2008
Kisha Besim, por Jo Para
Tetor 2008


Kisha Besim, por Jo Para

Nga fundi i vitit 1988 i gëzohesha thirrjes sime si këshilltar i dytë në këshillin e peshkopit në Siudad Oheda, Venezuelë, por kisha një problem shqetësues. Isha anëtar i Kishës prej më tepër se një vit, por nuk i kisha marrë ende bekimet e mia të tempullit.

Një ditë më erdhi për vizitë një mik nga qyteti pranë, Marakaibo. Shumë shpejt ne filluam një bisedë mbi çështjet shpirtërore.

Befas miku im u nxit të thoshte: “Vëllai Trokonic, unë besoj se Ati Qiellor dëshiron që ti të shkosh në tempull dhe të marrësh bekimet e përjetshme që Ai u ka premtuar fëmijëve të Tij” .

“Nuk mund të shkoj”, u përgjigja. “Këtu në Venezuelë nuk ka tempull dhe një udhëtim jashtë shtetit është shumë i shtrenjtë. Nuk kam para.”

Ai mendoi për këtë një çast dhe pastaj u përgjegj: “Nëse vërtet dëshiron të shkosh në tempull, Ati Qiellor do të sigurojë një mënyrë që ti të shkosh”.

Unë u përgjigja: “Nëse Ati Qiellor do ta sigurojë atë lloj ndihme, unë do të shkoj!”

Që nga ai çast, unë u mbusha me besim dhe shpresë se do të isha në gjendje të shkoja në tempull. Ditën tjetër u telefonova udhëheqësve të kunjit dhe ata më thanë se ishte planifikuar një udhëtim për në Tempullin e Limës, Peru, që ishte tempulli më i afërt në atë kohë, për në janar. Udhëtimi do të kushtonte 16.500 bolivares dhe kjo shumë mbulonte shpenzimet për biletën e avionit, ushqimin dhe banesën.

Ditët kalonin dhe afati për mbledhjen e parave po afrohej shpejt. U përpoqa t’i fitoja paratë, por nuk po i afrohesha dot shumës që më duhej. Megjithatë, besimi im nuk u lëkund asnjëherë. Isha plotësisht i sigurt që Ati Qiellor do të siguronte një mënyrë.

Pak para afatit të fundit mora një telefonatë nga një punëdhënës i mëparshëm. Personi që telefonoi m’u drejtua me emër dhe tha: “Ju keni qenë punësuar nga kjo kompani e naftës pesë vjet më parë. Kur u larguat, shpërblimet tuaja nuk ishin llogaritur saktë. Ju lutem ejani në zyrat tona që të merrni çekun që kemi përgatitur në emrin tuaj.”

Shkova ta merrja çekun ditën tjetër. Kur e pashë shumën, nuk mund t’u besoja syve. Çeku ishte plotësuar saktësisht për 16.500 bolivarë!

Më 17 janar 1989 unë hyra në Tempullin e Limës, Peru, dhe mora indaumentin tim të tempullit. Miku im kishte të drejtë. Ati Qiellor kishte siguruar një mënyrë që unë të shkoja në tempull. Ashtu si deklaroi Nefi, “Zoti është në gjendje t’i bëjë të gjitha gjërat … për fëmijët e njerëzve, në qoftë se ndodh që ata ushtrojnë besim në të” (1 Nefi 7:12).