Botime të Mëparshme
Burimet


Burimet

Ky Nuk Është Problemi Im

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

JOZEFI (SHEFI): Gloria, je tri orë me vonesë.

GLORIA: Më vjen keq, Jozef. Kisha nevojë për më shumë gjumë. Djali im ishte sëmurë natën e shkuar dhe rashë në shtrat shumë vonë.

JOZEFI: Ky nuk është problemi im.

GLORIA: Pastaj alarmi i orës sime nuk ra këtë mëngjes.

JOZEFI: Nuk është problemi im.

GLORIA: Kështu, në kohën kur u bëra gati, më kishte ikur autobusi i parë.

JOZEFI: Përsëri, nuk është problemi im.

GLORIA: Kur e bëra autobusin të ndalonte, e kuptova se nuk kisha para për udhëtimin me autobus.

JOZEFI: Prapë, nuk është problemi im.

GLORIA: Kështu më iku autobusi i dytë sepse më duhej të kthehesha në shtëpi për të marrë paratë.

ANTONI: Ej, më vjen keq t’ju ndërpres, por ajo makineria është prishur dhe po rrjedh vaj gjithandej.

JOZEFI: Cila makineri?

ANTONI: Nuk e di si quhet. Por është ajo në qoshen prapa rafteve. Tomasi nuk është këtu sot dhe zakonisht e ndez ai makinerinë.

JOZEFI: Ky nuk është problemi im.

ANTONI: Kështu fillova ta përdorja makinerinë dhe ajo u bllokua.

JOZEFI: Uf! Ky nuk është problemi im.

ANTONI: Dhe ndoshta ka një manual për të, por nuk e di ku është.

JOZEFI: Në rregull, në rregull. Të dy ju, ndaloni! Anton, Gloria, zgjidhini ju problemet!

Kthehuni te faqja 98.

Ky Është Problemi Im

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

JOZEFI: Anton a do ta marrësh në telefon Tomasin për të zbuluar se kur do të kthehet nga takimi me klientin? Na duhet më shumë vaj për atë makineri.

ANTONI: E dija se do të na duhej vaj. Unë tashmë shkova dhe bleva pak dhe u kujdesa që ta mbushja.

JOZEFI: Çfarë? Nuk e prite Tomasin? Nuk dua ta prishësh përsëri makinerinë.

ANTONI: Tani i di të gjitha rreth makinerisë. Gjeta manualin, e mora në shtëpi, e studiova e u ktheva dhe e ndreqa makinerinë. Tani mund të kujdesem për gjërat kur Tomasi është në takime me klientët.

JOZEFI: Kjo është e mrekullueshme!

ANTONI: Kjo nuk është e gjitha. Bëra një program mirëmbajtjeje për të që të parandalojmë problemet e ardhshme.

JOZEFI: Faleminderit Anton. E vlerësoj vërtet mënyrën se si e përballove këtë.

ANTONI: Sigurisht. Ky është problemi im.

JOZEFI: [Me vete] Ua, Antoni ka bërë vërtet përpara. Ai vërtet ia pagoi rrogën vetes sot.

JOZEFI: Oh, ç’kemi Gloria? Me çfarë erdhe këtu? Anxhela telefonoi dhe më tha se nuk do të vinte dot në punë sot për shkak të grevës së shoferëve të autobusëve. Mendova se nuk do të vinit dot as ti, as Beniamini.

GLORIA: E dija se shoferët e autobusëve po flisnin për të hyrë në grevë, prandaj nja dy ditë më parë e rregullova me Beniamin që të më merrte me makinën e tij po të ndodhte greva.

JOZEFI: Është e mrekullueshme që mendove kështu përpara kohe.

GLORIA: Mendova edhe se radhët në pikat e karburanteve mund të ishin të gjata sot, ndaj i dhashë para Beniaminit dhe e pyeta a e kishte problem të furnizohej dje përpara se të merrej vendimi për grevën.

JOZEFI: Pate para të mjaftueshme për atë?

GLORIA: Po, kisha ruajtur para më vete për autobusin, ndaj i përdora për të paguar për karburantin. Beniamini dhe unë shkuam dhe morëm Anxhelën dhe tani jemi të gjithë këtu.

JOZEFI: Gloria, faleminderit që iu dole përpara të gjitha këtyre gjërave. Klientët tanë kanë vërtet nevojë për ju të tre këtu sot.

GLORIA: Sigurisht Jozef, ky është problemi im.

JOZEFI: [Me vete] Dhe unë do ta pushoja atë nga puna? Ajo sot vlen sa tre punonjës.

Kthehuni te faqja 98

Ai po Ndërton një Pallat

Zgjidheni dikë që të lexojë sa vijon:

“Përfytyrojeni veten tuaj si një shtëpi ku jetohet. Perëndia hyn për ta rindërtuar atë shtëpi. Në fillim, ndoshta, ju mund ta kuptoni atë që Ai po bën. Ai po rregullon ulluqet dhe po ndalon rrjedhjen në çati e kështu me radhë: ju e dinit se ato punë duheshin bërë dhe prandaj nuk jeni i çuditur. Por tani ai fillon ta godasë shtëpinë në një mënyrë që të vjen shumë keq dhe duket sikur nuk ka kuptim. Çfarë po bën Ai? Shpjegimi është se Ai po ndërton pothuaj një shtëpi të ndryshme nga ajo që menduat ju – ngritja e një muri këtu, shtrimi i një dyshemeje atje, ndërtimi i shtyllave mbajtëse, bërja e kopshteve. Ju menduat se do të bëheshit një shtëpizë e vogël modeste, por Ai po ndërton një pallat” (C. S. Lewis, Mere Christianity [1960], f. 160).

Kthehuni te faqja 103.

Si të Gjej një Këshilltar që të më Ndihmojë të Kem Sukses? (Veprimtari me Dëshirë)

Lexoni:Një punonjës i vlefshëm i di rregullat dhe pritshmëritë e punëdhënësit. Por nuk ka përherë një “manual kompanie” për t’i përshkruar ato pritshmëri. Dhe çdo vend ku punohet është i ndryshëm.

Ushtrohuni:Mendoni rreth mënyrës se si mund t’i zbuloni rregullat e pashkruara dhe pritshmëritë e vendit ku punohet. Mund të dëshironi të pyetni pjesëtarë të familjes, miq ose anëtarët të grupit për idetë e tyre.

Lexoni:Disa pritshmëri janë thjesht mendim praktik. Të tjera mund të vëzhgohen. Por për disa, nevojitet një këshilltar. Një këshilltar është dikush të cilit i mirëbesoni, që i di pritshmëritë dhe rregullat e kompanisë dhe do të jetë i gatshëm t’ju ndihmojë të mësoni.

Ushtrohuni:Përpara mbledhjes sonë të radhës, zgjidhni një këshilltar në vendin e tanishëm ku punoni dhe kërkojini atij apo asaj t’ju ndihmojë t’i mësoni rregullat dhe pritshmëritë e kompanisë.

Ose përshkruajeni llojin e personit që do të donit të kishit si këshilltar në vendin e ardhshëm ku do të punoni.

Shënime