2020
Qëllimi i Pagëzimit Tim
Tetor 2020


Qëllimi i Pagëzimit Tim

Përpara pagëzimit tim, u ula vetëm dhe u luta që shokët e mi të shfaqeshin si me anë të një mrekullie.

man sitting in chapel foyer

Ilustrimi nga Julia Yellow

Kur isha fëmijë dhe jetoja në periferinë e Taipeit në Tajvan, nuk mësova kurrë për misionarët. Prandaj herën e parë që u takova me ta, isha kureshtar rreth mesazhit të tyre. Nuk m’u desh shumë kohë që të kisha dëshirë për t’i ndjekur mësimet e tyre dhe për ta vënë në zbatim ungjillin në jetën time. Mendova se kjo ishte një mënyrë që unë të zbuloja nëse vërtet ka një Perëndi.

Brenda një muaji, më kishin mësuar për ungjillin dhe urdhërimet që jepen mësim përpara pagëzimit. Paqja më erdhi nëpërmjet lutjes, mora zbulesë vetjake nga studimi i shkrimeve të shenjta dhe kurrë nuk mungova në një mbledhje të Kishës. Vendosa që duhej të pagëzohesha.

Sfida më e madhe që hasa në atë kohë, ishin problemet që ishin shfaqur në marrëdhëniet e mia me disa prej shokëve të mi, sepse ata ishin kundër përfshirjes sime në Kishë. U luta shumë rreth këtyre problemeve, por marrëdhëniet tona dukeshin se vetëm po keqësoheshin.

I ftova shokët e mi në pagëzimin tim, por ata e shpërfillën tërësisht ftesën time. Nuk dija vërtet se çfarë të bëja. Përpara pagëzimit tim, u ula i vetëm në divanin në hyrje të godinës së kishës, duke u lutur që shokët e mi do të shfaqeshin me anë të një mrekullie, me qëllim që t’ju tregoja për ndryshimet pozitive që kisha bërë në jetën time dhe t’u provoja se po merrja vendimin e drejtë duke u pagëzuar.

Shokët e mi nuk erdhën kurrë, por ndërkohë që po ia derdhja zemrën time Perëndisë, ndjeva një mbresë. Në atë kohë ndjeva dashuri të madhe nga Ati im Qiellor. E dija se Ai ishte atje dhe me të vërtetë e kishte dëgjuar lutjen time.

Si fillim doja të pagëzohesha thjesht për shkak të gjithë gjërave të mrekullueshme që po ndodhnin në jetën time, por në atë çast arrita të kuptoj qëllimin e pagëzimit tim.

Mbresa që mora, ishte sikur zëri i Zotit po më fliste me dhembshuri dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke thënë: “Nuk ke nevojë t’i provosh asgjë askujt. Ke nevojë të më provosh Mua se ti je i gatshëm të vish tek Unë dhe të qëndrosh i vërtetë ndaj ungjillit tim për gjithë pjesën tjetër të jetës tënde.”