Seminare dhe Institute
Mësimi 22: Krijimi i një Familjeje të Suksesshme


Mësimi 22

Krijimi i një Familjeje të Suksesshme

Hyrje

“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” përshkruan parimet që prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve të tyre. Ky mësim do të diskutojë përgjegjësinë e prindërve për t’i mësuar fëmijët rreth “respektit, …dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese”. Ai do të diskutojë gjithashtu detyrën e prindërve që t’u mësojnë fëmijëve “ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Mësimdhënia e këtyre parimeve i ndihmon prindërit të krijojnë familje të suksesshme.

Lexim Konteksti

  • Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 104–108.

  • Susan W. Tanner, “Did I Tell You … ?” Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 73–75.

Sugjerime për Mësimdhënien

Parimet për familje të suksesshme

Përgatitini studentët për këtë mësim duke paraqitur thënien vijuese nga Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei (1873–1970):

Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei

“Asnjë sukses tjetër nuk mund ta dëmshpërblejë dështimin në shtëpi” (cituar nga J. E. McCulloch, Home: The Savior of Civilization [1924], f. 42; në Conference Report, prill 1935, f. 116).

  • Duke marrë parasysh atë që keni mësuar në këtë kurs, cilat janë disa nga parimet që ndihmojnë në krijimin e një familjeje të suksesshme?

Për të ndihmuar që ta trajtoni këtë pyetje, paraqitni dhe lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”:

“Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese”.

Shpjegojuni studentëve se shumica e parimeve në këtë thënie janë diskutuar në mësimet e mëparshme. Për t’u përqendruar te cilësitë që nuk janë diskutuar, shkruani sa vijon në tabelë:

Respekti

Dhembshuria

Puna

Aktivitete të shëndosha argëtuese

Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe caktojini secilit grup njërën prej këtyre cilësive. U kërkoni grupeve të diskutojnë pyetjet vijuese:

Respekti

  • Cilat janë disa nga gjërat e mira që ndodhin në familje kur prindërit tregojnë respekt ndaj fëmijëve të tyre? Kur fëmijët tregojnë respekt ndaj prindërve të tyre? Kur prindërit tregojnë respekt ndaj njëri-tjetrit?

  • Çfarë shembujsh të shfaqjes së respektit mund të tregoni nga përvojat e familjes suaj?

Dhembshuria

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve të ndiejnë dhembshuri për pjesëtarë të tjerë të familjes?

  • Çfarë shembujsh të mësimdhënies mbi dhembshurinë mund të tregoni nga familja juaj apo nga familje që ju keni njohur?

Puna

  • Përse është puna pjesë e një familjeje të suksesshme?

  • Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre të gjejnë kënaqësi dhe përmbushje në punë?

  • Çfarë shembujsh të mësimdhënies së fëmijëve për të punuar mund të tregoni nga familja juaj apo nga familje që ju keni njohur?

Aktivitete të shëndosha argëtuese

I thoni këtij grupi se, kur familjet kanë një kohë të kufizuar për ta harxhuar së bashku në aktivitete familjare, do të ishte me vend që ata të zgjidhnin ato aktivitete që janë më të dobishme. Kërkojini këtij grupi të lexojë thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe diskutoni pyetjet që vijojnë:

Plaku Dallin H. Ouks

“Ndërsa marrim parasysh zgjedhje të ndryshme, ne duhet të kujtojmë se nuk mjafton që diçka të jetë e mirë. Zgjedhje të tjera janë më të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. …

Disa nga zgjedhjet tona më të rëndësishme lidhen me veprimtaritë familjare. … Kur zgjedhim si ta kalojmë kohën si familje, duhet të kemi kujdes të mos e shpenzojmë kohën tonë për gjëra që janë thjesht të mira dhe të lëmë pak kohë për atë që është më e mirë apo më e mira. Një mik e çoi familjen e tij të re në një seri udhëtimesh për pushimet e verës, përfshirë vizita në vende historike të paharrueshme. Në fund të verës ai e pyeti djalin e tij adoleshent se cila nga këto aktivitete të mira të verës e kishte kënaqur më shumë. Babai mësoi nga përgjigjja dhe po kështu edhe të gjithë ata të cilëve ua tregoi. ‘Gjëja që më pëlqeu më shumë këtë verë’, u përgjigj djali, ‘ishte nata kur ti dhe unë u shtrimë në lëndinë, vështruam yjet dhe biseduam.’ Aktivitete familjare të mrekullueshme mund të jenë të mira për fëmijët, por ato nuk janë gjithmonë më të mira sesa koha e kaluar vetëm për vetëm me një prind të dashur” (“Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign, nëntor 2007, f. 105).

