2008
RESPEKTIMI I DITËS SË SHABATIT
Tetor 2008


RESPEKTIMI I DITËS SË SHABATIT

Ku Duhet të Jem?

Përdoreni Shabatin për të adhuruar Zotin, për të shkuar në kishë, për t’u afruar me familjen tuaj dhe për të ndihmuar të tjerët. Mos kërkoni argëtim apo të shpenzoni para në Shabat. Kur është e mundur, shmangni punën në Shabat.

A keni patur ndonjëherë nga ato të diela kur thjesht nuk ju pëlqen të shkoni në kishë? Epo unë kam patur, veçanërisht kohët e fundit. Sapo isha shpërngulur në një lagje të re në Kejp Taun të Afrikës së Jugut. Jo se njerëzit në lagje nuk ishin të këndshëm apo miqësorë. Ata thjesht nuk ishin miqtë e mi të afërt.

Pas javës sime të parë në lagje unë e vendosa — që këtej e tutje do të shkoja vetëm në mbledhjen e sakramentit. Javën pasuese shkova vonë. Ndërsa hyra tek dyert e kishës, më përshëndetën vetëm pak njerëz dhe zura vendin tim. Ndërsa qëndroja atje, ndihesha kaq e përmalluar. Gjithçka që doja ishte lagjja ime e vjetër, fytyrat miqësore që më njihnin.

Pastaj folësja e parë u ngrit dhe filloi bisedën e saj. Dukej sikur ajo po më fliste mua. Ajo foli për ndjenjën e vetmisë në një qytet të ri dhe e kuptova se unë nuk isha e vetmja. Pastaj folësi i dytë dha një tjetër mesazh që kishte kuptim vetjak për mua. Tamam para përfundimit të mbledhjes, peshkopi u ngrit dhe na tregoi se sa shumë e donte ai secilin prej nesh. Ai tha se e dinte se kishte njerëz që po mbështeteshin tek ai që të merrej me ta dhe të kujdesej për ta.

Kur këndova himnin e mbylljes, e dija se isha pikërisht aty ku duhej të isha. Nuk kisha ndier një paqe të tillë prej shumë kohësh dhe e dija se vinte nga Ati Qiellor. Ai e njeh secilin prej nesh dhe nevojat tona. Ai më dha atë që më duhej atë ditë dhe unë e di se, nëse vazhdoj të jetoj urdhërimet e Tij, Ai do ta bëjë gjithmonë këtë.