Seminare dhe Institute
Mësimi 19: Ndërtimi i Jetëve dhe Shtëpive të Përqendruara te Krishti


Mësimi 19

Ndërtimi i Jetëve dhe Shtëpive të Përqendruara te Krishti

Hyrje

Profeti Helaman i mësoi bijtë e tij se, nëse ata do ta ndërtonin jetën e tyre mbi themelin e sigurt të Jezu Krishtit, Satani nuk do të kishte fuqi për t’i shkatërruar ata (shih Helamani 5:12). Në këtë mësim, studentët do të diskutojnë se si ta ndërtojnë familjen e tyre mbi themelin e Jezu Krishtit. Teksa pjesëtarët e familjes e përqendrojnë jetën e tyre te mësimet e Jezu Krishtit, ata mund t’i rregullojnë e forcojnë marrëdhëniet dhe të gjejnë lumturi më të madhe.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 15:1–5, 10–11; Helamani 5:12

Ndërtimi i jetëve dhe shtëpive të përqendruara te Krishti

Fillojeni orën e mësimit duke vizatuar në tabelë një shtëpi të thjeshtë ose ndërtesa të tjera. Diskutoni pyetjet vijuese me studentët:

  • Çfarë vlere ka një themel për një shtëpi ose për një strukturë tjetër?

  • Përse disa materiale ndërtimi krijojnë themele më të forta ndërtimi se të tjerat?

Kujtojuni studentëve se të gjitha familjet përjetojnë vështirësi deri në njëfarë mase dhe Satani kërkon t’i shkatërrojë të gjitha familjet. Nga Libri i Mormonit ne mësojmë një mënyrë të sigurt për të zvogëluar ndikimet e Satanit në familjet tona.

Kërkojuni studentëve të studiojnë Helamanin 5:12, duke kërkuar atë që na mëson rreth një themeli.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë ta ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin?

  • Çfarë mund të bëjë një familje për të ndërtuar mbi themelin e Jezu Krishtit? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë sa më poshtë: të studiojë dhe jetojë ungjillin e Jezu Krishtit, të kërkojë të ndjekë shembullin e Jezu Krishtit, t’u bindet urdhërimeve të Perëndisë dhe të marrë nga fuqia e Shlyerjes së Krishtit.)

  • Në ç’mënyrë premtimet te Helamani 5:12 zbatohen për familjet që kërkojnë ta ndërtojnë themelin e tyre mbi shkëmbin e Jezu Krishtit? (Përgjigjet duhet të shprehin kuptueshmëri të parimit vijues: Ndërsa familjet e ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin, Satani nuk do të ketë fuqi për t’i shkatërruar ato.)

Shpjegoni se, pak përpara vdekjes së Tij, Shpëtimtari dha një analogji që mund t’i ndihmojë familjet të kuptojnë se si ta ndërtojnë themelin e tyre mbi Të. Ftojini disa studentë që të lexojnë me zë të lartë Gjonin 15:1–5, 10–11. Vëreni klasën t’i ndjekë ata dhe të marrë parasysh mënyrën se si metafora e Shpëtimtarit në këto fragmente mund të gjejnë zbatim për familjet që po përpiqen ta ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin.

  • Nëse Jezu Krishti është hardhia dhe ne jemi shermendet, kë mund të përfaqësojë fryti? (Fryti mund të përfaqësojë punët dhe veprat e mira të dishepujve të Jezu Krishtit.)

Ndihmojini studentët të kuptojnë se Shpëtimtari i përdori fjalët “qëndroj” ose “qëndroni” disa herë te Gjoni 15:4–10. Shpjegoni se fjala qëndroj në këtë kontekst do të thotë të mbetesh dhe “të rrish – por të rrish përgjithmonë”, duke nënkuptuar se ne duhet të qëndrojmë të lidhur vendosmërisht dhe përherë me Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij (Jeffrey R. Holland, “Abide in Me”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 32). Ju mund t’u shpjegoni shkurtimisht studentëve se njohja e përsëritjeve të fjalëve është një aftësi studimi e shkrimeve të shenjta që ata mund ta përdorin në studimin e tyre vetjak. Përsëritja e një fjale në shkrimet e shenjta shpesh do të thotë se autori është duke theksuar një ide të rëndësishme.