  • Si mund të na ndihmojë përvoja e këtij babai dhe djali të kuptojmë vlerën e “aktiviteteve të shëndosha argëtuese” në një familje?

  • Si mund të punojë së bashku një familje për t’i bërë aktivitetet argëtuese më domethënëse?

Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni grupeve t’i ndajnë përmbledhjet e diskutimeve të tyre me të gjithë klasën.

Përfundojeni këtë pjesë të mësimit duke paraqitur thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Meqë ‘asnjë sukses tjetër nuk mund të na dëmshpërblejë për dështimin’ [në familjet tona], ne duhet t’u japim përparësi të lartë familjeve tona. Ne ndërtojmë marrëdhënie të thella dhe të dashura familjare duke bërë gjëra të thjeshta së bashku, si vakti familjar e mbrëmja familjare dhe thjesht duke u zbavitur së bashku. Në marrëdhëniet familjare dashuria vërtet shprehet nga koha, koha që kalojmë me familjen. Kalimi i kohës me njëri-tjetrin është kyçi për harmoni në shtëpi” (“Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 21–22).

  • A mund të tregoni një përvojë që ju keni pasur kur një prind ose një pjesëtar tjetër i familjes kaloi kohë të dobishme me ju?

Pyetini studentët nëse ndonjëri prej tyre do të donte të ndante mendimet apo dëshminë e vet për mënyrën se si cilësitë e renditura në tabelë mund t’i bekojnë familjet.

Ligji i Përtërirë 6:4–7; Doktrina e Besëlidhje 134:5–6; Nenet e Besimit 1:12

Detyra e prindërve për t’i mësuar fëmijët

Vërini studentët të studiojnë paragrafin gjashtë te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, duke kërkuar gjërat e veçanta që prindërit kanë detyrë të shenjtë t’ua mësojnë fëmijëve të tyre. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani sa vijon në tabelë:

Ta duan dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit

Të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë

Të jenë qytetarë që u binden ligjeve

Theksoni parimin vijues: Prindërit urdhërohen që t’u japin mësim fëmijëve të tyre ta duan dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit, t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve.

Kërkojuni studentëve të shkojnë te Ligji i Përtërirë 6. Shpjegoni se ky kapitull shënon udhëzimet e Moisiut për fëmijët e Izraelit, për mënyrën se si t’i zbatonin urdhërimet. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ligjin e Përtërirë 6:4–7 dhe ta përshtatin mesazhin me veten e tyre duke i zëvendësuar vetë emrat e tyre sa herë që shkrimi i shenjtë thotë “tu”, “ti,” “tënde” ose “tënd”.

  • Në ç’mënyrë zëvendësimi i vetë emrit tuaj ndikon në të kuptuarin tuaj për këto vargje?

  • Sipas vargut 7, sa shpesh duhet që prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre?

Vini në dukje frazën “ta duan dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit” në tabelë. Diskutoni kuptimin e kësaj fraze duke lexuar thënien e mëposhtme nga Presidenti Xhemjs E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë, dhe duke bërë pyetjet që vijojnë:

Presidenti Xhejms E. Faust

“Pothuajse çdo ditë sjell mundësi për të kryer vepra vetëmohuese për të tjerët. Vepra të tilla janë të pakufizuara dhe mund të jenë po aq të thjeshta sa edhe një fjalë e mirë, një dorë ndihmuese apo një buzëqeshje e hirshme” (“What’s in It for Me?” Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 21–22).

  • Sa mundësi keni çdo ditë për t’i dashur dhe për t’u shërbyer pjesëtarëve të familjes suaj?

