Përhapja e Ungjillit
“Mësoni nga unë … dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:29).
Një burrë për të cilin punova, më dha një kopje të Librit të Mormonit. Por nuk e lexova për gati dy vjet. Një të diel, e mora Librin e Mormonit dhe shkova në një linjë hekurudhore jashtë qytetit ku jetoja në Zimbabve. U ula dhe fillova të lexoja.
Në fillim, e kisha të vështirë ta kuptoja. Por e rilexova dëshminë e Jozef Smithit shumë e shumë herë. Fjalët e tij më prekën në zemër.
Më vonë, dikush më ftoi të vija në kishë. Në fillim, nuk u ndjeva rehat, kështu që u ula në rreshtin e fundit. Por kur njerëzit filluan të jepnin dëshmitë e tyre rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe Librit të Mormonit, ndjeva diçka të mrekullueshme përbrenda.
Pa kaluar shumë kohë, misionarët erdhën në lagjen time. Së shpejti u pagëzova. Vite më vonë, pata nderin të shërbeja në një mision dhe ta përhapja ungjillin te shumë të tjerë.
Kisha është rritur shumë në Zimbabve. Por ka ende shumë gjëra që mund të bëjmë për ta përhapur ungjillin, pavarësisht faktit se ku jetojmë. Nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjes së shtëpisë, ti mund ta forcosh dëshminë tënde dhe të qëndrosh afër Atit Qiellor. Dëshmia jote mund të bekojë jetën e shumë njerëzve në mbarë botën.