2008
Besim për të Ndaluar një Përmbytje
Tetor 2008


Besim për të Ndaluar një Përmbytje

Ishte një ditë pranvere në Helsinki të Finlandës. Dielli shkëlqente fort dhe bora po shkrihej shpejt. Për orë të tëra, unë kisha punuar bashkë me djemtë e mi, Juha, tetë vjeç, dhe Hanu, gjashtë, që të mos lejonim borën e shkrirë të përmbytte qilarin tonë. Tubacioni aty pranë, që duhet të siguronte shkarkimin e ujit të mbledhur, ishte plotësisht i ngrirë.

Kur burri im u nis për në punë atë mëngjes, na tha të siguronim që uji të mos hynte në qilar. Punuam shumë deri pasdite, kur ishte koha për të shkuar në Fillore. (Në atë kohë Fillorja zhvillohej në një ditë të zakonshme të javës.) U thashë, pra, djemve të mi, se ata duhet të mungonin në Fillore, që të mund të ndalonim ujin të hynte në qilar. Përveç kësaj, burri im nuk ishte anëtar i Kishës dhe nuk do ta kuptonte rëndësinë e Fillores për bijtë tanë.

Njëzëri, Juha dhe Hanu më siguruan se, nëse do të shkonim në Fillore, Ati Qiellor do të kujdesej që uji të mos hynte në qilar. Vështrova sa tek uji që mblidhej, sa tek fytyrat plot besim të bijve të mi. Një pjesë e imja thoshte: “Nuk mund të shkosh, sepse nuk ka fuqi të ndalojë ujin që të mos përmbytë qilarin”. Iu përgjërova Atit Qiellor me lutje në zemër. Pastaj mora një vendim të vështirë.

“Tani do të shkojmë në Fillore!” deklarova ndërsa lëshova poshtë kovat. Çfarëdo gjëje që të ndodhte, nuk do të dëmtoja besimin e fëmijëve të mi.

Djemtë u kënaqën pa masë në Fillore. Por, ndërsa ktheheshim me makinë pas saj, sa më tepër i afroheshim shtëpisë, aq më shumë më shtohej frika. Sapo mbërritëm në oborr, djemtë vrapuan shpejt tek dera e qilarit. Duke parë poshtë ata thirrën: “Nënë, a nuk të thamë?” Unë nxitova. Nuk do ta harroj kurrë pamjen që ndeshën sytë e mi. Zona ishte plotësisht e thatë, sikur ta kishin pastruar me shtupë. Nuk kishte shenjë uji askund. Madje dhe tani, 40 vjet më vonë, e kam të vështirë ta besoj atë që pashë.

Drita në sytë e djemve të mi, shprehte gëzim dhe besim tek Ati Qiellor. Gëzimi — dhe mirënjohja — e mbushën edhe zemrën time!

Asnjë fuqi në botë nuk mund të mposhtë besimin fëmijëror. Shkrimet e shenjta thonë se, nëse kemi besim dhe nuk dyshojmë, ne mund të lëvizim një mal (shih Mateu 17:20). Atë ditë, fuqia e besimit të fëmijëve të mi e ndaloi përmbytjen.