  • Çfarë mund të bëni për ta bërë shërbimin ndaj pjesëtarëve të familjes një përparësi në jetën tuaj?

Jepuni studentëve një çast që të përsiatin për atë që mund të bëjnë, për t’u shërbyer më mirë pjesëtarëve të familjes dhe për të treguar dashuri ndaj tyre.

Vini në dukje frazën “t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë” në tabelë dhe pyetini:

  • Përse duhet të jenë prindërit ata që janë kryesisht përgjegjës për t’u mësuar fëmijëve të tyre urdhërimet e Perëndisë?

Tregoni thënien vijuese nga Motra Suzan W. Taner, ish-presidente e përgjithshme e Të Rejave. Shpjegoni se në këtë bisedë, Motra Taner kujtoi këshillën që ajo i dha njërës prej vajzave të saj që sapo ishte martuar dhe filloi të krijonte vetë shtëpinë e saj:

Suzan W. Taner

“Shiko shembullin e familjeve të gjyshërve të tu. Të dy palët e gjyshërve i rritën ‘fëmijët [e tyre] në dritë e të vërtetë’ (DeB 93:40). [Shtëpia ku u rrit babai yt] ishte një shtëpi mësimi. Në varrimin e babait të tij ai tha se kurrë nuk e kishte mësuar një parim të ungjillit në një mbledhje të Kishës që nuk e kishte mësuar tashmë në shtëpinë e tij. Kisha ishte një shtojcë e shtëpisë së tij” (“Did I Tell You … ?” Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 73).

  • Si mund të përgatiteni që të krijoni një shtëpi mësimi – si ato që përshkroi Motra Taner – për familjen tuaj? Çfarë mendimesh mund të keni nëse fëmijët tuaj të ardhshëm do të thoshin këtë për shtëpinë në të cilën ata u rritën?

Vini në dukje frazën “të jenë qytetarë që u binden ligjeve” në tabelë. Kujtojuni studentëve se Doktrina e Besëlidhje 134, shënon “deklaratë[n] e besimit lidhur me qeveritë dhe ligjet” (kreu i seksionit 134). Ndihmojini studentët të kuptojnë kontekstin e këtij seksioni duke e vënë një student të lexojë me zë të lartë kreun e seksionit. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 134:5–6 dhe një tjetër të lexojë nenin e dymbëdhjetë të besimit. Vëreni klasën të kërkojë atë që na mëson Zoti rreth ligjeve të vendit.

  • Cilat mësime rreth qeverive dhe ligjeve të vendit ju bëjnë përshtypje? (Për udhëzime të tjera, merrni parasysh t’i ftoni studentët të lexojnë dhe bëjnë referencë kryq Doktrinën e Besëlidhjet 58:21 dhe 98:4–6.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që shtëpia të jetë vendi kryesor ku fëmijët të mësojnë t’u binden ligjeve të vendit?

Merrni parasysh të tregoni thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Nil A. Maksuell

“Ndërsa kujdesi prindëror bie, nevoja për policë rritet. Do të ketë gjithmonë mungesë të policëve nëse ka mungesë të prindërve të efektshëm! Po ashtu, nuk do të ketë mjaftueshëm burgje nëse nuk ka mjaftueshëm shtëpi të shëndosha” (“Take Especial Care of Your Family”, Ensign, maj 1994, f. 89).

  • Si mendoni ju se prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve t’u binden ligjeve të vendit?

  • A njihni dikë që në mënyrë të ndërgjegjshme u bindet dhe tregon respekt për ligjet e vendit dhe zyrtarët e qeverisë? Si mendoni ju, çfarë efekti do të kishte kjo sjellje te fëmijët e atij individi?

Nxitini studentët që të gjejnë pak kohë në ditët e ardhshme për të përsiatur parimet që prindërit duhet të japin mësim për të krijuar një familje të suksesshme. U kërkoni atyre që të bëjnë plane mbi mënyrën se si mund t’i ndjekin këto parime në jetën e tyre tani dhe që t’i përfshijnë ato në familjet e tyre të ardhshme.

Materiale Leximi për Studentin