalë dhe dhunën fizike ose seksuale.1 Për fat të keq, sjelljet abuzuese janë të zakonshme dhe disa studiues vlerësojnë se rreth një e katërta e fëmijëve anembanë botës keqtrajtohen fizikisht, seksualisht ose emocionalisht.2 Të rriturit gjithashtu kanë shkallë të larta viktimizimi, me përafërsisht 1 në 4 gra dhe 1 në 10 burra që përjetojnë dhunë fizike nga një bashkëshort ose bashkëshorte.

Abuzimi mund të ndodhë në çfarëdo marrëdhënieje dhe si burrat ashtu edhe gratë mund të jenë autorët e tij. Sidoqoftë, burrat kanë më shumë gjasa të ushtrojnë kontroll dhe të kryejnë dhunë të rëndë fizike dhe seksuale, kurse gratë ka më shumë të ngjarë që të tmerrohen, të nënshtrohen ose të lëndohen keq nga një bashkëshort.3

Abuzimi e lëndon shpirtin, si të ofenduesit ashtu edhe të viktimës, dhe është në kundërshtim me mësimet e Shpëtimtarit. Profetët bashkëkohorë kanë thënë se ata “që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët … do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë”4. Abuzuesit shpesh i shpërfillin ose i shfrytëzojnë parimet e ungjillit. Për shembull, unë këshillova një çift ku bashkëshorti pati lidhje emocionale me gra të tjera dhe i harxhoi në kumar paratë që kishin kursyer, por në vend që të kërkonte falje, ai e shtyu bashkëshorten e tij që ta falte dhe ngulte këmbë se ajo po bënte “mëkatin më të madh” nëse nuk e falte. Ai nuk i kushtoi vëmendje dhembjes së saj dhe shpalli se ai ishte në rregull me Perëndinë se përndryshe nuk kishte se si të ishte punonjës në tempull. Kur bashkëshortja e tij foli me udhëheqësit e Kishës, ai i zvogëloi tradhtitë e tij dhe i zmadhoi shqetësimet e saj, duke thënë se ajo ishte me depresion. Bashkëshorti po i hidhte poshtë “parimet e … respektit, dashurisë [e] dhembshurisë”5 dhe po e keqtrajtonte bashkëshorten e tij. Përpjekjet e saj për t’i jetuar parimet e ungjillit nuk mund ta ndreqnin një problem që ai po e krijonte. Secili prej nesh mund t’u dorëzohet sjelljeve të pashëndetshme. Ka disa karakteristika të zakonshme në të gjitha llojet e abuzimit dhe sa më të rënda e më të shpeshta janë këto, aq më pak e shëndetshme do të jetë marrëdhënia. Ja ku janë pesë prej këtyre modeleve tipike të abuzimit, të cilat mund t’ju ndihmojnë të dalloni sjelljet jo të shëndetshme te vetja juaj dhe tek të tjerët.

sad little girl

1. Egërsia

“Me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi” (Romakëve 3:13–14).

Një burrë erdhi tek unë që të bënte terapi kundër dëshirave të bashkëshortes së tij, e cila tallej me të ngaqë kishte “nevojë për ndihmë”. Në kishë ajo ishte miqësore dhe e përkushtuar, por në shtëpi shpërfillja e saj e ftohtë godiste si kamxhik. Ia kritikonte rrogën dhe e quante karrierën e tij si mësues “një punë për vajza”. Ajo i tha të birit: “Shpresoj që nuk do të përfundosh një ngordhalaq si yt atë” dhe e kalonte çdo ditë në telefon me të ëmën, duke nënçmuar bashkëshortët e tyre. Njerëzit kritikues ndihen të justifikuar kur u shkaktojnë dhembje dhe “dëshirojnë t’i bëjnë të tjerët të vuajnë” (Doktrina e Besëlidhje 121:13). Këta pjesëtarë të familjeve i thyejnë urdhrat e Jezusit për të “mos gjyk[uar]” dhe për të “mos dën[uar]” (Lluka 6:37) ndërkohë që nënvlerësojnë, tregojnë indinjatë ose shajnë.

2. Mashtrimi

“Ty të ka pushtuar një shpirt gënjeshtar dhe ke larguar Shpirtin e Perëndisë” (Alma 30:42).

Mashtrimi është i zakonshëm në abuzim kur autorët e abuzimit i quajnë minimale veprimet e tyre, ua hedhin fajin të tjerëve dhe i shtrembërojnë fjalët. Kjo i huton viktimat, sikurse e përshkroi njëra prej pjesëmarrëseve në studimin tim shkencor: “[Bashkëshorti im do të] egërsohej shumë dhe më pas kërkonte njëfarë faljeje dhe pastaj thoshte: ‘Epo është faji yt gjithsesi’ … në mënyrë të përsëritur derisa fillova ta besoja atë gjë”6. Ky mohim i realitetit të dikujt tjetër quhet “vënie e zjarrit” dhe i lë viktimat të pështjelluara e të pasigurta rreth kujtimeve dhe opinioneve të tyre. Ashtu si format e tjera të mashtrimit, vënia e zjarrit përdoret për të manipuluar bashkëbisedimet dhe për të krijuar një fasadë të rreme.

