2008
VESHJA DHE PAMJA E JASHTME
Tetor 2008


VESHJA DHE PAMJA E JASHTME

Psonisja me Mamanë

Vishuni me thjeshtësi për të treguar nderim për Atin Qiellor dhe për vetveten. Mos e ulni kurrë standardin tuaj të veshjes, për asnjë rast. Mos e shfiguroni trupin tuaj me tatuazhe dhe shpuarje.

Mami dhe unë po psonisnim, kur gjeta një fund të zi që e doja patjetër. E provova fundin dhe dola që të ma shihte mami. Ajo ngurroi para se të thoshte: “Beki, mendoj se është disi i shkurtër”. U përgjigja se nuk mendoja ashtu dhe e sigurova se të gjitha vajzat në shkollë vishnin modele të ngjashme — disa shumë më të shkurtra. U përpoqa disa minuta ta bindja që ta pëlqente fundin.

Së fundi, mami tha e vendosur: “Është tepër i shkurtër. Nuk do ta marrim. Shko ndërroje.”

Nuk e kuptova pse ajo ishte kaq e rreptë me mua, veçanërisht kur ndihesha mjaft e rritur sa të vendosja vetë se çfarë duhej të vishja. Psonisja jonë u prish dhe u kthyem me makinë në shtëpi të heshtura.

Së fundi, mami më tha: “Beki, arsyeja që nuk të lashë të marrësh fundin është sepse nuk të ngjante ty. Ai fund ishte tepër i shkurtër dhe nuk paraqiste atë që je vërtet. Ti je një bijë e Perëndisë.”

Shpjegimi i mamit më mësoi një parim që do ta kujtoj gjithmonë. Unë jam një bijë e Perëndisë dhe gjithçka bëj dhe vesh paraqet se çfarë mendoj për veten dhe se si ndihem për Atin tim Qiellor dhe Shpëtimtarin tim.

Veshja me thjeshtësi është një betejë e vazhdueshme, por jam mirënjohëse që nuk u dorëzova dhe nuk rrezikova standardet e mia. E di se nëse arrijmë të kuptojmë vërtet se jemi fëmijë të Perëndisë, do t’i mposhtim dëshirat tona për t’u veshur si bota.