Faneva Misionari
Faneva vështroi nga dritarja rrugën plot lëvizje poshtë shtëpisë së tij. Ai mund t’i shihte njerëzit që tërhiqnin karrocat me perime, oriz, coha dhe mallra të tjera për të shitur. Ai mund të dëgjonte boritë e makinave dhe qentë që lehnin. Pastaj ai dëgjoi një tingull tjetër.
“Nënë, po troket dikush te dera!” – thirri Faneva. Nëna e hapi derën. Dy djem të rinj të veshur me kostum dhe kollare qëndronin te dera. Faneva nuk kishte parë askënd më parë të vishej në atë mënyrë në lagjen e tij të banimit në Madagaskar.
“Ne jemi misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” – tha njëri prej tyre. “Ne i mësojmë njerëzit rreth Jezusit. A mund t’ju themi një mesazh?”
Faneva u emocionua kur nëna i ftoi brenda. E gjithë familja u mblodh për të dëgjuar rreth Jezu Krishtit dhe se si Kisha e Tij ishte sërish mbi tokë.
Pas asaj dite, misionarët e vizituan familjen e Fanevës shumë herë. Ata sollën një libër që titullohej Histori nga Libri i Mormonit. Fanevës i pëlqente shumë ta lexonte atë me familjen e tij!
Një ditë do të bëhem misionar dhe do t’ua tregoj të tjerëve Librin e Mormonit, tha me vete Faneva.
Kur erdhën misionarët një herë tjetër, ata u mësuan familjarëve të Fanevës se si të luteshin. Faneva mësoi se ai mund të bisedonte me Atin Qiellor kurdoherë dhe kudo ndodhej.
Një ditë do të jem një misionar dhe do t’i mësoj njerëzit rreth lutjes, mendoi Faneva.
Një ditë misionarët kishin një pyetje të rëndësishme.
“A do ta ndiqni shembullin e Jezu Krishtit dhe të pagëzoheni?” – pyeti njëri prej tyre.
Fanevës iu bë zemra mal. “Po!” – tha ai.
“Po!” – thanë i vëllai dhe nëna.
Babi tha se nuk ishte ende gati për t’u pagëzuar. Por nuk e kishte problem që pjesa tjetër e familjes do të pagëzohej. Dhe kështu që u pagëzuan! Faneva u pagëzua nga njëri prej misionarëve që e kishte mësuar rreth Jezusit.
Një ditë do të jem misionar dhe do t’i ndihmoj njerëzit të pagëzohen, mendoi Faneva.
Një nga pjesët më të mira e të qenit anëtar i Kishës, ishte vajtja në Fillore. Fanevës i pëlqenin shumë veprimtaritë dhe të takonte miq të rinj. Por gjëja që pëlqente më shumë nga të gjitha, ishte të këndonte këngët e Fillores. Një të diel, në Fillore, ata po këndonin këngë rreth përhapjes së ungjillit.
“Un’ dua të jem misionar tani”, këndoi Faneva. “Nuk dua të pres gjersa t’rritem.”
Mund të filloj të bëj punë misionare tani, mendoi Faneva. Nuk më duhet të pres deri sa të vijë dita!
Që nga ajo ditë, Faneva kërkonte mënyra për ta përhapur ungjillin. Ai u përpoq të ishte një shembull i mirë. Ai i ftoi njerëzit në kishë. Ai i ndihmoi fqinjët e tij. Pas disa vitesh, ai ishte rritur mjaftueshëm sa t’i ndihmonte misionarët për të mësuar njerëzit në qytetin e tij. Pas disa vitesh të tjera, ai shërbeu vetë në një mision – duke takuar njerëz të rinj dhe duke u treguar për ungjillin, njësoj siç misionarët ia kishin treguar atij.