Ata që i abuzojnë të tjerët, i bëjnë ballë fuqishëm pranimit të faktit se ata po i lëndojnë të tjerët dhe shpesh pretendojnë se ata janë viktimat. Kur Xhena shprehu se nuk ndihej rehat lidhur me kritikën nga Xheku për prindërit e saj, ai u zemërua dhe nguli këmbë se ajo po e “fyente”. Xheku ishte mes “at[yre] që thërrasin shkelje … dhe janë fëmijë të mosbindjes vetë” (Doktrina e Besëlidhje 121:17). Ai jo vetëm që e nxiti historinë e tij të rreme, por edhe shfaqi indinjatë ndaj së vërtetës.7

man with head in hands

3. Justifikimet

“Prano gabimet e tua dhe atë të keqe që ke bërë” (Alma 39:13).

Një njeri i përulur ndien keqardhje që po i lëndon të tjerët, pendohet dhe vepron më mirë. Dikush që është abuzues, e kundërshton me justifikime nxitjen e ndërgjegjes. Siç tregoi njëri nga pjesëmarrësit në studimin tim shkencor: “Do të ndihesha shumë keq për abuzimin fizik dhe pastaj më vonë mendoja se ajo gjë mund të mos kishte ndodhur nëse ajo thjesht do ta kishte mbajtur gojën të mbyllur”. “Keqardhja e [tij] nuk [e] çonte në pendim” (Mormoni 2:13), por në vend të kësaj ai e shtyu atë mënjanë me zemërim të hidhur dhe fajësim.

Në terapi, njëherë i thashë një bashkëshorteje se kurrë nuk kisha vënë re që ajo po tregonte trishtim sipas Perëndisë për vitet që e kishte kritikuar bashkëshortin e saj. Përgjigjja e saj nuk ishte keqardhje, por hatërmbetje: “Shkëlqyeshëm, ja dhe një gjë tjetër që nuk po e bëj!” Njerëzit abuzues nuk pranojnë përgjegjësi, preken shpejt e kalojnë në vetëmbrojtje. Ata fyhen me lehtësi nga gjëra të vogla.

4. Krenaria

“Me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3).

Krenaria përfshin dhënien e të drejtës vetvetes dhe përqendrimin te vetvetja. Një burrë u bërtiste bashkëshortes dhe fëmijëve të tij sa herë që mendonte se ata “nuk po e respektonin”. Nëse opinioni i tyre nuk përputhej me opinionin e tij, ata po e “nënvlerësonin” ose “nuk ishin të bindur” ndaj tij. Krenaria është konkurruese dhe përqendrohet te pushteti dhe fitorja. Në dallim nga kjo, një familje e shëndetshme është bashkëpunuese, atje ka baraspeshim të paanshmërisë dhe pjesëtarët e “trajto[jnë] me drejtësi njëri‑tjetrin” (4 Nefi 1:2). Bashkëshortët e bashkëshortet duhet të jenë partnerë të barabartë8, ku secilit i dëgjohet fjala dhe ku vlerësohen të gjitha opinionet.

5. Kontrolli

“Kur … ushtrojmë kontroll apo sundim, apo detyrim mbi shpirtrat e fëmijëve të njerëzve, … qiejt tërhiqen” (Doktrina e Besëlidhje 121:37).

Edhe pse e vlerësojmë lirinë e zgjedhjes, është e habitshme se sa shpesh pjesëtarët e familjes i thonë njëri‑tjetrit se si të mendojnë, të ndihen e të veprojnë. Disa madje ushtrojnë kontroll nëpërmjet kanosjes, turpit, mosshprehjes së dashurisë ose kërcënimeve. Një bashkëshort kishte kërkesa të rrepta që bashkëshortja e tij duhej ta përgatiste mëngjesin çdo ditë në një kohë të caktuar, të plotësonte kërkesa të posaçme për intimitet dhe ta dëgjonte atë kur fliste për “shqetësimet” e tij, të cilat zakonisht përfshinin mënyrat se si ajo mund të përmirësohej. Ai kontrollonte shpenzimet e saj dhe zemërohej nëse ajo nuk u përgjigjej me të shpejtë mesazheve të tij sms.

Një nënë tjetër shprehu zhgënjim të vazhdueshëm ndaj bijës së saj adoleshente sa herë që vajza shfaqte trishtim ose nuk arrinte të jetonte sipas standardeve të nënës. Nëse gjërat që priteshin nuk arriheshin, ose nëse bashkëshorti i saj shprehte shqetësime, ajo me ftohtësi e tregonte mospranimin e saj duke qëndruar në heshtje.

holding hands

Shpresa dhe Shërimi

E “kam dëgjuar lutjen tënde dhe kam parë lotët e tu; ja, unë po të shëroj” (2 Mbretërve 20:5).

