2008
Si të Japim
Tetor 2008


Ejani Dëgjoni Zërin e Profetit

Si të Japim

Nga “Giving with Joy”, Liahona, dhjetor 1996, f. 11–14.

President Henry B. Eyring

Ishte një ditë vere. Nëna ime vdiq nga fillimi i pasdites. Babai im, vëllai im dhe unë u kthyem nga spitali në shtëpinë e familjes tonë, vetëm ne të tre. Përgatitëm për vete një vakt të lehtë; pastaj folëm me vizitorët. U bë vonë, filloi të errësohej dhe më kujtohet që ende nuk i kishim ndezur dritat.

Babi u përgjigj pasi ra zilja e derës. Ishte teto Katerina dhe xhaxhi Billi. Munda të shihja se xhaxhi Billi po mbante një kavanoz me qershi. Ende i kam para syve qershitë ngjyrë të kuqe të errët, gati të purpurta dhe kapakun shkëlqyes ngjyrë ari mbi kavanoz. Ai tha: “Mund t’ju pëlqejnë këto. Ndoshta nuk keni ngrënë ëmbëlsirë.”

Nuk kishim ngrënë. Që të tre ne, u ulëm rreth tavolinës së kuzhinës, hodhëm disa qershi në tasa dhe i hëngrëm ndërsa xhaxhi Billi dhe teto Katerina pastruan disa pjata.

Për aq sa mund ta dallojë unë, dhënia dhe marrja e një dhurate të madhe ka gjithmonë tre pjesë. Ja ku janë, të ilustruara nga ajo dhuratë qershish.

Së pari, e dija se xhaxhi Billi dhe teto Katerina kishin ndier atë që unë po ndieja. Ata duhet ta kenë ndier se ne ishim tepër të lodhur për të ngrënë shumë ushqim. Ata duhet ta kenë ndier se një tas me qershi të konservuara në shtëpi do të na bënte të ndiheshim përsëri, për një çast, si një familje. Nuk mund të kujtoj shijen e qershive, por kujtoj se dikush e kuptoi zemrën time dhe u kujdes.

E dyta, e ndjeva se dhurata u dha lirisht. E dija se xhaxhi Billi dhe teto Katerina kishin zgjedhur lirisht që të sillnin një dhuratë. Dukej se dhurata u dha atyre gëzim kur e dhanë.

Dhe e treta, kishte sakrificë. E dija se teto Katerina i kishte konservuar ato qershi për familjen e saj. Atyre duhet t’u kenë pël-qyer qershitë. Por ajo ua hoqi atyre atë kënaqësi të mundshme dhe ma dha mua. Kjo është sakrificë. Por që atëherë kam kuptuar këtë fakt të mrekullueshëm: Xhaxhi Billit dhe teto Katerinës do t’u jetë dukur se ata do të kënaqeshin më shumë, nëse unë do t’i kisha qershitë, sesa po t’i kishin patur ata.

Dhënia e mrekullueshme e dhuratave përfshin tre gjëra: ju ndieni atë që ndien tjetri, ju jepni lirisht dhe ju e llogaritni sakrificën si një ujdi të mirë.

Perëndia Atë dha Birin e Tij dhe Jezu Krishti na dha Shlyerjen — dhurata të një thellësie dhe vlere të pamatshme për ne. Jezusi e dha dhuratën e Tij lirisht, me gatishmëri për ne të gjithë. Një nga shenjat e sigurta të një personi që ka pranuar dhuratën e Shlyerjes së Shpëtimtarit është një gatishmëri për të dhënë.