  • Sipas vargjeve 5 dhe 11, cilat janë bekimet e të qëndruarit te Shpëtimtari? (Nëse qëndrojmë te Shpëtimtari, ne mund të sjellim shumë fryt dhe mund të marrim një plotësi të gëzimit.)

  • Si mendoni ju, çfarë bekimesh do t’u vijnë familjeve kur pjesëtarët e familjes përpiqen të qëndrojnë te Shpëtimtari?

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Riçard G. Skot

“Pavarësisht nga rrethanat tuaja, ju mund ta përqendroni shtëpinë tuaj dhe jetën tuaj te Zoti Jezu Krisht, sepse Ai është burimi i paqes së vërtetë në këtë jetë” (“Për Paqe në Shtëpi”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 29).

  • Si do ta përshkruanit një shtëpi që është e përqendruar te Jezu Krishti? Çfarë karakteristikash do ta bënin një shtëpi të përqendruar te Krishti?

Nxitini studentët të përsiatin rreth asaj që mund të bëjnë për të qëndruar më plotësisht te Shpëtimtari, pra duke ftuar më shumë nga ndikimi i Shpëtimtarit në shtëpinë e tyre. Nxitini të mendojnë rreth ndryshimeve që ata mund të bëjnë në marrëdhëniet e tyre me pjesëtarë të familjes.

Helamani 14:30–31; 3 Nefi 11:29–30

Kontrollimi i emocioneve tona duke e përdorur drejtësisht lirinë tonë të zgjedhjes

Kaloni te pjesa tjetër e mësimit duke ritheksuar se të gjitha familjet hasin sfida. Madje edhe kur pjesëtarët e familjes po përpiqen ta përqendrojnë jetën e tyre te Jezu Krishti, ata mund të hasin rrethana që i sfidojnë dëshirat e tyre të drejta. Shkruani sa vijon në tabelë:

“Më bën me nerva!”

“Më bën të humbas kontrollin!”

Ftojini studentët të përsiatin nëse këto thënie bazohen tek e vërteta.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Helamanin 14:30–31. Ftojeni klasën të marrë parasysh se si lidhen këto vargje me thëniet në tabelë.

  • Çfarë e vërtete e rëndësishme gjendet në këto vargje që gjen zbatim në marrëdhëniet tona me të tjerët? (Theksoni të vërtetën vijuese: Për shkak se Ati Qiellor na ka dhënë lirinë e zgjedhjes, ne mund të zgjedhim të zemërohemi ose jo. Shpjegoni se Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Të zemërohesh është një zgjedhje e ndërgjegjshme, një vendim; prandaj, ne mund të zgjedhim të mos zemërohemi. Ne zgjedhim!” [“Agency and Anger”, Ensign, maj 1998, f. 80].)

  • Çfarë problemesh dalin nga të besuarit se veprimet ose fjalët e të tjerëve mund të na “bëjnë” që të zemërohemi?

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje 3 Nefin 11:29–30. Vini në dukje mësimin e Shpëtimtarit se grindja “duhet të zhduke[t]” (3 Nefi 11:30). Kujtojuni studentëve se të folurit ashpër dhe sjellje të tjera jo të drejta, të tilla si abuzimi emocional ose fizik, nuk justifikohen kurrë.

Ftojini studentët të mendojnë për gjërat që ata mund të bëjnë, për t’i ndihmuar të kujtojnë të zgjedhin që të mos zemërohen. Kërkojuni atyre të tregojnë idetë e tyre. Kërkojuni studentëve të zotohen që ta përdorin drejtësisht lirinë e tyre të zgjedhjes duke zgjedhur të mos zemërohen, veçanërisht në mjedise familjare.