Edhe pse abuzimi është shpirtcopëtues, ndryshimi është gjithmonë i mundshëm. Viktimat mund t’u drejtohen burimeve shpirtërore e profesionale dhe të kërkojnë fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit për t’i shëruar plagët e tyre. Për të gjetur ndihmë, shkoni tek abuse.ChurchofJesusChrist.org.

Ata që kanë qenë abuzues, duhet të pendohen dhe të kërkojnë ndihmë. Kjo kërkon të “zbresin në thellësitë e përulësisë” (3 Nefi 12:2) dhe të pranojnë përgjegjësi të plotë për sjelljen e tyre. Ndryshimi kërkon më shumë se premtime afatshkurtra dhe përpjekje sipërfaqësore. Dhembja e pendimit të thellë është shpirtndrydhëse dhe disa njerëz nuk do të jenë të gatshëm ta bëjnë atë, gjë që u lë viktimave vendime të vështira rreth mënyrës se si të mbrohen.9

Ati ynë Qiellor shqetësohet për ne, ashtu si babai plot ankth që më mori në telefon për bijën e tij. Dashuria e Perëndisë është e “gjerë … si përjetësia” (Moisiu 7:41) dhe Ai ndien dhembje të thellë kur fëmijët e Tij e lëndojnë njëri‑tjetrin. Në një bashkëbisedim të dhembshur me Enokun, Ai vajton. “Këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia … dhe [unë] kam dhënë urdhërim që ata duhet ta duan njëri‑tjetrin … por, vër re, ata janë pa dhembshuri dhe e urrejnë vetë gjakun e tyre” (Moisiu 7:32–33). Ka vajtim në qiell e në tokë kur trupat dhe shpirtrat plagosen. Prapëseprapë, me përulësi, me fuqinë e Perëndisë dhe ndihmën profesionale kur nevojitet, është e mundur të ndalohet sjellja dëmtuese dhe të krijohet një shtëpi me dinjitet, siguri e dashuri.

Shënime

  1. Për më shumë informacion mbi dhunën fizike, shih abuse.ChurchofJesusChrist.org. Për më shumë informacion për abuzimin dhe sulmet seksuale, shih Benjamin M. Ogles, “Agency, Accountability, and the Atonement of Jesus Christ: Application to Sexual Assault” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 30 janar 2018), speeches.byu.edu; dhe Chieko N. Okazaki, “Healing from Sexual Abuse” (konferencë në Universitetin “Brigam Jang”, 23 tetor 2002).

  2. Shih Maryam Ajilian Abbasi, Masumeh Saeidi, Gholamreza Khademi, Bibi Leila Hoseini, Zahra Emami Moghadam, “Child Maltreatment in the World: A Review Article”, International Journal of Pediatrics, vëll. 3, nr. 1 (2014), f. 353–365.

  3. Shih Hamby, S., “Current controversies: Are women really as violent as men? The ‘gender symmetry’ controversy”, në Claire M. Renzetti, Jeffrey L. Edleson dhe Raquel Kennedy Bergen, Sourcebook on Violence Against Women, bot. i 3‑të (2018), f. 78–82.

  4. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145; shih edhe abuse.ChurchofJesusChrist.org.

  5. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës.”

  6. Jason B. Whiting, Megan Oka dhe Stephen T. Fife, “Appraisal distortions and intimate partner violence: Gender, power, and interaction”, Journal of Marital and Family Therapy (2012), shtesë: 1:113–149.

  7. Për shembuj të tjerë nga shkrimet e shenjta të njerëzve që nuk e pranojnë të vërtetën, shih Gjoni 3:19–21; Veprat e Apostujve 7:54; 2 Nefi 1:25–26; dhe 2 Nefi 4:13.

  8. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”; shih edhe H. Burke Peterson, “Unrighteous Dominion”, Ensign, korrik 1989, f. 6–11, për më shumë informacion rreth doktrinës së barazisë dhe pyetjeve që t’i merrni parasysh lidhur me marrëdhëniet në besëlidhje.

  9. Njerëzit në situata abuzuese shpesh përballen me zgjedhje rreth mënyrës se si ta mbrojnë sigurinë e tyre vetjake ose të të tjerëve, si edhe nëse atyre iu nevojitet të caktojnë kufij apo t’i kufizojnë ndërveprimet e tyre me ata që po i lëndojnë. Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007) diskutoi për këtë situatë të vështirë kur dikush është i mbërthyer në “një marrëdhënie për një kohë të gjatë dhe në dukje të pandreqshme, që e shkatërron dinjitetin e njeriut si një qenie njerëzore” (“Enriching Your Marriage”, Liahona, prill 2007, f. 3); shih edhe pjesën “Ndihmë për Viktimat” në faqen në internet të Kishës për parandalimin e abuzimit për më shumë informacion dhe mundësi.