2008
Botimi i Muajit Mars 2008: Raport
Tetor 2008


Botimi i Muajit Mars 2008: Raport

Dy vjet në planifikim dhe prodhim. Më tepër se 2.3 milion kopje shpërndarë në 51 gjuhë.

Dy botime shtesë të nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesës.

Më tepër se 340,000 vizitorë tek faqja e posaçme në internet.

Sado mbresëlënëse që janë, numrat nuk tregojnë gjithçka që ndodh. Rëndësia e botimit të revistave Ensign dhe Liahona të muajit mars 2008, titulluar “Zoti Jezu Krishti”, duket vetëm kur një njeri sheh mënyrën e ndikimit të jetëve.

Në Nivel Vetjak

Të ftuar për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e tyre mbi botimin e muajit mars 2008, shumë anëtarë shkruajtën thjesht për të treguar si ka ndikuar ai në jetën e tyre. Nga Filipinet, Maria Felina Ferrer shkroi: “Për herë të parë në 29 vjet që kam jetuar duke folur e shkruar për Të, ndjeva realitetin e prekshëm të Shpëtimtarit në jetën time. Ai [Shpëtimtari] nuk është thjesht një temë, jo thjesht një histori. Ai është i vërtetë. … Kjo shkaktoi një ndryshim të fuqishëm tek unë. Kudo që shkoj dhe çfarëdo që bëj tani, jam e ndërgjegjshme që Zoti Jezu Krishti, me të gjithë fuqinë e Tij, më sheh dhe qëndron pranë meje. Ky fakt bën që unë të dëshiroj të bëhem një njeri më i mirë.”

Tom Kanz nga Megnólia e Teksasit, ShBA, tha: “Ndihesha aq mirë pasi mbarova së lexuari revistën dhe dëshirova të jem më i mirë në çdo aspekt të jetës sime. … Ndjeva dashurinë e Shpëtimtarit për mua dhe madhështinë e Shlyerjes në një mënyrë shumë personale.”

Duke Ndarë Me Të Tjerët

Linda Buis-Fergauven, e cila mëson një shkollë fillore në Belgjikë, ishte me një kolege në një udhëtim studimor dhe i dha asaj një kopje të botimit të marsit, së bashku me një shënim të veçantë dhe ftesën për të ardhur ta dëgjonte kur të fliste në kishë të dielën e Pashkës. Shoqja i shkoi dhe pati një përvojë pozitive. “Botimi i posaçëm i Liahonës më dha mundësinë të mbjell një farëz tek zemra e një shoqeje”, tha Motra Buis-Fergauven.

Në Kaliforni të ShBA-së, Lori Larson mori me vete revistën Ensign të muajit mars në një sallon kozmetike dhe u përpi në të. Ajo mbeti duke menduar se sa të mrekullueshëm do të ishin artikujt t’ia tregoje dikujt të një besimi tjetër dhe se si do të sqaroheshin idetë e gabuara për Kishën. Atëherë kozmetologja e pyeti për revistën që po lexonte. Në përfundim të takimit dhe bashkëbisedimit, kozmetologja kërkoi që misionarët t’i shkonin për vizitë.

Telma Çakón nga kryeqyteti i Guatemalës, bleu 12 kopje më shumë të revistës Liahona dhe i përdori me rastin e Pashkës, që t’ua shpërndante revistat dhe dëshminë e saj vëllezërve dhe motrave të saj. Patrisia Hegedus nga Kardstoun i Albertas në Kanada, i dërgoi një kopje një çifti gjerman me të cilin ajo dhe i shoqi kishin zënë miqësi para disa vitesh. Ata e morën me mirënjohje duke premtuar ta lexonin. Familja e Allen Harvit nga Krugersdorp i Afrikës së Jugut, bleu 12 kopje më shumë dhe ua shpërndau familjeve në rrugën e tyre.

Përpjekjet e Lagjeve dhe të Kunjeve

Njësitë e Kishës morën pjesën e caktuar të kopjeve falas të revistave Ensign dhe Liahona, për ta përdorur në procesin e të shoqëruarit, të aktivizimit dhe të punës misionare. Në Angli, kunji i Korlit organizoi një koncert të posaçëm për Pashkën në të cilin u ftuan miq, fqinjë, anëtarë pak aktivë dhe persona të rëndësisë së veçantë. Secili nga të ftuarit mori një kopje të Librit të Mormonit dhe të revistës Enign të marsit 2008.

Në Nigeri, motrat e Shoqatës së Ndihmës në distriktin Ile-Ife, si pjesë e veprimtarive me rastin e përvjetorit të Shoqatës së Ndihmës, vizituan burgun vendor dhe shpërndanë kopje të botimit të marsit. Kunji Njukasëll-Andër-Llajm në Angli, u kujdes që çdo familje e kunjit të kishte një kopje dhe një ftesë për të ndjekur një shërbesë të veçantë sakramenti të dielën e Pashkës. Një rezultat i kësaj ishte që një vëlla, i cili kishte qenë pak aktiv shpejt mbas pagëzimit të tij në vitet 1980, u prek dhe tani u gëzohet përsëri bekimeve të ungjillit në jetën e tij.

Po, Jemi të Krishterë

Shumëkush shkroi për të treguar si ndihmoi botimi mbi Shpëtimtarin për të sqaruar keqkuptime mbi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Barbara Mejes nga Flagstaf i Arizonës, ShBA, njoftoi një koment prej gruas e cila hyn të pastrojë shtëpinë e saj: “Kam vënë re shumë gjëra që të çojnë tek mendimi se ju besoni tek Jezusi. Si është e mundur? Ju të dy jeni mormonë. A jeni ju të krishterë?” Motra Mejes i dha asaj një kopje të revistës Ensign të muajit mars dhe ato nisën të bisedonin. “Ndërsa e lexon, ajo vazhdon të bëjë pyetje kuptimplote dhe zemra e mbyllur është hapur”, thotë Motra Mejes.

Familja e Majk dhe Shaz Krejmërit nga Garuëd i Nju Xhersit, ShBA, organizoi nga fillimi i këtij viti një festë ku u ftuan disa familje që nuk ishin të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Një familje arriti më herët, që bashkëshorti të mund të bënte një pyetje mbi Kishën. Një mik i tij shërbestar i kishte treguar se ne nuk besonim tek Jezu Krishti. Vëllai Krejmër tha: “Unë thjesht u përkula dhe mora revistën Ensign të marsit, me pamjen e Krishtit mbi kopertinë, dhe pyeta: ‘A duket kjo si një kishë që nuk beson tek Jezusi?’” Ai burrë e mori revistën me vete dhe pastaj atë javë u takua me misionarët për të pyetur më shumë.

Mesazh i Përjetshëm

Botimi i muajit mars 2008 i revistave Ensign dhe Liahona ende mundësohet nga shërbimi shpërndarës i Kishës. Mesazhi i tij i përjetshëm mbi Shpëtimtarin e bën atë të çmuar për ta përhapur jo vetëm gjatë kohëve të ardhshme të Krishtlindjes dhe Pashkës, por kurdoherë që anëtarët duan të ngushëllojnë, të japin mësim doktrinën e vërtetë dhe t’u tregojnë të tjerëve një dëshmi të paepur për Zotin Jezu Krishti. Aty gjendet mundësia që të preken shumë më tepër jetë.