3 Nefi 12:22–24; Moroni 7:45, 48; Doktrina e Besëlidhje 64:9–11; 88:119, 123–25

Pendimi dhe falja mund t’i shërojnë marrëdhëniet e dëmtuara familjare

Në tabelë, shkruani parimin vijues:

“Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht”.

Tregojuni studentëve se kjo frazë vjen nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë disa nga mësimet e Jezu Krishtit që mund t’u sjellin familjeve lumturi më të madhe, kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:119, 123–125. Sugjeroni që ata t’i shenjojnë ose nënvizojnë mësimet kyç. Pastaj u kërkoni studentëve të diskutojnë mënyrën se si mund të forcohen familjet duke i jetuar mësimet që gjenden në këto vargje.

Kujtojuni studentëve se problemet dhe vështirësitë ndodhin shpesh në familje kur shpërfillen mësimet e Jezu Krishtit. Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Marrëdhëniet e tensionuara e të shkatërruara janë aq të vjetra sa edhe vetë njerëzimi. … Unë mendoj se çdo njeri në tokë është prekur në njëfarë mënyre nga ndjenjat shkatërruese të grindjes, mllefit dhe hakmarrjes. Ndoshta ka edhe raste kur vetë ne i kemi këto ndjenja brenda vetes sonë” (“Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 70).

  • Cilat mësime të Zotit Jezu Krisht mund të ndihmojnë për të shëruar marrëdhënie të tensionuara ose madje të shkatërruara midis pjesëtarëve të familjes?

Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta. Shpjegoni që secili prej këtyre vargjeve përmban të vërteta të dhëna mësim nga Shpëtimtari, të cilat mund t’i forcojnë marrëdhëniet familjare.

3 Nefi 12:22–24

Moroni 7:45, 48

Doktrina e Besëlidhje 64:9–11

Ftojini studentët t’i lexojnë këto vargje dhe pastaj të diskutojnë sa më poshtë:

  • Cilat mësime nga këto vargje mund të ndihmojnë për të shëruar marrëdhënie familjare që janë dëmtuar nga grindja, ashpërsia ose veprime të tjera?

  • Si e keni parë faljen t’i përmirësojë marrëdhëniet familjare?

  • Përse ndonjëherë është më e vështirë të falim pjesëtarët e familjes që na fyejnë, sesa njerëzit e tjerë?

Paraqitni thëniet vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) dhe kërkojini një studenti t’i lexojë ato me zë të lartë:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Asnjëri prej nesh nuk është pa mëkat. Secili prej nesh bën gabime, përfshirë ju dhe mua. Të gjithë jemi lënduar. Të gjithë ne kemi lënduar të tjerë.

Është nëpërmjet sakrificës së Shpëtimtarit tonë që ne mund të marrim ekzaltim dhe jetë të përjetshme. Kur ne i pranojmë mënyrat e Tij dhe e kapërcejmë krenarinë tonë duke e zbutur zemrën tonë, ne mund të sjellim pajtim dhe falje në familjet tona dhe në jetën tonë vetjake” (Dieter F. Uchtdorf, “One Key to a Happy Family”, Ensign, tetor 2012, f. 6).

Presidenti Hauard W. Hanter

“Çfarëdo gjëje mbi të cilën Jezusi vendos duart e Tij, jeton. Nëse Jezusi i vendos duart e Tij mbi një martesë, ajo jeton. Nëse Atij i lejohet t’i vendosë duart e Tij mbi familjen, ajo jeton” (Teachings of Presidents of the Church: Howard W. Hunter [2015], f. 150).

  • Në ç’mënyrë ndjekja e parimeve të diskutuara sot e lejon Shpëtimtarin t’i vendosë duart e Tij mbi një familje?

Ftojini studentët të marrin parasysh se si parimet e pendimit dhe të faljes mund t’i ndihmojnë të rregullojnë ose forcojnë vetë marrëdhëniet e tyre familjare. Nxitini ata të veprojnë me të shpejtë për t’i zbatuar këto parime në marrëdhëniet e tyre familjare.

Materiale Leximi për Studentin