2020
Vakt Dreke në Vetmi
Tetor 2020


Vakt Dreke në Vetmi

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Kelli donte thjesht një mik.

“The Holy Spirit whispers with a still small voice”, [“Shpirti i Shenjtë me një zë të vogël pëshpërit”] (Children’s Songbook, f. 105).

Pamja
Lonely Lunchtime

Kelli hyri në sallën e ngrënies dhe pa rreth e rrotull. Të gjithë fëmijët e tjerë po vraponin drejt e te miqtë e tyre dhe po grumbulloheshin te tryezat. Salla ishte e zhurmshme me zëra gazmorë dhe me të qeshura plot gaz. Ishte vetëm dita e dytë e shkollës, por dukej sikur çdonjëri kishte dikë me të cilin të ulej përveç Kellit.

Ajo e shtrëngoi fort dorezën e kutisë së saj të ushqimit dhe shkoi drejt njërës prej tryezave. “A mund të ulem afër teje?” – pyeti Kelli.

Një vajzë me një gërshet të gjatë gështenjë ngriti sytë. Ajo turfulloi dhe tundi kokën. “Jo. Është e zënë” – tha ajo.

“Në rregull!” Kelli lëvizi te një karrige tjetër e lirë dhe e vuri kutinë e saj të ushqimit mbi tryezë.

“Ti nuk mund të ulesh këtu! Po e ruaj për dikë atë karrige” – tha një djalë me këmishë me vija të gjelbra. Ai e shtyu kutinë e ushqimit të Kellit aq sa ra në dysheme. Të gjithë miqtë e tij qeshën.

Kelli u përkul dhe e ngriti sërish kutinë e saj të ushqimit. Eci përgjatë sallës së ngrënies dhe u ul në një tryezë bosh. Ajo pa dikë nga lagjja e saj e banimit dhe u përpoq ta përshëndeste me dorë, por ai vështroi nga ana tjetër. Kelli u vrenjt. Përse askush nuk donte të ishte miku i saj?

Kelli i hodhi sytë nga ushqimi. Asaj nuk ia kishte më qejfi të hante. I fshiu sytë, e mbylli kutinë e saj të ushqimit dhe doli jashtë.

Të gjithë ishin duke luajtur tashmë me miqtë e vet. Kelli u ul vetëm në një stol dhe vështroi fëmijët e tjerë që po kënaqeshin pa të. Pastaj Kelli vuri re një djalë afër moshës së saj që ishte ulur vetëm në bar. Ai kishte veshur një këmishë të verdhë me njolla dhe flokët i rrinin të ngritur pas.

Kelli e hoqi vështrimin. Ajo pa një grup vajzash nga klasa e saj që po luanin lojën me katër kuadrate. Ajo do të donte që ato ta ftonin të luante me to.

Kelli e vështroi sërish djaloshin. Koka i ishte varur dhe po këpuste barin rrotull këmbëve të tij. Kelli kujtoi diçka që ia thoshte nganjëherë nëna: Kërko fëmijët që janë të vetmuar.

Kelli u vrenjt. Edhe ajo ishte e vetmuar. Askush nuk po përpiqej të ishte miku i saj!

Por, pastaj Kelli mendoi për kohën kur ishte pagëzuar, vitin e kaluar. Ajo premtoi që ta dëgjonte Frymën e Shenjtë. Ndoshta Fryma e Shenjtë po e ndihmonte që të kujtonte atë që i kishte thënë nëna. Ndoshta Fryma e Shenjtë po përpiqej t’i tregonte asaj që të luante me djaloshin me këmishë të verdhë.

Kelli psherëtiu dhe u ngrit në këmbë. Një ndjenjë e ngrohtë ia mbuloi zemrën. Ajo eci për tek ai dhe u ul në bar pranë djalit.

“Përshëndetje” – tha ajo.

“Përshëndetje” – ia ktheu ai duke pëshpëritur.

“Cila është ngjyra jote e parapëlqyer?”

“Ëm … jeshilja.”

“Sa mirë. Mua më pëlqen roza” – tha Kelli. “A ke një kafshë të parapëlqyer?”

Djali qëndroi pak më drejt dhe e vështroi në sy atë. “Po. Më pëlqejnë shumë dinozaurët.”

“Ah, edhe mua. I parapëlqyeri im është triceratopi.”

Djali buzëqeshi.

Pastaj ra zilja. Kelli u ngrit në këmbë dhe e përshëndeti me dorë djalin. Ajo buzëqeshi teksa u kthye sërish e vetme në klasën e saj. Ajo mund të mos kishte një mik të ngushtë, por u ndje e lumtur duke e ditur se e kishte bërë pushimin e dikujt pak më të mirë.

Shtyp në Letër